Konferenca ndërkombëtare shkencore: “Tё mohuar nga regjimi”: burgjet, sistemi i internim-dёbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë organizuan konferencën ndërkombëtare shkencore me temë: “Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990”. Veprimtaritë u zhvilluan përgjatë tri ditëve dhe ishin të hapura për mediat.
Më 29 tetor, në orën 18.00, në Muzeun Historik Kombëtar, salla “Unesco”, u bw prezantimi i të ftuarve dhe u mbajtwn fjalët e organizatorëve, me praninë e studiuesve, kërkuesve shkencorë, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe shoqatave të të drejtave të njeriut, të universiteteve të vendit dhe studentëve, organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve publike e joqeveritare.
Të ftuar shqiptarë e të huaj dhe personalitete të kërkimit shkencor e institucioneve të kujtesës hapwn siparin e kësaj konference të parë që trajton, përmes studimesh cilësore, periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Perspektivës studimore të profesorëve dhe akademikëve vendas e të Kosovës, iu shtua kontributi i ndjeshëm i studiuesve të huaj dhe pjesëmarrja aktive e Rrjetit Europian të Kujtesës (ENRS) e BsTu, Autoritetit gjerman të Hapjes së Dosjeve.
Në vijim u shfaq filmi “Dyert memece të Ferrit”, një rrugëtim nëpër burgjet dhe kampet e punës së detyruar në Shqipëri, i realizuar nga bashkëpunimi i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Fondacionit Konrad Adenauer.
Më 30 dhe 31 tetor, nga ora 9.00 deri në orën 17.00, në sallën “Shpataraku”, studiues shqiptarë e të huaj, kërkues shkencorë, historianë dhe gazetarë trajtuan për herë të parë temën e internim-dëbimeve në Shqipëri, duke u bazuar në konceptualizimin, historinë dhe praktikat e punës së detyruar gjatë regjimit komunist, përmes një qasjeje historiko–juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar.
Puna për konferencën ka nisur prej muajsh dhe thirrjes për të marrë pjesë i janë përgjigjur mbi 50 studiues shqiptarë e të huaj. Komisioni i vlerësimit ka përzgjedhur 36 punime, duke i organizuar në 9 panele me nga 4 studiues, të kërkimit shkencor dhe të kujtesës. Për muaj me radhë, studiuesit e përzgjedhur kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë inventarët, dosjet, statistikat dhe materialet e ndryshme arkivore të vëna në dispozicion nga AIDSSH apo të tjerë arkiva e, nëpërmjet kërkimit e objektivitetit shkencor, të mundësojnë një panoramë të zgjeruar të punës së detyruar gjatë diktaturës, në aspektin historik, juridik dhe social.
Konferenca ndërkombëtare shkencore është mbështetur nga PNUD në Shqipëri dhe Qeveria e Italisë, në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, Fondacioni Konrad-Adenauer (KAS), Rrjeti Europian i Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS) dhe Muzeu Historik Kombëtar.
Autoriteti
Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë.
Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.
STUDIUESIT DHE TEMAT E PARAQITURA
Totalitarizmi në Evropën Lindore në vështrim krahasues
Vështrim analitik mbi totalitarizmin shqiptar
Sistemi i burgjeve dhe kampeve të punës në Shqipëri (1945-1990)
Të huajt në kampet e burgjet shqiptare
Këndvështrimi juridik dhe puna e detyruar
Tipare të jetës së përditshme në burgjet dhe zonat e internimit në Shqipëri (1945-1990)
Totalitarizmi shqiptar përmes letërsisë dhe arteve
Kujtesa kolektive mbi burgjet dhe kampet e internimeve
Diskursi i sotëm mbi të shkuarën komuniste
1.Të mohuar nga regjimi/ Gratë e lirisë, një garuzhde lëng dhe xhipsi me operativin- GAZETA SHQIPTARE
2.Konferenca shkencore “Të mohuar nga regjimi”, dritë mbi të shkuarën- THE WORLD NEWS
3.Ylli Alibali rrëfen 10 vite burg në Ballsh, si ‘agjent polak’- SHQIPTARJA.COM
4.Konferenca shkencore “Të mohuar nga regjimi”, dritë mbi të shkuarën- AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE
5.Të mohuar nga regjimi “Kampet, burgjet dhe puna e detyruar”- TEMA ONLINE
6.Të mohuar nga regjimi komunist, historianët zbulojnë të vërtetat e ish-sigurimit- VIZION PLUS
© 2025 Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara – Designed and Developed by INSTANT.AL