-Narrativë përbashkuese dhe e çliruar nga ideologjia, mbi themelin e të vërtetave historike
“AIDSSH me partnerë shumë të çmuar ia ka dalë ta gjejë veten duke luajtur një rol të rëndësishëm, mes një procesi të hulumtimit që synon rishqyrtimin e historisë bashkëkohore, 44-’90. 36 studiues, nga brenda dhe jashtë vendit, kanë vënë mundin e djersën e tyre, plus intelektin dhe formimin, me qëllim që të ndihmojnë shoqërinë tonë t’u përgjigjet pyetjeve “Pse?” dhe “Si ndodhi?”, që në një kohë aspak të largët shqiptarët u “vunë kundër njëri-tjetrit”, siç e thotë bukur një rrëfyes.
Shkollarët thonë, dhe ne e kemi provuar në lëkurë, që studimi i historisë bashkëkohore ka sfida të mëdha. Protagonistët ende jetojnë, faktet akoma nuk kanë dalë të gjitha në dritë; kujtimet dhe ditarët janë ende pa mbledhur e pa botuar, arkivat, përveçse janë masive, janë ende të pashfrytëzueshme plotësisht.
Një ndër tre të pyetur në vitin 2015 deklaroi se i përket një familjeje që ka përjetuar burg, internim, deportim, shpronësim apo është përjashtuar nga Partia e Punës.
Mungesa e një procesi të mirëfilltë shkencor për studimin e historisë ka bërë që empatia dhe mirëkuptimi të mungojë sot e kësaj dite për këto privime. Nga njëra anë është zemërimi, trishtimi, ankthi, humbja dhe të ndjerët i përjashtuar nga grupet e prekura, kurse nga ana tjetër është mohimi i krimeve, mungesa e ndjeshmërisë për vuajtjet dhe viktimat, si dhe nostalgjia për arritjet e diktaturës, siç u bë e qartë në studimin që OSBE kreu mbi perceptimet për diktaturën në vitin 2016.
Për më tepër, në rastin e Shqipërisë, ashtu si në vendet e bllokut lindor, ka dominuar për 50 vjet një indoktrinim masiv, përmes deformimit apo përdorimit selektiv të evidencave, që ka synuar legjitimimin e sistemit totalitar dhe shtypjen e kundërshtarëve politikë, brez pas brezi. Si përfundim, të vërtetat janë ende pa zbuluar. Historia e shumë të prekurve dhe të përndjekurve nga regjimi ende nuk është thënë e nuk është qartësuar as nga ata vetë. Bashkësitë janë ende në terr për ngjarje të rëndësishme, lidhje shkak-pasojë për to, etj.
Një ndër dëshmitaret e vuajtjeve të kampit të Tepelenës, Gjelë Gjikola që ende jeton, e shprehu me fjalët e saj të zemrës se “Shqipëria është e vogël për t’u parë, por edhe për t’u qarë”. E vërtetë.
A është normale që ende sot të mbetemi kaq të përçarë? Kaq të pandjeshëm për vuajtjet e bashkëqytetarëve tanë? Kaq pak të interesuar për të vërtetat?
Vetëm një studim korrekt dhe një dialog i bazuar në dokumente dhe fakte mund të bëjë të mundur që historia bashkëkohore ’45-’90 e periudhës që kemi në dorë, të mund të kuptohet më mirë.
Ç’është një hulumtim? Është një investigim sistematik dhe studim i një materiali dhe burimi, me qëllim që të tregohen fakte dhe të mbërrihet në konkluzione.
Çfarë është një hulumtues? Dikush që studion një subjekt në mënyrë të kujdesshme, me qëllim që të zbulojë informacion të ri, ose ta kuptojë më mirë këtë subjekt.
Më lejoni të ndaj me ju 3 synime drejt të cilëve po ecim me hapa të shpejtë, pikërisht për t’i shërbyer kësaj kategorie hulumtuesish sistematikë, që bazohen në burime dhe fakte, për të themeluar të vërteta dhe arritur në konkluzione.
Së pari: Në AIDSSH, objektivi kryesor është qasja në dokumentet e ish-Sigurimit, të bëhet sa më e kollajshme, e papenguar dhe e dobishme. Deri më sot: Po identifikojmë dhe mbledhim, përmes negociatave dhe bashkëpunimit me institucionet që kanë dokumente të ish-Sigurimit, MPB, SHISH, Arkivi Qendror i Shtetit, prokurori, degë të rretheve, drejtori të burgjeve, gjykata..të cilat, në masën më të madhe i kanë vënë në dispozicion dhe i kanë dorëzuar ato në arkivin e AIDSSH-së. Po i përpunojmë dhe po i rendisim, në atë mënyrë që të bëhen sa më të dobishme.
Po i deklasifikojmë dhe anonimizojmë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, me qëllim që interesi kombëtar të mbetet i pacenuar nga hapja e arkivave sekrete, por edhe personat të mos riviktimizohen përmes publikimit të thashethemeve dashakeqe që ushqenin urrejtjen klasore.
Po i shërbejmë dokumentet publikut në zyrat tona, në formë të digjitalizuar. Po i publikojmë rast pas rasti, në formë inventarësh, të zbardhura në libër, ose online në faqe zyrtare, apo në media sociale. Po i shoqërojmë me studime të studiuesve, e deri në ekspozita, apo kemi konceptuar edhe muzealizim
Së dyti: Ne në AIDSSH kemi marrë angazhim që të organizojmë sa më mirë bashkëpunimin me viktimat dhe familjet e tyre. Qëllimi është që të dëgjohet edhe zëri i viktimave.
Fakti është që në dosjet e Sigurimit mungon zëri i viktimave. Për ju të gjithë kjo është e qartë se pse. Këto dosje organizoheshin për të shtypur e kontrolluar armiqtë e Partisë. Institucioni i mbrojtjes përmes avokatit mbrojtës nuk ekzistoi. Po shpesh procedurat kanë qenë jashtëligjore. Mjafton të përmend rastin e të internuarve në kampet me tela me gjemba deri në 1954, ku me qëllim të qartë nuk hartoheshin as lista, por kishte vetëm numra.
Qytetarët që afrohen tek AIDSSH kanë shumë për të thënë. Është fakt se dosjet e Sigurimit janë një burim i rëndësishëm për të prekurit, për të qartësuar fatin e tyre në diktaturë, por në të njëjtën kohë, njerëzit nuk janë të reduktuar vetëm në aq sa i ka menduar Sigurimi. Ata kanë versionin e tyre të ngjarjes. Kanë ruajtur dëshmi të rralla, ditarë, arkiva familjare, foto, punime profesionale e artifakte që kanë shumë vlerë për të përcaktuar narrativën e tyre personale apo familjare. E cila, sidomos në rastet e figurave me rol politik, ka rëndësi për të gjithë ne. Për më tepër, ata kanë zërin e tyre, përjetimet e tyre, rrjedhën e ngjarjeve, të cilën studiuesit duhet ta përdorin patjetër, bashkë me materialet arkivore që gjenden për to
Për këtë arsye, AIDSSH, me gjithë mundësitë e veta të pakta, do të mundohet të mbledhë sa më shumë nga zëri i viktimave.
Kështu mori jetë projekti “Edhe Muret Kanë Veshë”, i cili lajmëroi publikun e gjerë brenda dhe jashtë vendit, që dëshmitë e tyre janë të nevojshme dhe që kanë vlerë historike. Botimi i parë i rrëfimeve mbi kampin e Tepelenës doli në qarkullim edhe online dhe shpresojmë në varësi të burimeve të mund ta zgjerojmë këtë aktivitet. Qëllimi ynë është që brezat e rinj që do të interesohen në një kohë që të mbijetuarit nuk do të jetojnë më, të kenë mundësi ta kenë edhe këtë burim.
Së treti: të ndërtojmë partneritete sa më të frytshme me vendet që patën fat të ngjashëm historik me Shqipërinë, me qëllim që të mund të konceptualizojmë sa më mirë punën tonë në shërbim të hulumtuesve dhe publikut, të mësojmë si ta kontekstualizojmë sa më mirë dhe ta tregojmë në mënyrë të tillë që t’i shërbejë publikut të gjerë dhe sidomos rinise që nuk ka përvoja personale mediktaturën, por ka gjithsesi probleme me përballjen e trashëgimisë së Sigurimit dhe diktaturës, në familje apo më gjerë, në përpjekje për të ndërtuar një shtet të së drejtës e demokraci funksionale. Në këtë kontekst, më lejoni të falënderoj për praninë në këtë konferencë të një përfaqësie të nderuar të Rrjetit Europian të Kujtesës dhe Solidaritetit, ku Shqipëria, prej 2016 është vend vëzhgues.
Personalisht, kam fatin ta përfaqësoj Shqipërinë në këtë rrjet të vlefshëm hulumtuesish dhe institucionesh nga vende të ndryshme të Europës Lindore e Qendrore, të cilët, me kurajën e provave dhe fakteve, dhe me disiplinën e racionalitetin e shkencës bëjnë të mundur që historia bashkëkohore e shekullit XX në Europë, që krijoi shumë luftëra e diktatura dhe dëmtoi miliona njerëz, të mund të kuptohet sa më mirë, me të vërtetat në themel, duke ndërtuar një narrativë përbashkuese, të çliruar nga ideologjia, dhe që është në shërbim të paqes e bashkëpunimit mes grupesh shoqërore, etnish, racash dhe vendesh.
Po ashtu, do të falënderoj një emër të nderuar të përpjekjeve për të vërtetën e shekullit XX, z. Lukas Kaminski, që ka pasur fatin të drejtojë Institutin e Kujtesës në Poloni, dhe që mbetet aktiv në këtë fushë, në rrafshin europian.
Falënderime edhe për përfaqësuesit e institucionit homolog në Gjermani, që po ashtu ndajnë me ne eksperiencën gjermane në kampet e punës. Çdo ditë që zbatojmë ligjin për hapjen e dosjeve, që u ndërtua sipas modelit të zbardhjes së STASI-t, admirojmë cilësinë e mendimit që ngërthen ky ligj dhe ky institucion, që e kemi një ndër partnerët kryesorë në punën tonë.
Këta vizitorë të çmuar do të na ndihmojnë që të konceptojmë punën tonë, duke pasur të qartë të përbashkëtat dhe ndryshimet me vendet e tjera të bllokut komunist, qoftë të mënyrës se si funksionoi sistemi, qoftë të mënyrës se si funksionuan kampet, burgjet dhe puna e detyruar. Në bashkëpunim me kolegët më sipër dhe me komunitetin e hulumtuesve në vend, do të mundohemi të ndihmojmë për të ngritur një agjendë kombëtare për kërkimin shkencor dhe përkujtimin, përfshirë këtu edhe objektet e ndërgjegjes, për të cilat është bërë ende shumë pak. Kjo agjendë do të na ndihmojë për t’u fokusuar, përmirësuar bashkëpunimin mes nesh, dhe, e ndihmuar nga puna jonë e vazhdueshme, t’i shërbejë rishqyrtimit të historisë dhe edukimit qytetar.
Kjo agjendë do të na ndihmojë që të lobojmë me qeverinë edhe përmes partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim që të zbatohet sa më shpejt e më mirë, aq më shumë se Shqipëria është e vonuar në këtë fushë.
*Fjala e Dr. Gentiana Sula mbajtur në Konferencën Shkencore Ndwrkombwtare : “Të mohuar nga regjimi, kampet, burgjet dhe puna e detyruar “, nw datat 30-31 tetor 2018 me mbwshtetjen e Fondacionit Konrad Adenauer Tiranë.