“Nëse asnjëri prej nesh nuk është i gatshëm të vdesë për liri, atëherë të gjithë ne do të vdesim nën tirani.” — *Timothy Snyder
I nderuar lexues,
Përballja me të shkuarën komuniste të vendit, e cila shënjoi shkelje të rënda të të drejtave të njeriut gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, përbën objektivin primar të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që prej krijimit dhe funksionimit të tij në vitin 2017. Këtë përballje AIDSSH-ja e kryen përmes qasjes në dokumentet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit dhe ballafaqimit me dokumente nga arkivat të tjera të vendit, dëshmi të të prekurve dhe të mbijetuarve, analizës së historianëve dhe akademikëve të fushave të ndryshme me të cilat ndërthuren problematikat e ngjarjeve të së shkuarës.
Shqipëria u pranua si anëtare e Kombeve të Bashkuara në 14 dhjetor 1955, pas kërkesave të shumta të saj, në të cilat qeveria angazhohej se: “pranonte pa asnjë rezervë të gjitha detyrimet që rridhnin nga Karta e OKB dhe se ishte e gatshme ti plotësonte ato.”[1]
Po kush ishin këto të drejta dhe a i plotësoi qeveria shqiptare ato?
Konventa e të Drejtave të Njeriut të OKB-së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 10 dhjetor 1948, përcakton të drejtat themelore të njeriut, si: e drejta për jetën, lirinë, sigurinë e personit, për t’u mbrojtur nga tortura dhe trajtimi i keq ose të pabarabartë, për liri dhe siguri personale, për mbrojtje nga skllavëria, për të mos u nënshtruar vendimeve arbitrare, paraburgimeve dhe burgimeve të pavlefshme, për liri mendimi, fjale dhe përfaqësimin politik, për të pasur në gjykim të ndershëm, për një nivel të dobishëm të shëndetit dhe trajtim mjekësor.
Kjo konventë përcakton edhe të drejtat që lidhen me dënimin me burg, si : e drejta për të qenë i mbrojtur nga keqtrajtimi fizik ose psikologjik, për të kryer dënimin në kushte njerëzore, të marrë informacion në lidhje me dënimin; të komunikojë me familjen, avokatët dhe autoritetet konsullore, në përputhje me rregullat dhe kufizimet e parashikuara në ligj, për të vizita nga familjarët, miqtë dhe organizatat e drejtave të njeriut, për të kërkuar rivlerësimin e dënimit, për rehabilitim dhe riintegrim në shoqëri.[2]
Pavarësisht sistemit politik, komuniteti ndërkombëtar ka rënë dakord se të drejtat e njeriut janë universale dhe duhet të respektohen nga të gjitha vendet, por të drejtat e njeriut dhe të disidentëve, (individë që kundërshtojnë regjimin), në vende totalitare, si Shqipëri e në vende me sistem të ngjashëm poliktik, ku i diktua censura, presioni dhe përndjekja u shkelën..
Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizata tjera të drejtave të njeriut janë përpjekur të mbrojnë të drejtat e disidentëve dhe të ndikojnë qeveritë totalitare për të ndryshuar praktikat e tyre. Megjithatë, shtetet totalitare, ashtu si dhe Shqipëria nuk i kanë marrë parasysh ato dhe kanë përdorur forcë dhe dhunë për të eleminuar disidencën.
I nderuar lexues,
Në shkurt të vitit 2023, me urdhër të Autoritetit, u ngrit grupi i punës me qëllim përkujtimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të rebelimit ndaj regjimit diktatorial, 50-vjetorit të revoltës të parë të madhe në burgun të Spaçit, më 21 maj 1973. Ajo ishte një kryengritje dyditore e të burgosurve, e cila shkaktoi një tronditje të fortë për institucionet e sigurisë dhe alarmoi udhëheqjen komuniste.
Torturë, dhunë, punë e detyruar dhe e papaguar, kushte të këqija të punës, shfrytëzim skllavërues, keqtrajtim, kequshqyerje, ndëshkime në birucë nën temperaturat -15 gradë Celsius, vdekje nga shembja e galerive, vetëvrasje nga dëshpërimi dhe më pas ridënimet e padrejta me 25 vjet burg, pushkatime me akuzën e kryerjes së të ashtuquajturave akteve terroriste, të gjitha këto janë fjalët kyçe të historisë së Spaçit.
Për të sjellë narrativën e kësaj revolte u shfletuan e studiuan mijëra faqe dokumente arkivore që i siguruan grupit të punës të dhëna për revoltën, protagonistët e saj, rezistencën ndaj dhunës policore, rrethimit nga forca të shumta ushtarake, tanke e helikopterë e më pas shtypjen e revoltës, arrestimin, pushkatimin e katër të burgosurve të cilësuar si më aktivë dhe ridënimin e 66 të burgosurve të tjerë. [3]
Për krijimi i këtij koleksionit arkivor grupi i punës nuk u ndal vetëm në kërkimet e brendshme. Dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit iu shtuan edhe dokumente të tjera, zyrtare, të siguruara në kuadër të bashkëpunimit institucional, nga të cilat mësuam edhe më shumë mbi natyrën e këtij kampi të punës së detyruar.
Thirrjes së ADSSH për të ndriçuar mizoritë në këtë burg politik dhe kamp të punës së detyruar, iu përgjigjën me dëshmitë dhe ekspertizën e tyre profesorët e inxhinierët e minierave, Dr.Viktor Doda, ish-ministër i Energjetikës dhe Minierave, ish-inxhinier në këtë minierë, prof. dr. Kimet
Fetau, pedagog në Gjeologji-Miniera, eksperti i ekonomisë Fran Gjergji nga “Albakër” dhe dr. Femi Sufaj, nëndrejtor i përgjithshëm i burgjeve të cilët na njohën me punën në nxjerrjen e bakrit dhe të piritit, kushtet çnjerëzore, normën e punës dhe të pagesës qesharake, në kontrast të thellë dhe milionat që shteti fitonte nga shfrytëzimi i punës të dënuarve politikë.
Nga ky bashkëpunim AIDSSH siguroi gjetje që nuk ishin bërë publike më parë, si: të burgosurit politikë në këtë kamp ishin një makineri pune që keqtrajtoheshin, kequshqeheshin, keqpaguheshin. Vetëm pasi realizonin mbinormën 100% e punës përfitonin vetëm 10 për qind të pagës së një minatori në kushte të lira pune. Nga puna e të burgosurve siguroheshin të ardhura të konsiderueshme që përdoreshin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Ministria e Financave për investime. Të dhënat që dolën nga arkivat treguan se në vitin 1969 sistemi i minierave nxirrte vetëm 50 mijë tonë bakër, ndërsa në viti 1981 prodhimi u rrit me rreth 200 mijë tonë në vit. Nga kryqëzimi i dokumenteve arkivore, grupi i punës në Autoritet doli në përfundimin se përgjatë 23 viteve Spaçi u kthye në një kamp të punës së detyruar kur 2000 të burgosur politikë kanë prodhuar 2.82 milionë tonë bakër dhe 1.3 milionë tonë pirit, nga të cilat përftohen 2500 kg ar.[4]
Analiza e dokumentacionit arkivor të ish-Sigurimit dhe dokumenteve të tjera zyrtare, dëshmitë gojore autentike të ish-të burgosurve politikë në këtë kamp, si dhe nga komunikimi me institucione lokale, e vendosën AIDSSH-në përpara disa fakteve të reja të ekzistencës të trupave të zhdukur të personave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit.
Kërkimet e bëra në dokumentet e institucioneve, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, vërtetuan faktin se një pjesë e ish- të dënuarve, të ekzekutuar, të vrarë ose të vdekur nga mundimi dhe sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, aksidentet në punë apo në tentativë arratisje ende nuk kanë një varr.
Nisur nga kjo, Autoriteti vendosi nisjen e procedurës së hetimit administrativ për verifikimin e vendvarrimeve të dyshuara dhe qartësimin e fatit të dyzetekatër të zhdukurve, bashkëpunimin me organet e pushtetit lokal për ruajtjen nga tjetërsimi, si dhe bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për rikuperimin e eshtrave të personave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit.
Zhdukjet e varreve, siç është vënë re, kanë pasur dy qëllime: jo vetëm t’u mbyllin gojën kundërshtarëve dhe kritikëve, por gjithashtu të krijonin pasiguri dhe frikë tek të tjerët, për t’i detyruar të heshtnin dhe të mos kundërshtonin autoritetet.
Zhdukjet e varreve janë shkelje e të drejtave themelore të njeriut të deklaruara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UDHR). Për personin e zhdukur, këto përfshijnë të drejtën e lirisë, të drejtën për sigurinë personale dhe trajtimin njerëzor (përfshirë lirinë nga tortura), të drejtën për një gjykim të drejtë, për avokat ligjor dhe për mbrojtje të barabartë sipas ligjit dhe të drejtën e prezumimit të pafajësisë. Viktima janë edhe familjet e tyre, të cilat e kalojnë pjesën tjetër të jetës duke kërkuar informacione për të zhdukurit.
Kuadrin e plotë të historisë së Spaçit e plotësuam me marrjen e mbi 50 dëshmive audio-vizuale të personave që kanë mbijetuar nga dënimi në Spaç dhe familjarëve të atyre që u pushkatuan, por dhe atyre që vuajtën në të. Për Spaçin është folur shumë ndër vite, për të kanë dhënë dëshmi njerëz të njohur të kohës, si Visar Zhiti, poet, ish-ministër, Fatos Lubonja, publicist e aktiv në media, piktori Maks Velo përmes veprave të tij, por AIDSSH-ja u thellua më tej duke zgjeruar rrethin e dëshmitarëve. Zërat e tyre deri dje të heshtura tani janë pjesë e historisë.
Nëpërmjet dëshmive, përmes fatit të familjes dokumentuam luftën e klasave. Dëshmitë e fëmijëve të të ish-të burgosurve në këtë kamp pune tregojnë ëndrrat për arsim të prera në mes, frikën e internimeve të mundshme dhe përballjen me stigmën e “fëmijës së armikut të popullit”.
Leonard Dervish Bejko, i biri i ish-burgosurit Dervish Bejko protagonist i revoltës, i dënuar me pushkatim, në dëshminë e tij tregon për përjetimet e forta, traumatike, të fatit tragjik të rritjes pa baba, me krenarinë e ligjshme për vlerat që figura e tij përçon, por edhe me shpresën kuptimplotë që eshtrat e tij do të kthehen një ditë në familje.
Dëshmitë e tyre do të administrohen me kujdes dhe do t’i vihen në dispozicion çdo studiuesi, në çdo kohë, sipas rregullave të arkivave në Republikën e Shqipërisë dhe vullnetit të qytetarëve që na kanë besuar rrëfimet, përmes marrëveshjes së nënshkruar me intervistuesin. AIDSSH-ja merr përsipër të administrojë dhe të ruajë këto regjistrime me standardin e një arkivi të vyer historik.
Në këtë projekt kujtese, AIDSSH-ja u kujdes të përfshijë edhe nxënësit e shkollave artistike të vendit, në bashkëpunim me Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve përmes zhvillimit të një konkursi kombëtar, për krijimin e një logoje kushtuar 50-vjetorit të Revoltës së Spaçit, me qëllim final edukimin e brezit të ri rreth padrejtësive të së kaluarës dhe nevojës në rritje për respekt ndaj viktimave. Logoja fituese u përdor përgjatë vitit 2023 në komunikimin shkresor zyrtar të Autoritetit dhe është pjesë e këtij botimi.
I nderuar lexues,
Metodologjia e zhvilluar në kuadër të projektit “50 vjet nga Revolta në burgun e Spaçit”, zbatuar nga AIDSSH-ja, me qasjen në dokumentet arkivore, me analizën e burimeve të brendshme, të specializuara të Autoritetit, me përvetësimin e njohurive akademike të ekspertëve të kontraktuar, me realizimin e mbi 50 dëshmive të të mbijetuarve e familjarëve të tyre, me hetimin administrativ për zhdukjet më forcë, analizën e fakteve juridike mbi dënimet e padrejta dhe ridënimet e ashpra që shkelën edhe ligjet e kohës, me dëshmitë mbi keqtrajtimin dhe dehumanizimin, me përfshirjen e të rinjve në procesin e kujtesës përmes krijimit të logos, na solli sot te ky libër kushtuar kujtimit të viktimave të një kohë që s’duhet të vijë më.
Në të do të lexoni për procesin gjyqësor, dënimet politike; rindënimet, punën e papaguar, të pagjeturit, dëshmitë e të mbijetuarve dhe përjetimet e familjarëve.
Ata ishin të gatshëm të vdisnin për lirinë. Luftuan kundër tiranisë nga llogoret e krijuara prej saj dhe vdiqën për të na dhënë leksionin: Bëhu trim, qëndro ndaj tiranisë! sepse siç thotë Timothy Snyder “Nëse asnjëri prej nesh nuk është i gatshëm të vdesë për liri, atëherë të gjithë ne do të vdesim nën tirani.”[5]
Çfarë mësojmë nga e kaluara, çfarë duam të lemë pas ?
Ky libër është një mësim që vjen nga historia e djeshme për shoqërinë e sotme.
Kompensimi i ish-të dënuarve politikë vazhdon të shoqërohet me problematikat e veta, autoritetet në fuqi përgjatë tre dekadave i kanë kushtuar pak vëmendje rehabilitimit psikologjik të ishte dënuarve, zbulimit të së vërtetës, ndjesës publike dhe kujtesës së mirëfilltë. Nëse këto përmirësohen, do të thotë që po hedhim hapa që garantojnë mos përsëritje.
Për AIDSSH-në mbetet gjithnjë sfida e përcjelljes së mesazheve për grup-mosha të caktuara, sidomos ato parauniversitare. Pavarësisht projekteve të shumta me qëllim përmirësimin e mësimdhënies së historisë në shkolla, ende nuk është arritur të nxitet i menduari kritik, empatia historike dhe këndvështrimet e shumëfishta.
Kurrikula zyrtare e historisë, sipas analizës së ekspertes së kontraktuar nga AIDSSH, përgjithësisht shmang diskutimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut të kryera ndaj grupeve të tjera, apo edhe të temave të tjera sensitive, ndaj Autoriteti ka marrë përsipër të vijë me botime të veçanta për revoltën e Spaçit me tekste për këto grup-mosha shkruar nga shkrimtarë për fëmijë që asistohen nga ekspertiza akademike e historianëve më të mirë të kësaj periudhe.[6]
Libri për fëmijë dhe një film i përshtatur rreth ngjarjes dhe historisë janë planifikuar të jenë pjesë e platformës arsimore “Të mësojmë për të shkuarën- burime arsimore të hapura 1944-1991”, e cila synon t’u vijë në ndihmë mësuesve të historisë, me qëllim përcjelljen e ngjarjes tek nxënësit e sistemit parauniversitar. Koleksioni arkivor, dëshmitë, analiza juridike, tregimi për fëmijë do të bëhen pjesë edhe të faqes ueb që përkujton revoltën e Spaçin.
Nëpërmjet këtij ansambli prodhimesh mediatike, mësimore dhe edukuese ne duam të përkujtojmë se si të burgosurit politikë në burgun famëkeq të Spaçit luftuan kundër dënimeve të padrejta, kundër torturës, dhunës, tiranisë dhe t’i bëjmë jehonë një ngjarje historike, viktimat e së cilës ende presin të trajtohen me drejtësi dhe dinjitet. Nga shoqëria priten akte reflektimi të mëtejshme si në drejtim të rehabilitimit të të gjithë ish-të dënuarve, ashtu edhe kthimit të kampit-burg të Spaçit në muze të kujtesës kolektive për të kujtuar se aty janë kryer krime kundër jetës dhe dinjitetit njerëzor.
Dr.Gentiana Sula
Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
[2]https://sq.wikipedia.org/wiki/K%C3%ABshilli_i_Kombeve_t%C3%AB_Bashkuara_p%C3%ABr_t%C3%AB_Drejtat_e_Njeriut
[3] Arkivi i AIDSSH,Dosja ”Objekt i rëndësisë së veçantë Spaç, Reparti i riedukimit nr. 303”; dosja nr. 335, viti 1973, “Disa konkluzione mbi një ngjarje te jashtëzakonshme në repartin e riedukimit të armiqve të popullit në Spaç”; Dosje hetimore – gjyqësore për pesë grupet e të burgosurve që u ridënuan për revoltën, mes tyre dhe të dënuarit me vdekje.
[4] Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist, autor Femi Sufaj (1945-1990)
[5] Timothy Snyder, Autor i “Njëzet leksionet e shekullit XX” historian amerikan i specializuar në historinë e Evropës Qendrore dhe Lindore, Bashkimit Sovjetik dhe Holokaustit.
[6] Mbi përfshirjen në kurrikulat shkollore të arsimit parauniveristar të njohurive mbi krimet e komunizmit”, nga Prof. Dr. Aljula Jubani, studim AIDSSH, 2023