Të nderuar të pranishëm
Është nder i veçantë që hap këtë takim, i cili lidhet me një temë shumë delikate dhe të rëndësishme për të gjithë ne – të drejtat e njeriut në kontekstin e regjimeve totalitare dhe pasojat e tyre në jetën e individëve dhe shoqërisë sonë. Është një rastësi e bukur që në Shqipëri dhjetori shërben për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, si dhe Ditën e Pluralizmit.
Diktatura filloi pikërisht me instalimin e dhunshëm të monizmit, që solli institucione jo inkluzive, të cilat ofronin dy standarde të ndryshme për drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, vendbanimin dhe profesionin. Ishin institucione që ndanë shoqërinë më dysh – “tanët” dhe “jo tanët”!
Siç e analizojnë bukur nobelistët e vitit 2024 në ekonomi, Acemoglu dhe Robinson, në librin e tyre influencues “Pse Bien Kombet: Origjina e Pushtetit, Begatisë dhe Varfërisë,” kjo ndarje hapi rrugën për një zhvillim jo virtuoz, por vicioz, izolues dhe tkurrës, që na vuri përballë një fenomeni të vrullshëm tkurrjeje:
të politikës,
ekonomisë,
privatësisë,
ëndrrave,
numrit të fjalëve,
habitatit,
banesës,
dhomës,
racionit ushqimor,
energjisë që konsumonim,
informacionit që merrnim, gazetave që lexonim, TV që shihnim.
Në këto kohë të vështira që kemi kaluar, analiza e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë diktaturës është thelbësore. Kjo analizë nuk bëhet vetëm për të kuptuar se çfarë ndodhi në të kaluarën, por edhe pse dhe si ndodhi, për të reflektuar mbi pasojat që ato ngjarje kanë lënë në jetën tonë, në organizimin e jetës politike, shoqërore dhe kulturore. Kjo trashëgimi e dhimbshme vazhdon të hedhë hije dhe të ketë ndikim edhe në ditët tona.
Sot, më lejoni të flas për një fenomen të rëndësishëm dhe në rritje që po ndihmon në rifreskimin dhe rishikimin e historisë sonë – lëvizjen për rishqyrtimin e historisë, si një kundërvënie ndaj propagandës dhe censurës që ushqenin historiografinë e diktaturës.
Për shumë dekada, historia jonë është përdorur si një mjet manipulimi, ku e vërteta është shndërruar në armë për të mbështetur një narrativë që shërbente interesave të regjimit dhe më pas politikës. Kjo historiografi e deformuar jo vetëm që ka cenuar kujtesën tonë kolektive, por ka krijuar gjithashtu një perceptim të pasaktë të identitetit tonë si shoqëri. Prandaj, lëvizja e sotme për rishqyrtimin e historisë është një iniciativë që synon të ndriçojë të vërtetat e fshehura, duke sfiduar atë që ka qenë deri më tani.
Kam hasur një debat ku kjo trashëgimi konsiderohet si mit, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si dezinformim.
Unë do ta konsideroja këtë trashëgimi të deformuar si dezinformim, dhe më e rëndësishmja, lëvizjen e shoqërisë sonë për të riparuar këtë histori si një akt të jashtëzakonshëm kuraje dhe integriteti. Kjo lëvizje është një hap i guximshëm drejt të vërtetës, një përpjekje për t’u shkëputur intelektualisht nga e pavërteta dhe për të ripërtërirë kujtesën tonë kolektive me fakte dhe dëshmi.
Duke u angazhuar në këtë proces, ne jo vetëm që shkruajmë mbi të kaluarën, por gjithashtu krijojmë një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të ndershme. Ne po frymëzojmë brezat e ardhshëm të kuptojnë se historia nuk është vetëm e shkruar, por gjithashtu ndërtohet; dhe ata kanë fuqinë për të nxjerrë në pah të vërtetat e fshehura dhe për të rikuperuar dinjitetin e viktimave.
Kjo lëvizje është një shenjë e një shoqërie që kërkon të riparojë dhe të maturojë marrëdhëniet me të kaluarën. Një shoqëri që është e gatshme të përballet me realitetin e saj dhe të angazhohet për një proces të vështirë, por thelbësor, të shërimit të plagëve historike.
Pse jo një lëvizje për t’u shkëputur moralisht nga:
dhuna shtetërore ndaj të pafajshmëve,
injorimi i të drejtave të njeriut,
proceset e një drejtësie moniste,
politizimi i skajshëm i institucioneve,
cenimi i jetës private për qëllime politike,
përçarja e shoqërisë për shtypjen e kundërshtive ideologjike,
puna skllavëruese dhe detyruese,
mungesa e mëshirës dhe e empatisë?
Le të vazhdojmë të mbështesim këtë lëvizje dhe të punojmë për krijimin e një mjedisi shoqëror dhe institucional:
ku e vërteta ka vend,
ku historia shërben si mësues dhe udhëheqës për ne të gjithë, dhe
ku njerëzorja triumfon.
Faleminderit! *Fjala e kryetares në aktivitetin celebrues të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut Në emër të njeriut”.