*Fjala në konferencën vjetore të Rrjetit Evropian të Institucioneve përgjegjëse për Arkivat e Policive Sekrete të Evropës Lindore dhe Qendrore (3-5 tetor,2025 Tiranë).
Zonja dhe zotërinj të nderuar,
-Më lejoni të filloj duke ju mirëpritur në këtë konferencë vjetore të Rrjetit Evropian të Institucioneve përgjegjëse për Arkivat e Policive Sekrete të Evropës Lindore dhe Qendrore. Është një nder i madh për ne që kemi këtu sot kryetaren e Komisionit të Ligjeve në Parlamentin e Shqipërisë, znj. Klotilda Bushka, si dhe Ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, z. Karl Berger.
Mbledhja jonë këtë vit vjen në një kohë kur demokracia dhe paqja në botë janë të kërcënuara. Në këtë kontekst, puna jonë e përbashkët për t’i dhënë zë të kaluarës së errët të regjimeve totalitare përndjekëse merr një rëndësi jetike. Kjo është një përgjegjësi e madhe që bie mbi supet tona.
Sot bashkohemi në një moment kritik, kur vlerat evropiane dhe euroatlantike të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut përballen me sfida të mëdha. Pamë ndër vite se si injoranca dhe mospranimi i së kaluarës së errët mund të sjellë pasoja të rënda, siç po ndodh aktualisht në Ukrainë.
Duke u mbledhur këtu, ne riafirmojmë angazhimin tonë të pandalshëm për të zbardhur arkivat e trashëguara nga ato regjime. Kjo nuk është thjesht një çështje teknike, por është një mision i rëndësishëm për të ndërtuar një kulturë të përkujtimit. Kjo kulturë e përkujtimit është thelbësore jo vetëm për vendet tona, por për të gjithë botën, për t’i dhënë fund injorancës së së kaluarës dhe për të parandaluar përsëritjen e errësirës së diktaturave.
Në këtë konferencë, ne do të ndajmë me njëri-tjetrin sfidat dhe arritjet tona. Do të diskutojmë mënyrat më efektive për t’i sjellë në dritë ato arkiva, për t’i bërë ato të aksesueshme për publikun dhe për t’i përdorur ato si mësime të rëndësishme për të ardhmen. Vetëm duke punuar së bashku, duke ndërtuar partneritete dhe përkushtuar burimet tona, mund t’i japim drejtësi të vërtetë viktimave dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.
Përkon kjo mbledhje me përvjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, një ngjarje historike që i hapi rrugë ndryshimeve për liri dhe të drejta njerëzore në vendet tona. Kjo na kujton se sa e brishtë mund të jetë demokracia dhe se sa shumë kemi për të mësuar nga e kaluara.
Në këtë kontekst, dua të mirëpres në mënyrë të veçantë anëtarin më të ri të këtij rrjeti – Ukrainën. Ukraina po përballet me sfida të tmerrshme, të cilat rrjedhin nga injoranca dhe mosballafaqimi me krimet e një sistemi gjakatar si ai i ish-Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë.
Le të angazhohemi përsëri për këtë mision të rëndësishëm dhe le të fillojmë punimet e kësaj konference. Faleminderit!
*Fjala në konferencën vjetore të Rrjetit Evropian të Institucioneve përgjegjëse për Arkivat e Policive Sekrete të Evropës Lindore dhe Qëndrore (3-5 tetor,2025 Tiranë).