Kamera e emisionit Prime Time dhe gazetari Christos Nikolaidis udhëtuan në Shqipëri për të dokumentuar të kaluarën e errët të diktaturës komuniste. Nga kampi famëkeq i Spaçit, ku të burgosurit politikë u torturuan në mënyrë çnjerëzore, deri në Tiranë – në ambientet e Autoritetit të Dosjeve – ku të mbijetuarit përballen me dosjet e tyre dhe të familjarëve, të mbushura me akte të pabesueshme survejimi dhe dhune.
Një nga historitë më prekëse është ajo e Kristo Canos – i cili për herë të parë zbulon dosjen e vet, të babait dhe të vëllait. Ai rrëfen vuajtjet e familjes së tij, torturat, presionet për të bashkëpunuar me Sigurimin, refuzimin për të gënjyer dhe për të tradhtuar të tjerët.
“Nëna më tha: ‘Aman bir, se mund të mbetesh pa fëmijë nga torturat’, por nuk pranova. Sot kam fëmijë dhe jam i lumtur. Paraja nuk është asgjë – mua më duhet vetëm mirësia te njerëzit.”
Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit të Dosjeve, i prezantoi Kristo Canos dokumentet e tij, duke shpjeguar me imtësi se çfarë thuhet në të dhe për gazetarin shpjegoi kush ishte “armiku i popullit” në komunizëm, si ndërtoheshin dosjet, çfarë përmbanin dhe ku qëndronte sekreti i këtyre dokumenteve – që edhe sot vazhdojnë të tronditin ndërgjegjen shoqërore.
E shoqëruam ekipin e gazetarëve në sallat arkivore ku në mijëra dollapë metalikë, fle jeta e ish-të burgosurve politikë – tashmë të deklasifikuara – që regjimi kishte hartuar kundër tyre.
Në faqet e zverdhura të tyre, ata lexojnë akuzat që u ishin ngritur, të bazuara në dëshmi të paqëndrueshme të informatorëve – bashkëfshatarë, miq apo edhe të afërm.
Tridhjetë e pesë vite pas fillimit të fundit të regjimit komunist në vendin fqinj dhe dyzet vite pas vdekjes së Enver Hoxhës, kamera e emisionit nga televizioni Sky në Greqi, ndjek ish të denuarit politik nga një moment në tjetrin, bashkë me rrëfimin e tyre si u gjetën në izolim, pas dyerve të rënda prej hekuri, më pas në ferrin e Spaçit – kampin famëkeq të asgjësimit të të burgosurve politikë, ku iu nënshtruan torturave çnjerëzore.
Ky dokumentar është një thirrje për reflektim, drejtësi dhe kujtesë historike.
Ju ftojmë ta ndiqni dhe ta ndani
Lexo lajmin e plote duke klikuar këtu.