Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

NJË VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI EUROPËN LINDORE KOMUNISTE

Msc. Enxhi Beka

Ky nuk ishte gjë tjetër veçse epitafi i së ardhmes, apo siç mund ta konsiderojmë ndryshe profecia Orwelliane e 1984-ës, e cila mbetet simbolika më e fuqishme e kritikës së universit totalitar. Terma të tillë si: gjuha e re, krim- mendim, Vëllai i Madh, joperson, apo mendimi i dyfishtë, i cili në vetvete nuk është gjë tjetër veçse aftësia për të mbajtur në mendje dy mendime të kundërta njëkohësisht dhe ti aprovosh të dy[1], nuk do të ishin gjë tjetër veçse pjesë e fjalorit të ri totalitar. Po çfarë ishte totalitarizmi dhe pse në sistemet totalitare, duhet të posedoje një mendim të dyfishtë? Përse duhet të ekzistonte i ashtëquajturi Vëllai i Madh? E përse duhet të krijohej një Njeri i Ri? Në fund të fundit, mbi cilat mekanizma ngrihet një shtet totalitar? Totalitarizmi konsiderohet si një fenomen historik me tipare të papërcaktuara, dhe përkufizimi terminologjik, por edhe studimi shkencor i tij has në vështirësi. Poliakov, është i mendimit se vetë termi “totalitarizëm” mbart brenda vetes një ngarkesë të rëndë emocionale. Një tjetër ndërlikim vjen si pasojë e karakterit që mori totalitarizmi në vendet që u aplikua si sistem. Sipas, Friedrich dhe Brzezinski diktatura totalitare i ngjan formave më të vjetra të autokracisë.[2] Konkretisht në Evropë, pas Luftës së Parë Botërore një numër i madh luftëtarësh të vjetër filluan t’u vënë veshin me vëmendje doktrinave nihiliste dhe thirrjeve për dhunë, që ngrinin në qiell të drejtën e më të fortit.[3] Në Rusi u nxitën proletarët e të gjitha vendeve duke shfaqur kështu, rrezikun e një përmbysjeje revolucionare të klasave të privilegjuara. Rasti gjerman do të ishte i ndryshëm nga ai rus, për shkak të disfatës që pësoi tradita kombëtare më 1918.Nazistët e panë me vend që të rindërtonin botën sipas kritereve biologjike apo “teozoologjike”, për të mirën e “racës së tyre”. Krimet e Rajhut të III arritën përmasa të pabesueshme, kryesisht me programin e eutanazisë, që u konsiderua si një autogenocid. Për herë të parë termi totalitarizëm përdoret nga Musolini, në tetorin e vitit 1922. “Gjithçka për shtetin, asgjë jashtë shtetit”[4] shprehej Musolini, duke deklaruar se shteti do të ishte totalitar. Termi totalitar kishte kuptim nderues ndaj shtetit në këtë kohë, por vetëm më pas ky term mori një tjetër kuptim.

Në vitin 1965, filozofi dhe politologu Raymond Aron shkruajti mbi totalitarizmin, duke analizuar kështu pesë elemente kryesorë identifikues të tij, të cilat janë si më poshtë:

Së pari, fenomeni totalitar shfaqet në atë regjim, që i jep një partie të vetme monopolin e veprimtarisë politike. Në këtë mënyrë, partia monopolizon pushtetin, duke mos lejuar kështu ekzistencën e asnjë force tjetër poltike. Ka vetëm një parti në pushtet dhe asnjë rivale tjetër ekzistuese në jetën e saj politike.

 Së dyti, partia monopoliste mbështetet në një ideologji, që për rrjedhojë bëhet e vërteta zyrtare e shtetit. Ideologjia ishte e vërteta e padiskutueshme, që duhet të përqafohej nga e gjithë popullsia, askush nuk kishte të drejtë ta mohonte atë.

Së treti, për të përhapur ideologjinë shteti merrte përsipër monopolin e mjeteve të forcës, si dhe atë të “lavazhit të truve”. Tërësia e mjeteve të masmedias, radioja, televizioni, shtypi drejtohen dhe komandohen nga shteti dhe nga ata që e përfaqësojnë.[5] E gjitha kjo nënkuptonte se Partia kishte monopolizuar gjithçka, madje dhe vetë jetën e përditshme të shtetasit të tij.

Së katërti, shumica e veprimtarive ekonomike dhe profesionale i nënshtrohen shtetit, pra në një farë mënyre janë pjesë përbërëse e tij. Kjo do të thoshte se veprimtaritë kryesore ekonomike, dhe profesionale, merrnin ngjyrime të vërtetës zyrtare.

Së pesti, që nga çasti që çdo veprimtari është shtetërore dhe i nënshtrohet ideologjisë, një gabim i kryer në një aktivitet ekonomik apo profesional është njëkohësisht edhe një gabim ideologjik[6]. Panorama, e cila ofrohej ishte ajo e policentrizmit të shoqërisë, nën një terror policor, por edhe atë ideologjik, për ta mbajtur individin nën kontroll.  Pikërisht, të pestë këto elemente të konstatuara nga Raymond Aron, na ofrojnë një panoramë të përgjithshme mbi mënyrën sesi ishte ndërtuar një shtet totalitar dhe sesi “operonte” që në tërësi këto elemente përbëjnë mekanizmat e funksionimit të tij.

Hapi i parë në vendosjen e totalitarizmit komunist ishte sanksionimi i rolit të vetëm udhëheqës dhe drejtues i Partisë Bolshevike në qeverisje. Si çështje jetike Lenini nuk shihte marrjen e pushtetit, por mbajtjen e tij në vazhdimësi. Duke likuiduar partitë e tjera politike, rrjedhimisht u realizua ekzistenca e një partie dhe sundimi njëpartiak çka bën që partia të shndërrohet në parti-shtet.

Hapi i radhës në konsolidimin e komunizmit ishte insitucionalizmi i terrorit të kuq. Policia sekrete ÇEKA, u formua më 1927 dhe ishte nën drejtimin e drejpërdrejtë të kreut të partisë. Kjo polici sekrete, konsistonte në likuidimin e “armiqve të revolucionit”.Armiq konsideroheshin të gjithë ata persona që shfaqnin edhe dyshimin më të vogël për regjimin komunist. Konkretisht, terrori u zbatua ndaj borgjezisë, çifligarëve, intelektualëve “të vjetër”, pra persekutimi nuk kryhej mbi bazën e gjykimit juridik individual, por mbi bazën e përkatësisë klasore.

ÇEKA, ekzekutonte njëmijë veta në muaj[7] dhe vuri në funksion edhe kampin e parë të përqendrimit.  Krahas sundimit njëpartiak dhe fillimit të terrorit del në pah realizimi i kultit të udhëheqësit dhe pse kjo e fundit realizohet plotësisht me Stalinin. Stalini e realizoi kultin e individit në sajë të eleminimeve politike dhe fizike të rivalëve për pushtet, dhe mbështetjes në policinë sekrete. Së fundmi, ndihmesë në realizimin e kultit të individit ishte besnikëria e padiskutueshme që shfaqin mbështetësit ndaj Udhëheqësit në postet drejtuese në parti e në shtet.

Vozhdi e përdori me mjeshtëri ideologjinë marksiste-leniniste, si një ideologji e “të vërtetave të pagabueshme”. U paraqit si vazhduesi besnik i mësimeve leniniste, duke përdorur kështu aftësitë e tij në sajimin e “armiqve”,  ndaj atyre që nuk shfaqnin qëndrime të nënshtruara, të përulura dhe servile, të cilët akuzoheshin si “deviatorë”.

Kolektivizimi i bujqësisë ishte masa e parë në historinë botërore që tregoi se si shteti, iu kundërvu shtetasve të vet, provokoi rënien e prodhimit, urinë dhe realizoi në mënyrë masive eleminimin e një numri mjaft të madh shtetasish[8]. Më 1930 Stalini realizoi atë që njihet në histori si “Spastrimi i Madh”. Terrori u shoqërua me organizimin e gjyqeve “show”, ku të akuzuarit pranonin “faje” të sajuara dhe çdo gjyq mbaronte me ekzekutime. Rezultati i terrorit ishte krijimi i frikësimit masiv[9]. Me frikësim masiv nënkuptohej frika nga organet e partisë, të qeverisë e të sigurimit, rrjedhimisht kjo çonte në shfaqjen e servilizmit. Frika nga njëri-tjetri, arrinte deri aty sa për njeriun që kishe përballë vetes ngrije çdo dyshim nëse ky ishte apo jo në shërbim të sigurimit. Pra, njerëzit u shmangeshin bisedave të lira, duke i privuar kështu nga një komunikim thjesht i përditshëm e për pasojë e gjithë kjo shfaqje kontribuonte në fenomenin e asocializimit.

Pasojë tjetër ishte dyzimi i personalitetit, çka nënkuptonte se mendimi nga e shprehura ishin në përpjestim të zhdrejtë me njëra-tjetrën. Shpifjet ishin pjesë e jetesës nën totalitarizëm,dhe ku për të treguar besnikërinë e tyre, njerëzit nuk bënin gjë tjetër veçse kallëzonin njëri-tjetrin. Në tërësi të gjitha këto mekanizma nuk bënin gjë tjetër veçse fabrikonin një frikë të vazhdueshme.

Një tjetër model sistemi totalitar ishte dhe fashizmi. Fashizmi u pozicionua kundër komunizmit, në aspektin që ky i fundit synonte krijimin e “shoqërisë së re komuniste”, por huazuan elementë të tij. Ata huazuan manipulimin politik dhe social të popullsisë. Kauza e fashizmit u lidh me krijimin e partisë fashiste si një parti e tipit të ri. Madhështia e kombit-shtet ishte ajo që spikaste. Kombi, shteti dhe populli ishin mbi gjithçka tjetër. Në themel të fashizmit shteti ishte absolut, duke bërë kështu të njohur moton e tij: “Çdo gjë për shtetin asgjë kundër shtetit, asgjë jashtë shtetit”.

Ndryshe nga fashistët në Itali, nazistët në Gjermani synuan që të vendosnin nën kontrollin e tyre total të gjitha institucionet e pavarura dhe çdo aspekt të jetës. U ndalua që kleri të trajtojë çështje që lidheshin me shtetin, nazistët nxitën lëvizjen pagane me adhurimin e perëndive të vjetra teutone[10]. Viti 1935, shënoi fillimin e terrorit dhe frikësimit masiv. Shkollat kishin si detyrim indoktrinimin e të rinjve me nacionalizmin ekstrem, militarizmin, antiliberalizmin dhe antisemitizmin. Si pasojë e këtyre masave, iu dha fund autonomisë dhe lirisë akademike të universiteteve. Pjesë e kësaj politikbërje të re ishte edhe propaganda, e realizuar me anë të organizimit të ceremonive madhështore, përmes së cilave synohej të përcillej ndjesia e sakrificës deri në vetëmohim për udhëheqësin. Shteti totalitar nazist, ndryshe nga shteti komunist dhe ai fashist u krijua, pa “përmbysur” jetën e përditshme të shumicës së popullsisë gjermane.[11]

E megjithatë, emëruesi i përbashkët i sistemeve totalitare mbetet padiskutim, kontrolli i plotë i jetës së përditshme të qytetarëve, por edhe të gjitha derivatet që lindin nga ky kontroll të tilla si: dhuna, terrori, propaganda që për pasojë do të krijonin një klimë psikoze, dyshuese dhe të gënjeshtër.

Pikërisht, dhuna dhe terrori do të dyzonin personalitetin dhe mendimet e individit. Çdo aspekt i jetës së përditshme ishte nën kontrollin e udhëheqësit, apo sikundër e cilëson Orwelli të “Vëllait të Madh”, ai ishte “syri” që vëzhgonte gjithçka. Autorët, Friedrich dhe Brzezinski analizojnë se regjimet totalitare janë historikisht të reja, gjë që do të thotë që qeveri si diktaturat totalitare nuk kanë ekzistuar asnjëherë, edhe pse kanë një ngjashmëri me autokracinë e së kaluarës.[12]

E rëndësishme për tu nënvizuar mbetet fakti që sistemet fashiste, por edhe ato komuniste vijnë si përgjigje të një serie krizash, që do të thotë se ato janë forma të qeverive të krizës. Diktaturat totalitare shfaqen si një sistem rregullash për të realizuar qëllimet e tyre totale nën politika moderne dhe kushteve teknike si një tip i një autokracie të re[13].

Në thelb të sistemeve totalitare mbetet krijimi i “Njeriut të ri”. Teoria ideologjike ose antropologjike e totalitarizmit konsistonte në përpjekjen që bënte regjimi për të transformuar dhe rimodeluar qëniet njerëzore, nën kontrollin dhe ideologjinë e tij. Pikërisht, krijimi i “Njeriut të Ri”, vinte si pasojë e një mekanizmi shumë të sofistikuar, me anë të së cilit synohej krijimi i një shoqërie uniforme. Kjo shoqëri do të ishte nën optikën vëzhguese të një qeverie totalitare, nën optikën e një Vëllai të Madh, ku me anë të makinerisë së saj praktikonte pikërisht “shpëlarjen e trurit”, e si pasojë kultivoi atë që Orwell e quan në librin e tij 1984, mendimi i dyfishtë. Njeriu u krijua që të bëhet një fillim dhe ky fillim garantohet nga çdo lindje e re[14]. Pikërisht instalimi i sistemeve totalitare u pa nga liderët e tyre respektivë si një lindje e re.

Konkretisht, satiriku disident Zinovjev fliste për ekzistencën e një njeriu të ri sovjetik. Ky njeri i rie ndiente veten mirë në atë sistem. Ai sistem i garantonte jetesën dhe sigurimet shoqërore të përgjithshme në një nivel modest real, një shoqëri barazitare nga ana sociale dhe ekonomike[15]. Propaganda shihej si pjesë e pandarë e “luftës psikologjike”, ndërsa terrori përdorej nga regjimet totalitare edhe kur synimet e tij psikologjike ishin arritur. Propaganda me fjalë të tjera, ishte një instrument dhe ndoshta më i rëndësishmi i totalitarizmit, ishte vetë thelbi i formës së tij të qeverisjes.[16]

Qëllimi përfundimtar i totalitarizmit ishte paranoja. Këtë epokë, disidenti dhe njëkohësisht Ish- Presidenti i Republikës Çeke Vaclav Havel e konsideronte si epokën e çrrënjosjes së njeriut nga humbja e kuptimit të botës. Kjo ideologji sipas tij ushtronte medoemos një ndikim të veçantë hipnotizues. Ja shembulli konkret sesi mund të kuptohej kjo ideologji. Supozojmë se njeriut endacak regjimi  i ofronte një “shtëpi” për të cilën ai paguante një çmim të lartë, çmimi ishte heqja dorë nga arsyeja, nga ndërgjegja e përgjegjësia e tij dhe delegimi i tyre në duart e superiorëve.[17] Proverbi i vjetër se të varfërit dhe të shtypurit nuk kanë asgjë, përveç prangave të tyre, nuk zbatohej më për njeriun e masës, sepse ata humbin shumë më tepër se zinxhirët e varfërisë, kur ata humbin interesin për mirëqenien e tyre.[18]

Kur analizon sistemin totalitar, autorja H. Arendt në librin e saj Origjinat e Totalitarizmit, vë në dukje se mënyra e dominimit të totalitarizmit është nëpërmjet terrorizmit të qenieve njerëzore nga brenda, duke mos lejuar ekzistencën e një personaliteti. Në mënyrë krejt të pakuptueshme, dhuna, terrori, por edhe pagabueshmëria e liderit i vishte këtyre sistemeve totalitare petkun fetar. Sistemi kishte nevojë për besimtarë të devotshëm, dhe për ithtarë të përhapjes së saj. Në të kundërt sistemi aplikonte vdekjen dhe jo bindjen.

Gaetano Mosca, i cili është një nga themeluesit e shkencës politike, e sheh ideologjinë totalitare si një ideologji fetare, sakrale dhe pikërisht kjo ideologji do të ishte një metodë, apo siç shprehet konkretisht Mosca, një marifet i pastër që do të prodhonte një sendërgjim mitesh, simbolesh dhe ritesh e zbatuar me vetëdije për arsye propagandistike. Të gjitha këto elemente, nuk na orientojnë në asnjë terminologji tjetër veçse në atë të një sekti fetar.

Sektet fetare dhe partitë politike veprojnë në të njëjtën mënyrë, dhe me kusht që ndjekësit e tyre të jenë besnikë ndaj flamurit, të mbulojnë e justifikojnë mbrapshtitë me të këqija, befas për ta tjetërsohet kushdo që mban një rrobëveshur.[19] Të njëjtën formë interpretimi paraqiste dhe Guglielmo Ferro më 1942, duke e analizuar sakrilizmin e politikës si një formë legjetimimi të pushtetit, e cila ishte e mbështjellë sipas tij më një zell gati fetar, që e lartësonte atë.

Në këtë mjedis historik, masat e panë padiskutim të nevojshme të besonin në një fe të re, në një fe ku propagandohej vazhdimisht për barazi dhe për një botë më të mirë. Pra, siç e kemi vënë në dukje, terreni i këtyre sistemeve ishte instalimi i tyre në kohë krizash dhe përpara masave ato shfaqeshin si shpëtimtarët, apo Mesia e epokës moderne, edhe pse barazia apo ndërtimi i një bote më të mirë do mbetej thjesht utopike. Sistemet totalitare, kërkonin të shkatërronin atë që njeriu kishte më fisniken, instiktin e lirisë. Ata e dënonin njeriun me fatin e skllavit.[20]

Nga ana tjetër studiuesi dhe militani socialist Henri De Man, fenë e re kolektive ia atribuonte “nevojës psikologjike” të masave për fe.  Lindi në këtë farë mënyrë miti i ripërtëritjes me anë të politikës, miti i “njeriut të ri”, miti i popullit të përzgjedhur krijues institucionesh të reja, që do ti sillnin botës shpëtimin.[21] Totalitarizmi ndërtonte kampe përqendrimi, si laboratore speciale për të çuar deri në fund eksperimentin e tij në dominimin total.[22]

Profesori i Drejtësisë Joseph Delos, më 1939 e shihte sistemin totalitar si një kërcënim me tipare esenciale të sakralitetit, si një fuqi të madhërishme, magjepsëse, por edhe të tmerrshme. Ndër të tjera Prof. Delos thekson madhështinë e këtij revolucioni të drejtuar me dorë të hekurt, për ta transformuar shoqërinë dhe për ta rindërtuar sipas një modeli të ri, i cili sa madhështor, ishte edhe aq tmerrues.[23]

Do të ishte e vështirë të kuptohej historia e feve të politikës duke injoruar rolin, politik e mitik, që kanë luajtur liderët karizmatikë, duke ngjallur rreth vetes entuziazëm, pasion, të besuarit e përkushtim, domethënë qëndrime tipike të lëvizjeve fetare.[24] Për të njohur më mirë figurën e liderit në sistemet totalitare, duhet patjetër të njihemi me mënyrën sesi kjo figurë ishte projektuar, duhet patjetër të njihemi me rolin që zotëronte Vëllai i Madh.


[1] Po aty, 18.

[2] Carl Friedrich & Zbignieë Brezezinski, Totalitarian Dictatorship and Autocracy, (Harvard University Press, 1965), 19.

[3] Leon Poliakov, Totalitarizmat e shekullit XX, (Tiranë: Përpjekja, 2010), 9.

[4] Poliakov, Totalitarizmat e shekullit XX, 20.

[5] Po aty, 7.

[6] Po aty, 8.

[7] Grup Autorësh, Historia Bashkëkohore, (Tiranë: Albatros, 2009), 67.

[8]  Po aty, 78.

[9] Po aty, 84.

[10] Po aty, 113.

[11] Po aty, 115.

[12] Friedrich &  Brzezinski, Totalitarian Dictatorship and Autocracy, 23.

[13] Po aty, 17.

[14] Hannah Arendt, Origjinat e Totalitarizmit, (Prishtinë: Dija, 2002), 609.

[15] Eric Hobsbaëm, Epoka e Ekstremeve. I rrëmbyeri i shekull i njëzet 1914-1991, ( Çabej, UET Press, 1997), 397.

[16] Arendt, Origjinat e Totalitarizmit, 444.

[17] Vaclav Havel, Pushteti i të Papushtetshmëve, (Tiranë: Helga’s Secrets, 2015), 12.

[18] Arendt, Origjinat e Totalitarizmit, 409.

[19] Emilio Gentile, Fetë e Politikës. Mes demokracive dhe totalitarizmave, (Tiranë: Pika pa Sipërfaqe, 2017), 44.

[20] Francois Furet, E shkuara e një Iluzoni, esse mbi idenë komuniste në shekullin XX, (Pejë: Shtëpia botuese Dukagjin, 2003), 471.

[21] Gentile, Fetë e Politikës, 85.

[22] Arendt, Origjinat e Totalitarizmit, 500.

[23] Gentile, Fetë e Politikës, 164.

[24] Po aty, 268.

MAKS VELO, ZËRI I ATIJ QË KLITH NË SHKRETI

Ju ftojmë të lexoni artikullin reflektues të Dr. Albert Nikollës, anëtar i Autoriteti Dosjeve kushtuar veprës së arkitektit dhe shkrimtarit Maks Velo, me fokus në librin e tij tronditës Betonizimi