Sot, Autoritetin e vizituan studentët e historisë, të shkollës verore “Historia Gojore”, shoqëruar nga Prof. Asoc. Dr. Enriketa Pandelejmoni, pedagoge e historisë, Universiteti i Tiranës.
Të interesuar të mësojnë më shumë mbi misionin e institucionit dhe sfidat e tij, procesin e mbledhjes së dëshmive gojore, ruajtjen dhe përdorimin e tyre, studentët ndoqën me vëmendje diskutimin e ekspertëve që punuan mbi realizimin e projektit në kujtim të 50 vjetorit të Revoltës së Spaçit, “Gjurmë qëndrese dhe solidaritetit”, si dhe ndoqën dëshminë e Musa Hoxhës, ish-i burgosur në Spaç, në moshën 22 vjeçare.
Gjatë vizitës studentët u njohën edhe me arkivin e dokumenteve të Ish-Sigurimit të Shtetit, historikun e krijimit të tij dhe kalimin në administrimin e Autoritetit.
Në fund të takimit studentëve iu shpërndanë librat që lidhen me dëshmitë gojore, të mbledhura në kuadër të projekteve të zbatuara nga Autoriteti në vite, për të internuarit dhe të zhdukurit në komunizëm.














