Tepelenë, 23 gusht 2024 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Regjimeve Totalitare, në ish-kampin e Tepelenës u zhvillua pelegrinazhi i përvitshëm për të kujtuar viktimat e internimeve dhe dëbimeve gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë aktivitet morën pjesë anëtari i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, z. Gjergj Marku, të cili iu bashkua edhe z. Ethem Fejzollari, Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, z. Malo Sadikaj, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste Tepelenë, si dhe shumë vuajtës e ish-të internuar të kampit, familjarë dhe të afërm të tyre. Në fjalën e tij, z. Gjergj Marku foli për internim-dëbimet në Shqipërinë komuniste dhe historinë e kampit të Tepelenës, të cilin e cilësoi si “një plagë të hapur të kujtesës kombëtare”. Ai theksoi se ky kamp mbetet simbol i vuajtjeve çnjerëzore, ku mbi 1500 familje u përqendruan në kushte ekstreme dhe ku vetëm në vitin 1950 humbën jetën mbi 280 fëmijë nga uria dhe sëmundjet.
“Është detyra jonë të mos lejojmë që historia të harrohet apo të shtrembërohet. Tepelena duhet të kthehet në një vend kujtese dhe edukimi për brezat e rinj”, u shpreh Marku. Kampi i Tepelenës, i ngritur në vitin 1949, është përmendur edhe në dokumentet ndërkombëtare si shembull i shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut gjatë diktaturës komuniste dhe mbetet një nga simbolet më të dhimbshme të internimeve në Shqipëri.
#kampiiTepelenes #GentaSula #Përkujtim#23gushti#DitandërkombetarëeViktimavetëTotalitarizmit#MesojmengaeKaluara





