Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Për fëmijët tanë, kërkimi i të pagjeturve dinjiteti ynë

Nga Gentiana Sula

  • Nga arkivat te gërmimet, rruga për llogaridhënie historike

E ndiej peshën e kësaj dite dhe e përjetoj fort. Nga një anë ndjehem shumë mirë që ka një prezencë kaq të lartë. Shikoj fytyra miqsh, dashamirësish e veprimtarësh të kujtesës, të cilët prej vitesh kanë dhënë shumë.

Më vjen mire për këtë prani,  sepse ka pasur një kohë kur këto aktivitete ishin të vogla, të rrudhura dhe të ndara sipas preferencave politike apo bindjeve. Ajo që ndodh sot në këtë simpozium është se shohim gjithë spektrin politik, gjithë hierarkinë shtetërore të niveleve të larta dhe pjesëmarrjen e shoqatave të të përndjekurve politikë të Shkodrës me aq shumë histori.

Pesha e kësaj dite më vjen nga përballja me faktet. Ne, si institucion relativisht i ri, me shumë kolegë nën 30 vjeç, çdo gjetje që kemi nxjerrë nga arkivat na ka entuziazmuar në kuptimin e kërkimit të së vërtetës. Na ka entuziazmuar të shohim dokumentime, fakte, për t’ia thënë të vërtetën në sy publikut.

Por dokumentari që shoqëroi hapjen e këtij eventi – “Në përkujtim të 16 qershorit 1990, mbi demonstratën e parë antikomuniste në Shkodër” – tregoi se të vërtetat historike i keni ditur gjatë gjithë kohës që nga viti ’90 e deri më sot, por ato nuk kanë shkuar aq larg kur vjen puna për atë që ne e konsiderojmë llogaridhënie historike dhe shërim të plagëve të së kaluarës.

Prandaj ndjehem kokulur si kryetare e Autoritetit, përballë kërkesave për kërkim dhe kthimin e trupave të të pagjeturve, veçanërisht në zonën e Shkodrës, e cila mban numrin më të lartë të të përndjekurve politikë, të vrarëve dhe të dënuarve me vendime penale me vdekje, për të cilët ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Puna jonë është e madhe, megjithatë përballet me pengesa.

AIDSSH ka ecur përpara me miratimin e protokolleve të kërkimit dhe gërmimit. Më vjen mirë që në shtator është planifikuar që ICMP të sjellë ekipe të specializuara pikërisht në zonën e varrezave të Rrmajës, ku kemi vendosur një tabelë shënjuese për të ndaluar çdo tjetërsim të atij terreni për sa kohë nuk janë bërë kërkimet.

Autoriteti ka bërë hapa të rëndësishëm në kërkimin e të vërtetës dhe drejtësisë për të pagjeturit. Deri më tani, kemi marrë 390 aplikime nga familjarë dhe komunitete, të cilat kanë shërbyer si bazë për hetimet tona. Kemi kryer hetime administrative për 11 vendvarrime të dyshuara dhe kemi vendosur 6 tabela shënjuese në këto zona, përfshirë varrezat e Rrmajës, për të mbrojtur terrenet nga tjetërsimi deri në përfundimin e gërmimeve.

Për të forcuar këto përpjekje, kemi krijuar një strukturë të specializuar me staf të dedikuar, si dhe kemi hartuar një instrument nënligjor që përcakton rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe ekspertëve për gërmime, identifikimin e eshtrave përmes ADN-së dhe kthimin e tyre te familjarët pas kaq dekadash. Këto arritje pasqyrojnë përkushtimin tonë për transparencë dhe përgjegjësi, por edhe nevojën për të vazhduar me këmbëngulje. Por ky instrument nenligjor duhet te miratohet nga Qeveria Shqiptare duke i hapur rruge me ne fund procesit.

Por do të ndiheshim të qetë, të ngrinim kokën para jush, t’ju shihnim në sy me kurajo, kur të nisnim sondazhet dhe sidomos gërmimet e para.

E dimë që gërmimet e këtyre varreve, të pagjetura prej vitesh, nuk do të jenë të thjeshta. Nuk janë varre të harruara diku, por të fshehura me qëllim nga shteti i asaj kohe. Kemi gjetur dokumentacion të plotë të urdhrave, udhëzimeve dhe shkresave për t’i fshehur, për të mos i gjetur familjet, për të mos i parë publiku, për të mos kryer pelegrinazhe, për të mos u dhënë zemër familjeve. E dimë që kjo është e vështirë dhe mund të kërkojmë shtatë herë e të gjejmë vetëm një herë.

Puna jonë nuk është vetëm një përgjegjësi lokale, por një mision kombëtar dhe një angazhim ndërkombëtar për të ndërtuar një shoqëri që nderon të kaluarën dhe ndërton një të ardhme më të drejtë. Kërkimi për të pagjeturit dhe llogaridhënia historike na afron me standardet evropiane të drejtësisë tranzicionale, siç përcaktohet nga Konventa Ndërkombëtare për Zhdukjet me Forcë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar.

Ne po krijojmë një bazë të dhënash dixhitale me dokumente dhe dëshmi gojore, të aksesueshme për studiues dhe publikun, për të siguruar transparencë dhe dokumentim në çdo hap. Duke bashkëpunuar me institucionet vendore dhe me partnerët ndërkombëtarë si ICMP, synojmë të krijojmë një model që jo vetëm të shërojë plagët e Shkodrës, por edhe të frymëzojë rajonin për t’u përballur me të kaluarën me dinjitet dhe shpresë.

Sot kemi pranë nesh përfaqësues të rëndësishëm nga BE, OSBE dhe Kuvendi, çka forcon mbështetjen për këtë proces. Shpresojmë që herën tjetër të dalim para jush me më shumë përgjegjësi të përmbushura në aspektin institucional.

Ajo që dua të them është edhe e karakterit njerëzor. Unë vetë vij nga një familje që ka një gjysh të pagjetur, ndonëse i kam dedikuar jo pak kohë kësaj çështjeje. Por kam një mesazh që besoj shumë prej jush do ta ndjejnë. Im atë, kur i thashë se po i kushtohem gjetjes së të zhdukurve, më tha: “Është shumë e vështirë, por kam një porosi – bëje për fëmijët e tu.” Dhe këtë dua të përcjell: le ta bëjmë për fëmijët tanë.

Ambasador Gonzato, ne besojmë të gjithë në Autoritet që një Shqipëri që gjen bijtë e vet, ose të paktën i kërkon me këmbëngulje, është një Shqipëri më pranë Europës. Ndaj kërkojmë mbështetjen tuaj të vazhdueshme.

Edhe ndaj institucioneve lokale kam një mesazh. Bashkia, Prefektura, Këshilli i Qarkut kanë një rol për të luajtur. Ne kemi përgatitur udhëzues për bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe kemi ecur në këtë rrugë burokratike. E dimë që është teknikisht shumë e vështirë dhe kërkon burime, por le të mos heqim dorë.

Dhe një fjalë tjetër për familjarët: ju lutem, le të bëjmë detyrën e mos humbjes së shpresës. Nëse e humbasim shpresën, ne që jemi të interesuarit direkt; nëse familjarët e humbasin shpresën; nëse kleri e humbet shpresën për martirët e Kishës, për këta që janë shqiptarët më të mirë – atëherë nuk do të arrijmë asgjë. Prandaj le të mos e humbasim durimin, shpresën dhe çdo ditë të bëjmë nga një hap, sado të vogël, për ta çuar përpara këtë proces.

Çfarë kemi sjellë si Autoritet  në këtë simpozium? Një bashkëpunim shumë të frytshëm me Akademinë dhe Universitetin e Shkodrës. Kemi vënë në dispozicion arkivat; për herë të parë kemi sjellë dokumente nga arkivat e Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, dokumentacion për institucionet e kohës, për kalimet e kufirit, për figurat historike të zonës, përfshirë klerin. Jam e sigurt që kërkimi shkencor do të ketë një prurje edhe më të mirë në sajë të dokumenteve që do të përdoren për herë të parë.

Kemi sjellë gjashtëmbëdhjetë dëshmi  audio-vizuale të rasteve të kalimit të kufirit në zonën e Shkodrës, të mbledhura në terren nga stafi ynë i specializuar sipas standardeve më të mira të dëshmive gojore. Çdo studiues i ka në dispozicion, sepse sot njerëzit jetojnë, nesër jo. Prandaj çdo dëshmi e mbledhur është një fakt. Kush ka dëshmi, sidomos familjarët e të përndjekurve të pagjetur, janë të mirëpritur. E dimë që ju keni bërë kërkime prej kohësh dhe dini shumë gjëra, ndaj ju lutem, na i sillni këto dëshmi sepse na ndihmojnë të qartësojmë fatin, të ngushtojmë kërkimin dhe të ecim më përpara me punën tonë.

Ky simpozium sjell punën shkencore të 13 studiuesve me punime konkrete dhe të ndjeshme: drama e të vrarëve në kufi dhe dhimbja e familjeve; mungesa e drejtësisë për viktimat dhe rëndësia e rikthimit të së vërtetës historike; qëndresa e grave malësore përballë terrorit shtetëror; mekanizmat e kontrollit dhe dhunës shtetërore, të dokumentuara përmes historisë së institucioneve të Sigurimit në Shkodër; rastet e arratisjeve të figurave politike dhe intelektuale me shkaqet dhe pasojat për shoqërinë shqiptare; strategjitë e shtypjes dhe rezistenca e klerit katolik, të mbështetura me dëshmi dhe statistika; arratisjet nga burgjet dhe kampet si shenjë e refuzimit të izolimit komunist; pasojat ndërbreznore të traumës; largimi i organizuar i intelektualëve në vitin 1944, si fillimi i humbjes së madhe për elitën shqiptare – janë temat kryesore.

Po ashtu, këtë vit kemi një sesion shumë të veçantë. Ka qenë propozim i deputetes Greta Bradeli, e cila ka një familjar të zhdukur dhe pati idenë të bëjmë një projekt përkujtimor të quajtur “Muri i Gjakut”. Kemi diskutuar me pushtetin vendor, me kryetarin e bashkisë, me shoqatën, me drejtuesin e muzeut lokal dhe kemi përgatitur përmes artistes vizuale Anila Zajmi Katanolli një projekt-ide të hapur për komente.

Gjashtëmbëdhjetë dëshmitë që kemi janë tejet të fuqishme dhe prekëse, por unë kam zgjedhur të veçoj një: historinë e Sami Repishtit, një shqiptar i madh, i cili nuk jeton më. Ai u arratis nga “krahu lindor i lumit Buna” në gusht të vitit 1959, tre vjet pas lirimit nga një dënim i gjatë 10-vjeçar në kampet e punës së detyruar. Ai theksonte: aq e fortë ishte shtypja dhe dhuna, sa njerëzit ishin gati të vinin edhe kokën në rrezik. Në kujtimet e tij “Nën Hije e Rozafës”, ai rrëfen se arratisja ndodhte “në një atmosferë irracionale”, ndërsa viktimat e kapura ose të vrara tërhiqeshin zvarrë dhe shfaqeshin në qytet si pjesë e një taktike terrori të Sigurimit.

Pas fjalëve të tij dua të kujtojmë ata që s’janë më: Elez Kraja, 29 vjeç, dhe Dhurata Sokoli, 24 vjeçe, të vrarë më 21 prill 1990 në Rrushkull; Vat Beci, 25 vjeç, dhe një tjetër i ri 23 vjeç, të qëlluar për vdekje në Velipojë më 19 maj 1990; Nini Hoti, 25 vjeç, i rënë në Postën Kufitare të Zogajve më 12 qershor 1990; Pëllumb Pellumbi, vetëm 17 vjeç, i pushkatuar në Hanin e Hotit më 14 qershor 1990; Osman Xhakolli, 23 vjeç, i vrarë më 18 korrik 1990 në kufirin e Ponçarës; dhe mbi të gjitha, një kujtim që rëndon ndërgjegjen: Anisa Gruda, vetëm 5 vjeçe, e brarë më 11 shtator 1990 gjatë kalimit në Shirokën, që sot është një hapësirë turistike.

Koha ka ndryshuar; të shpresojmë se histori të tilla nuk do të rikthehen më kurrë.

Ajo që dua të theksoj në fund është nevoja për llogaridhënie historike. Për të vdekurit kjo është mundësia për t’u dhënë atyre paqe: t’i kërkojmë, t’ua themi familjarëve të vërtetën.

Nuk mund të themi se “po u kthejmë dinjitetin”, sepse ata e kishin dinjitetin. Ata ishin njerëzit më dinjitozë; për dinjitetin e tyre ata rrezikuan dhe u vranë.

Atëherë, le ta shpallim publikisht: Çfarë dinjiteti të lartë kishin ata!

Faleminderit!

*Fjala e Kryetares së Autoritetit në Simpoziumin “Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes, 1944–1991. Shkodra përballë së kaluarës.” Mbajtur në kuadër të Ditës Ndërkomwbtare të të zhdukurëve.