Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

AIDSSH dhe KiE : “Mësojnë nga e kaluara”, 30 shkolla të vendit bëhen pjesë e konkursit kombëtar.

Durrës, 8 korrik 2025– Zhvillohet ceremonia përmbyllëse e konkursit kombëtar “Mësojmë nga e kaluara – Veprojmë për të ardhmen”, një aktivitet që angazhoi zëra të rinj për të reflektuar mbi historinë e Shqipërisë dhe për të promovuar angazhimin aktiv qytetar.

Konkursi u zhvillua në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri”, në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).

Ceremonia mblodhi së bashku përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Avokati i Popullit, Bashkia e Durrësit, Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës, së bashku me mësues, prindër dhe nxënës, në një ceremoni të kujtesës, kreativitetit dhe përgjegjësisë.

Nga nëntori 2024 deri në prill 2025, mbi 520 nxënës nga 30 shkolla në 10 qytete si Tirana, Durrësi, Elbasani, Prrenjasi, Shkodra, Vlora, Bulqiza etj, morën pjesë në turin informues e reflektues “Mësojmë nga e kaluara”, me qëllim inkurajimin e njohjes dhe reflektimit mbi të kaluarën historike të vendit..

 Gjatë këtij udhëtimi, nxënësit u njohën me:

·         botime të Autoritetit si “Dielli lind në Spa甓Spaç – historia e një revolte” dhe “Kufij të thyer”;

·         dokumentarin “3 ditët e lirisë në Spaç”;

·         dëshmi të të mbijetuarve nga burgjet politike;

·         konceptet themelore të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e tyre gjatë diktaturës.

Në fjalën e saj, Kryetarja e AIDSSH, znj. Gentiana Sula, vlerësoi guximin, mendimin kritik dhe origjinalitetin e nxënësve:

“Ky nuk është thjesht një konkurs, por një hap drejt rritjes së vetëdijes qytetare. Ne i ftojmë të rinjtë të mësojnë nga e kaluara jo vetëm për ta kujtuar, por për ta përdorur atë si udhërrëfyes për një të ardhme më të lirë e më demokratike.”

Ceremonia vijoi me ndarjen e çmimeve për 17 punime të spikatura në poezi, prozë, ese, arte pamore dhe multimedia. Mbi 80 punime të paraqitura në total dëshmuan talentin e të rinjve dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj temave historike dhe demokratike.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të fuqizuar të rinjtë përmes edukimit dhe kulturës, duke garantuar që mësimet e së kaluarës të shërbejnë si bazë për ndërtimin e një shoqërie të vetëdijshme dhe demokratike.

 M.D