Drejtori i Drejtorisë së Informacionit, z. Selami Zalli, në cilësinë e studiuesit të lirë, paraqiti një analizë të thelluar mbi disa aspekte të manipulimit të dosjes së Martin Camajt, duke e vendosur këtë rast në një kornizë më të gjerë të funksionimit të mekanizmave të Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1990. Në fillim të kumtesës së tij, Zalli theksoi ekzistencën e tre linjave të mendimi lidhur me çështjen nëse Martin Camaj ka qenë apo jo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, duke bërë prezente ekzistencën e tre linjave mendimi:
- Martin Camaj ka qenë bashkëpunëtor (b.p.).
- Ka qenë dhe nuk ka qenë. Një qëndrim i paqartë, i kamufluar përmes shprehjes: “Ai ikte dhe nuk i përgjigjej Sigurimit.?!. Kjo linjë vlerësohet nga z. Zalli si më e dëmshmja dhe më e rrezikshmja, pasi përpiqet të vendosë e mbajë brënda kufijve të legjitimitetit veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit;
- Martin Camaj nuk ka qenë bashkëpunëtor dhe dosja e tij ka qenë e manipuluar. Për këtë linjë, ai zhvilloi një paraqitje të zgjeruar dhe të mbështetur në argumente, me qëllimin për të hedhur dritë mbi këtë qëndrim, duke u mbështetur në analiza të natyrës dokumentare, proceduriale dhe historike.
E veçanta e këtij prezantimi ishte qartësimi i akuzave dytësore të anashkaluara në diskutimin e derisotëm, por të rëndësishme dhe më të rënda, që figurojnë në dosjen e ish‐Sigurimit të Shtetit, ku Martin Camaj, paraqitet edhe si poliagjent. Më konkretisht si “agjent jugosllav”, “agjent gjerman” dhe “agjent amerikan”. Gjithashtu trajtoi një fakt që nuk ishte analizuar më parë dhe nuk ishte bërë publik: ekzistenca e dy pseudonimeve kontradiktore që i atribuohen Martin Camajt të cilat janë “Bregu i Kuq” dhe “Miloti”. Qasja e Z. Zalli dalloi për një analizë të thelluar dhe të strukturuar të kuadrit institucional dhe rregullator, duke mos u kufizuar në një lexim të thjeshtë të dokumenteve, por duke i shqyrtuar ato në dritën e kontekstit politik dhe ideologjik të kohës. Sipas tij, për të kuptuar drejt natyrën e akuzave ndaj Martin Camajt dhe karakterin e dosjes së tij, është e domosdoshme të merren parasysh disa faktorë themelorë:
- mangësitë ligjore dhe institucionale që karakterizuan periudhën 1944–1948;
- ndikimet e drejtpërdrejta të shërbimeve jugosllave OZNA-UDB në ndërtimin dhe funksionimin e aparatit të Sigurimit të Shtetit;
- procesi i formalizimit të këtij aparati pas vitit 1948 përmes Platformave Politike dhe Organizative të miratuara nga PPSH, që e vendosnin nën kontroll të rreptë të organeve më të larta të Partisë.
Pas një përshkrimi të shkurtër të situatës politike dhe legjislacionit të kohës, kaloi në analizën e Platformave dhe Regulloreve të OSSH-së, me fokus të veçantë te procedurat për marrjen në përpunim të individëve (duke përfshirë ndryshimin e statusit nga “brenda” në “jashtë”), si bashkëpunëtorë (b.p.), mënyrën e arrestimeve, cilësinë e të pandehurit dhe veprime të tjera operative. Sipas z. Zalli, përfundimet e Plenumit të XI-të të KQPKSH dhe Kongresit të I-rë të PKSH në nëntor 1948 evidentuan jo vetëm gjendjen dhe gabimet brenda këtij sektori, por edhe faktin se shumë prej akteve, kryesisht për shkak të përdorimit të formave dhe metodave të papërshtatshme të punës, sipas modelit jugosllav. Këto faktorë kontribuan në transformimin e shtetit në një shtet policor, çka reflekton se dosjet dhe akuzat, përfshirë edhe rastin e Martin Camajt, nuk mund të kuptohen dhe vlerësohen drejt pa u marrë parasysh konteksti i gjerë, i manipulimeve dhe shkeljeve sistematike që karakterizuan atë periudhë e në vijim. Duke u bazuar në këtë analizë të boshllëqeve dhe mangësive në periudhën 1944-1948, z. Zalli kalon më pas në prezantimin e Platformave Politike dhe Organizative të Sigurimit të Shtetit, të miratuara në vitet 1948 dhe 1958. Këto platforma theksojnë rolin e PPSH-së si forcë e vetme udhëheqëse, si dhe detyrimin për dokumentimin e veprimeve të OSSH-së përmes raporteve dhe administrimit të bashkëpunëtorëve. Një element kyç i këtyre platformave ishte edhe kontrolli i rreptë dhe centralizimi i veprimtarisë së Sigurimit vetëm në organet më të larta të Partisë: Komitetin Qendror, Sekretariatin e KQ dhe Byronë Politike. Ky centralizim reflekton përpjekjet për të formalizuar dhe kontrolluar një sistem që siç u theksua më parë, kishte qenë i ndikuar nga praktikat jugosllave dhe kishte shfaqur shkelje dhe abuzime të shumta gjatë periudhës së parë pas luftës. Të gjitha këto elemente dolën në pah përmes një analize të kujdesshme dhe të strukturuar nga z. Zalli, i cili, veçanërisht në pjesën përmbyllëse të kumtesës së tij, u ndal jo vetëm tek mekanizmat formalë të funksionimit të Sigurimit të Shtetit, por edhe kontekstin politik dhe ideologjik që i përcaktoi ato. Ajo që e veçon trajtimin e tij është qasja kritike dhe krahasuese ndaj burimeve, duke theksuar se kuadri institucional dhe veprimet konkrete të strukturave të Sigurimit nuk mund të shkëputen nga linja politike e kohës dhe ndikimet e huaja, sidomos ato jugosllave në fazën fillestare. Përmes kësaj metodologjie, z. Zalli nuk kufizohet në një përshkrim të thatë dokumentesh, por ndihmon në ndërtimin e një kuptimi më të thelluar mbi mënyrën se si u instalua kontrolli ideologjik dhe institucional, si dhe mbi pasojat afatgjata që ky sistem pati në raport me të drejtat e individit dhe funksionimin demokratik të shtetit. Në këtë kuadër, ndalet më tej në trajtimin e strukturës së brendshme të mekanizmit të rekrutimit të bashkëpunëtorëve, duke analizuar me hollësi procedurat, hapat dhe dokumentacionin përkatës. Një ndër elementët e theksuar është nënshkrimi i detyrueshëm i Deklaratës Speciale të Bashkëpunimit dhe Mosdekonspirimit, si një akt që formalizonte lidhjen me strukturat e Sigurimit. Po ashtu, proceset e seleksionimit apo të asgjësimit të dokumentacionit, me vendim të një Komisioni të Posaçëm dhe shoqëroheshin me procesverbale dhe lista të veçimit, duke kaluar përmes një zinxhiri të mirëpërcaktuar protokollesh. Theks të veçantë i është dhënë edhe detyrimit të punëtorit operativ për të mbajtur kontakte të rregullta me agjenturën, për të përpiluar raportin përkatës dhe për ta përfshirë atë në dosjen e bashkëpunëtorit, duke e raportuar më pas tek eprori i tij. Ndërkohë, në aspektin e hetimeve dhe ndalimeve, z. Zalli vë në dukje futjen e elementëve të rinj si “ndalimi 3-ditor” apo “arresti i fshehtë” dhe kompetencën për kryerjen e tyre. Në këtë mënyrë, Zalli ndërton një kuadër të qartë analitik për të kuptuar jo vetëm natyrën e dosjes së Martin Camajt, por edhe mënyrën se si aparati i Sigurimit funksiononte në kushtet e një shteti që sapo kishte dalë nga lufta dhe po kalonte në një fazë të thellë ideologjizimi dhe centralizimi politik.
Në funksion të zbardhjes së rastit dhe për të vlerësuar autenticitetin e dosjes në fjalë, u theksua se dosja e Martin Camajt paraqet mungesa të theksuara në përmbajtjen e saj dokumentare. Dokumentacioni standard që, sipas praktikës dhe rregulloreve operative të kohës, duhej të ndodhej në fashikullin përkatës, mungon në mënyrë të pajustifikueshme. Këto mungesa lidhen me:
Dosje të detyrueshme si: Dosje Kërkimi,Dosje të Arratisurit,Dosje Fashikull (formulare),Dosje Personale, Dosje Pune, etj. Të shoqëruara me kartelën përkatëse tip të regjistruar në kartotekë. Në mungesë të këtyre, duhej të ekzistonin dokumente justifikuese si: Vendim veçimi, Procesverbal asgjësimi (trajtë bibliografie). Por edhe këto mungojnë. Këto boshllëqe strukturore dhe dokumentare janë indikatorë të parë të mungesës së autenticitetit të dosjes dhe ngrenë dyshime serioze për manipulim të mëvonshëm të saj.
Shqyrtimi i vetim disa akteve konkrete dhe mospërputhjeve në dosje
Pas analizës së kuadrit dokumentar të pritshëm, vëmendja u përqendrua te disa elementë konkretë në dosjen ekzistuese të Martin Camajt, të cilët dëshmojnë për parregullsi proceduriale dhe juridike.
Procesverbali i pyetjes si i pandehur.
- Nuk ka çështje penale të regjistruar;
- Nuk ekziston “letër rrjeshtimi” (vendim arresti);
- Personi cilësohet “i pandehur” pa ndonjë vendim, propozim apo ekzekutim të dokumentuar;
- Mungon urdhri i lirimit.
Parregullsi formale:
- Cilësimi i paqartë i subjekteve;
- Nënshkrime të munguar ose të vendosura në mënyrë jo të rregullt;
- Procesverbali që duhet të konsiderohej si material detyrues nuk ndodhet në dosjen personale përkatëse;
- Përmbajtja e dokumenteve nuk përputhet me fabulën e ndërtuar në dosje dhe me figurat e përmendura, si Gjon Destanishta pas arratisjes.
Përpjekja për krijimin e një vijimësie artificiale të dokumentacionit
Në aspektin kohor, dokumentet marrin një farë rregulli vetëm pas vitit 1958, ku mund të identifikohen:
- Kërkesë për verifikim në kartotekë: 10.11.1958, (rezulton negativ)
- Vërtetim dhe riverifikim në kartotekë: 11 dhe 19.11.1958, (përsëri negative)
- Vendim për hapjen e dosjes: 10.11.1958,
- Miratime të ndryshme nga drejtuesit e degëve përkatëse (1959),
- Vendim për marrje në përpunim 2A: 15.01.1972,
- Vendim për arkivim: 14.01.1992.
Kjo vijimësi, ndonëse formale, nuk mund të mbulojë boshllëqet e periudhës pararendëse dhe as të justifikojë mungesën e dokumenteve themelore me theks të vecantë tek ato dokumente që mungojnë në 1958-ën dhe tani figuron se qënkan krijuar në 1948-ën …?!.
Nëpërmjet ilustrimit të dokumenteve të paraqitura si “thelbësore”: nënshkrimeve dhe një ballafaqimit me letërkëmbime private në kushte normale e jetësore. Vend të veçantë në analizë zë shqyrtimi dhe përballja e dokumenteve që pretendohet të provojnë lidhjet me Sigurimin:
Deklarata të supozuara. Dekleratae b.p., Formular (me vlerën e kartelës),Procesverbali i pyetjes si i pandehur,Letërkëmbimi me Rexhep Krasniqin (1971–1986),Letërkëmbimi me Mustafa Krujën (1954),Artikulli që konsideron shkrimin e Camajt si, “vijë melodike – në fakt xhaz (thepa, thepa)”.Edhe këto elementë janë të fragmentarizuar, të papërputhshëm në aspektin kohor dhe përmbajtësor me pjesën tjetër.
Për të vazhduar me zbërthimin e akuzave si poliagjent;
Analizë e akuzës si agjent jugosllav
- Largimi dhe divorci nga jugosllavia me mundësinë e parë,
- Moslejim vizitash në Kosovë,
- Pengim i veprës, shenjzave në Jugosllavi (censura),
- Përmbajta e veprës e krijimtarisë në rrafshin kombëtar,
- Lidhjet me inteligjencën dhe investimi për shkollim të elementit shqiptar,
- Shkollimi dhe pushimet për studentët emigrant në gjith kampin socialist.
Analizë e akuzës si agjent gjerman
- Përgjigja e autoritetit Gjerman të Dosjeve,
Analizë e akuzës si agjent amerikan;
- Raporti i informatorit nga Anglia (i pasprovuar …?!)
- Vetëm pak faqe më pas merret, trajtohet e sërviret si i vërtetë kjo informatë.
Ekzistenca e dy pseudonimeve
- “Bregu i Kuq” & “Miloti” në faqen (55) pa titull.
Trajtimi i b.p. sidomos i atyre “tradhëtar”;
- Djegie,
- Mbajtje në lidhje formale,
- Ndëshkim,
- Dekonspirimi (demaskim publik si b.p) në asnjë rast, çështje besimi në Rregullore.
- Fotoja dyshe në dosje…?!
- Foto të subjektit e marrë nga gazeta në vitin 1973, e cila nuk përkon me kohën e pretenduar të themelimit të dosjes?!
Parregullsitë në inventarët.
- Inventari dhe lista e punëtorëve operativ, pa datë dhe pa respektuar rregullat për mbajtjen e Evidencës,
Konstatatohet shkëputje e gjatë kohore e informacionit, …, figurojnë 2 punëtorë operativë, … kemi më tepër se dy lloje të kaligrafive?!,
Shkrime të njëkohëshme, ndërkohë që shkrimet (shënimet) në inventarë dhe evidencë rregullisht duhet të ishin bërë menjëherë etj.
- Ndonëse dosja ka inventar dhe faqet mbajnë nga 2 numra (20-23…, nuk figuron në dosje ndonjë vendim veçimi, seleksionimi e procesverbal asgjësimi.
Pasaktësitë në emra vendesh e njerëzish (të vetë subjektit)
Duke e mbyllur me një ekspoze dhe konstatim se kjo nuk është dosja e vetme e manipuluar, duke sjellë e bërë prezente disa mënyra të manipulimit të dosjeve tej këtij rasti;
- Me një shënim duke shkruar emrin në regjistër agjenture,
- Me ndërtimin e një kartele,
- Me një kapak dosje, duke e emërtuar dosje “pune” ose “personale” për të kulmuar me pasqyrim në kapak të emërtimit, dosje “pune dhe personale” së bashku (rasti “N…”), si dhe nëpërmjet shënimit në kapak për dosje ndjekje, pseudonimin e ndjekjes të shoqëruar me emrin e personit që ndiqet, e cila duke mos u lexuar e kuptuar thelbin e saj, krijojnë përshtypjen se kemi të bëjmë me bashkpunëtor rasti “C….”, etj.
Përmbledhje analitike dhe Përfundim mbi dosjen e Martin Camajt
Analiza e dosjes së Martin Camajt nxjerr në pah mungesa të theksuara dokumentare dhe parregullsi serioze proceduriale, që e vënë në dyshim autenticitetin e saj. Mungojnë dosje bazë si ajo personale e punës, kartela, regjistri, dosja e kërkimit dhe e të arratisurit, si dhe dokumente justifikuese për mungesën e tyre. Po ashtu, dokumentet ekzistuese paraqesin inkoherenc, nënshkrime të dyshimta, dhe akte që nuk përputhen me rregullat ligjore të kohës në vijimësi. Akuzat për bashkëpunim me shërbime të huaja janë të pambështetura dhe shpesh nga burime dokumentare të dyshimta. Ndërhyrjet e mëvonshme në dosje vërehen në formën e ndryshimeve të kaligrafisë, përdorimit të pseudonimeve të paqarta dhe përfshirjes së materialeve jashtë kontekstit kohor.
Përfundim
Dosja e Martin Camajt nuk mund të konsiderohet autentike dhe e besueshme. Ajo paraqet shenja të qarta manipulimi dhe fabrikimi dokumentare, me qëllim ndërtimin e një narrative të rreme për ta etiketuar si bashkëpunëtor. Ky rast dëshmon për praktikat e përbaltjes, censurës dhe frikës ideologjike që regjimi i kohës ushtronte ndaj figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare, të cilat në sajë të kapacitetit e asaj që përfaqsonin i konsideronte rrezik për pushtetin.
“Censura dhe përbaltja janë shprehje të frikës”. Ky konstatim sintetizon më së miri thelbin e rastit Camaj dhe shumë të tjerëve si ai.


