Skënder Vrioni

Skënder Vrioni

Skënder Vrioni është anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që prej vitit 2022. Ky është mandatin e tij të parë si pjesë e organit vendimmarrës kolegjial të AIDSSH ndërkohe qe kontribun për ndërtimin e institucionit që ne hapje të tij përmes detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të AIDSSH. Me një përvojë të gjerë në administratë publike dhe me një profil të angazhuar në fushën e të drejtave të njeriut, z. Vrioni ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në përpjekjet për zbardhjen e së kaluarës dhe forcimin e kujtesës historike në shoqërinë shqiptare.
Skënder Vrioni vjen nga një familje e njohur e qytetit të Beratit, e cila gjatë regjimit komunist u etiketua si “armike e pushtetit popullor”, duke u përballur me ndëshkime të shumta politike, përfshirë sekuestrimin e pasurisë dhe kufizimin e të drejtave civile. Edhe pse e përfundoi shkollën e mesme me rezultate maksimale, atij iu mohua për shumë vite e drejta për të ndjekur arsimin e lartë. Vetëm pas vitit 1991, ai arriti të ndjekë Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, duke ndjekur më pas një rrugë të qëndrueshme në shërbim të institucioneve publike dhe drejtësisë.
Në Autoritetin e Dosjeve, z. Vrioni ka përfaqësuar me dinjitet institucionin në simpoziume dhe konferenca ndërkombëtare mbi drejtësinë tranzitore, kujtesën historike dhe arkivat e shërbimeve sekrete të ish-regjimeve komuniste. Ka qenë folës dhe lektor në disa prej këtyre aktiviteteve, ku ka ndarë përvojën shqiptare në trajtimin e së shkuarës, si dhe ka kontribuar me prezantime mbi përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit si burim edukimi për brezat e rinj. Temat e diskutimeve të tij lidhen me rëndësinë e dokumenteve arkivore në formimin qytetar, të drejtën për të ditur, dhe nevojën për reflektim të pandërprerë mbi të kaluarën totalitare.
Skënder Vrioni ka mbajtur më herët disa pozicione kyçe pranë Autoritetit: si Sekretar i Përgjithshëm (2018–2022), Drejtor i Sigurisë dhe Teknologjisë së Informacionit, dhe përgjegjës i sektorëve që mbulojnë kërkesat institucionale dhe çështjet e edukimit qytetar. Po ashtu, ka një përvojë të gjatë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm, drejtor burimesh njerëzore dhe trajnues institucional për çështje zgjedhore.
Ka dhënë kontribut të veçantë në hartimin dhe zbatimin e programeve për edukimin qytetar dhe ligjor, si dhe në organizimin e trajnimeve dhe komunikimin me shoqërinë civile, përfshirë edhe leksione për temat e lustracionit dhe vetingut të së kaluarës.
Z. Vrioni është diplomuar në Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës dhe mban titullin “Avokat” që prej vitit 2001. Ka kryer gjithashtu një Master në Shkencat Administrative pranë Universitetit “UFO”, si dhe është trajnuar nga institucione ndërkombëtare si OSBE, IFES, ITAP dhe të tjera. Flet anglisht dhe italisht në nivel komunikimi, dhe zotëron njohuri të mira kompjuterike.
Përkushtimi i tij ndaj drejtësisë, respekti për të vërtetën dhe kontributi i vazhdueshëm në forcimin e transparencës institucionale e bëjnë Skënder Vrionin një zë të rëndësishëm në rrugëtimin për të ndërtuar një shoqëri që e njeh dhe e përballon të kaluarën për të ecur drejt së ardhmes me integritet.

Postimet e Anëtarit

Nuk ka postime

Kontakto Anëtarin