Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Borxhet e Shqipërisë komuniste, Prof. Asoc. Dr. Gjon Boriçi ligjëratë të hapur

Për të larë borxhet shteti u mori njerëzve edhe unazat e martesës
Sot në AIDSSH Prof. Asoc. Dr. Gjon Boriçi mbajti ligjëratën mbi librin e tij më të ri, studimor, “Fillimet e marrëdhënieve politiko-ekonomike shqiptaro-kineze 1954-1960”. Në fjalën e tij ai tha se: “Ky libër është një përpjekje për të paraqitur sa më të plota fillimet e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në gjysmën e dytë të viteve ’50 të shek. XX si dhe për të dhënë arsyet e afrimit të plotë ndërmjet dy vendeve.”
Më tej ai u ndal në momente kyçe të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me vendet e Bllokut, por edhe në fazat caktuara të krizës ekonomike që rrjedhimisht thelluan borxhet që Shqipëria kishte ndaj vendeve si: BRSS, Çekosllovaki, Poloni, Hungari, Rumani, Bullgari, Gjermani, që gjithsej sipas Prof. Boriçi në total borxhi shkoi tek 2 miliardë dollarë apo 2 milion rubla për 1.3 milion banorë.
Karakteristike për Shqipërinë politike në komunizëm sidomos gjatë gjysmës së dytë të viteve ’50 ishte se prishi marrëdhëniet shumë të afërta me Bashkimin Sovjetik dhe së fundi, u lidh fuqimisht me kinezët. Motivi i shpallur në mënyrë të dukshme ishte mospajtimi ideologjik, ndërsa raportet ndërshtetërore dhe arsyet e vërteta të prishjes janë shpjeguar me dallime të qarta nga njëri rast në tjetrin në këtë monografi.
“Ideologjia ka qenë dhe faktori bazë për jetëgjatësinë e pushtetit, pasi ideologjia ishte “vello” e pushtetit. Marrëdhëniet diplomatike përcaktonin dhe “sponsorin” e radhës, pasi në politikë ekziston teoria e “rolit të bamirësit”. Marrëdhënia ndërkombëtare ka përcaktuar edhe filozofinë e politikës së brendshme, nga ku shpjegohet dhe dorëheqja nga roli i kryeministrit të Enver Hoxhës.” – tha më tej Boriçi.
Luftën e Ftohtë historiani Boriçi e sheh si “eksperiencë të eksperiencave”, dhe arsyeja që Shqipëria nuk u përdor si “mish për top”, ishte për faktin se filloi të paguante borxhet. Në atë kohë, sipas dokumenteve, dëshmohet se filloi një grumbullim masiv i unazave, vëthëve, varëseve të floririt dhe çdo gjëje të çmuar në popull.
Studimin e këtij harku kohor autori e ka marrë në shqyrtim nga viti 1954, kur në Kampin Socialist fillojnë e ndodhin tronditje spektakolare politike dhe kur Enver Hoxha u detyrua të jepte dorëheqjen si kryeministër pas presioneve sovjetike. Monografia e profesor Gjon Boriçit përfshin të gjithë harkun e marrëdhënieve të jashtëzakonshme dhe delikate ndërmjet Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës nga viti 1954 deri në vitin 1960.
Ligjërata e hapur është një cikël leksionesh i programuar nga AIDSSH me fokus studimor me ngjarje dhe fakte të periudhës 1944-1991 me qëllim hedhjen dritë në të kaluarën. Për këtë Autoriteti do t’i dedikojë një vend në platformën e tij on line dhe fton studiuesit e historisë, ekonomisë, jurisprudencës etj. ti bashkohen këtij programi të rëndësishëm që na pasuron dhe na mëson.