Shqipëria është një shtet i vogël i Ballkanit, që ka vuajtur 50 vite diktaturë, si shumë nga shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Sistemi një partiak dhe aparatura gjigante e brutale e policisë politike bëri të mundur që një grupim i vogël të kontrollonte mendjen, shpirtin, zgjedhjet dhe asetet e shoqërisë sonë.
Në fillim, objektivi i Partisë ishte drejtësia sociale dhe progresi i shpejtë i vendit. Përmes “inxhinierisë sociale” ata donin t’i ndryshonin qeniet njerëzore në më të “mira”- të tilla që të kërkonin më pak liri dhe të udhëhiqeshin nga ideologjia.
Jam shumë e kënaqur që organizuesit e këtij takimi morën parasysh përpjekjet e Shqipërisë për t’u përballur me urrejtjen si mjet për t’i kontrolluar njerëzit dhe qasjen ndaj së sotmes.
Kemi shumë për të ndarë me njëri-tjetrin!
Me gjithë ëndrrat që na bashkojnë, e vërteta është se jo të gjithë njerëzit ndajnë të njëjtat besime për sistemin. Gjuha e urrejtjes u përdor gjerësisht për t’i ndarë njerëzit dhe për të inkurajuar krime politike të urrejtjes: po ashtu, dhuna shtetërore dhe terrori, me qëllim që të arrihej Kontrolli Total.
Sistemi rekrutoi një numër të madh oficerësh, informatorësh, agjentësh sekretë dhe bashkëpunëtorësh, duke bërë të mundur që gjithsecili të ishte në vëzhgim, që gjithsecili të ndihej nën terror, kështu që ata që nuk rezultonin të besuar – të përndiqeshin.
Shpeshherë, vetë pjesëtarët e familjes ose miqtë e ngushtë u kthyen në bashkëpunëtorë me shtrëngim ose u detyruan t’i shkëputnin lidhjet me familjet e tyre, fëmijët ose të afërmit.
Një mjet shumë i fuqishëm i gjuhës së urrejtjes ishte propaganda: censura, si edhe izolimi total i vendit ishin në shërbim të makinerisë -ku ishte investuar fort,- të artit, kinemasë, shtypit, literaturës dhe edukimit të publikut.
Ata i projektuan të gjitha dështimet te kundërshtarët. I bënë fajtorë për mungesën e ushqimit, mungesën e gjërave bazë, paaftësinë, dështimet… Ose kërkuan “justifikime” për terrorin e ushtruar pas çdo episodi të paranojës së diktaturës mbi humbjen e pushtetit dhe të kontrollit.
Dua të sjell në vëmendje episodet e gjyqeve publike të të ashtuquajturve “sabotatorë” në ekonomi, ose opozitës së parë parlamentare. Qindra letra nga publiku, të ushqyera me gjuhën e urrejtjes së diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, iu dërguan gjykatës për të justifikuar dënimet e tyre me vdekje.
Turma e zemëruar ndiqte nga jashtë gjyqin publik ndaj drejtueses së grupit socialdemokrat, Musine Kokalari… Në mënyrë profetike, ajo i tha gjykatësit: “E njëjta turmë do të zgjohet dhe do të kthehet kundër jush”. Tashmë ajo konsiderohet heroinë e demokracisë dhe simbol i vlerave perëndimore, ndërsa persekutorët janë harruar…
A është ricikluar në demokraci gjuha e urrejtjes?
Sot vend demokratik, Shqipëria vazhdon të bashkëjetojë me trashëgiminë e diktaturës komuniste.
Ende sot, 1 në 3 shqiptarë pretendon se i përket një familjeje që kishte probleme me regjimin. Disa e ndiejnë ende veten peng të së shkuarës. Gjithçka që duan, janë politikat që do t’iu kompensonin fëmijërinë e humbur dhe do t’iu rikthenin dinjitetin atyre dhe familjeve të tyre.
Narrativat e së shkuarës nuk rakordojnë sot. Shumë prej sterotipeve të së shkuarës ndaj grupimeve të të përndjekurve gjallojnë ende, përfshirë brezat e rinj.
Kanë qenë shumë të paktë ata që kanë kërkuar falje. Nuk mund të krenohemi për këtë.
Megjithatë, me krenari mund të themi se nuk ka pasur episode të krimeve të urrejtjes nga personat e prekur, për shkak të asaj që ka ndodhur në të shkuarën.
Por gjuhën e urrejtjes e gjejmë të ripërdorur në narrativën e së shkuarës, në media, jetën e përditshme, edhe në Kuvend madje.
Unë besoj fort se përballja me gjuhën e urrejtjes shkon krah për krah me zgjidhjen e padrejtësisë historike.
Roli i Autoritetit për një shoqëri paqësore
Dosjet e Sigurimit ishin të klasifikuara deri në 2016, kur Kuvendi miratoi qasjen në to, përmes një procesi demokratik, duke promovuar mbrojtjen e personalitetit dhe unitetit kombëtar. Që nga ajo ditë, miliona dokumente filluan të deklasifikohen dhe të bëhen publike.
Besoj që kjo katalizoi debat publik sistematik mbi të shkuarën.
Trysnia për shërbimin e dosjeve të figurave të larta zyrtare është e madhe. Institucionet publike kërkojnë informacion për përfshirjen e kandidatëve në pozicione të larta, akte survejimi, gjyqe politike, dhe persekutorëve iu ndalohet ngritja në detyrë, veçanërisht me zbatimin e reformës në drejtësi.
Individët dhe familjet e tyre mund të mësojnë gjithçka mbi prapaskenat e përndjekjes. Kësisoj ata po informohen për makinerinë fabrikuese të stigmës, flamujve falsë, ose provave të sajuara, gjyqeve fasadë. Viktimat dhe familjet qartësojnë fatin e tyre dhe mund të pretendojnë të drejtat legjitime, si dëmshpërblim financiar, pensione, kërkimin e të zhdukurve, po ashtu, të kërkojnë bërjen e drejtësisë.
Përdorimi i sterotipeve të Sigurimit nuk kalon pa debat të fortë. Riciklimi i gjuhës së Sigurimit për njërën nga viktimat e Sigurimit (Martin Camaj) gjeneroi 56 artikuj kundërshtues.
Pjesa jo e prekur e shoqërisë po ndërgjegjësohet për informacionet e stisura dhe indoktrinimin e pësuar, duke ndier empati për viktimat.
Persekutorët kanë filluar të japin shpjegime për veprimet e tyre, edhe publikisht. Shpresojmë që ata ta ndiejnë koston njerëzore të veprave të tyre.
Krijimi i Autoritetit të Dosjeve nxiti krijimin e disa nismave publike, në mbështetje të familjeve të prekura: Kujto.al, Memo, Edhe Muret kanë veshë. Mbledhja e dëshmive gojore, vendet e kujtesës janë objekt i punës së tyre.
Historianët, përmes fakteve të reja të paraqitura, po hedhin dritë mbi 50 vite të errëta. Censura dhe propaganda e së shkuarës nuk merren më si referenca të vlefshme.
Narrativës së diktaturës po i vjen fundi. Po ashtu, narrativat e Luftës së Dytë Botërore dhe përpara saj, po rishikohen dhe po pastrohen nga lentet e ideologjisë dhe burimet e censuruara.
Partnerët ndërkombëtarë i njohin çështjet të mbetura peng nga diktatura dhe po kërkojnë ballafaqimin me të shkuarën, që në fakt ka të bëjë me zhvillimin, progresin e shoqërisë shqiptare dhe reformat integruese.
Shpesh, ende sot njerëzit ndahen sa i përket të shkuarës komuniste. Por një gjë po bëhet e qartë për çdokënd: mungesa e tolerancës, dhuna dhe urrejtja nuk do të jenë më forca për ndryshim pozitiv.
Por duke miratuar politika që kanë të bëjnë me shuarjen e këtyre diferencave dhe padrejtësive të së shkuarës, njerëzit afrohen, ballafaqohen me të dhe lëvizin përpara për krijimin e një shoqërie pa dhunë.
Tani, le të vijmë në rajonin tonë. Ne ndajmë të njëjtën histori bashkëkohore.
Nga perspektiva rajonale dhe luftërat e përgjakshme pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, të gjithë e shohim se secili vend ka narrativë antagoniste për atë që ka ndodhur, dhe stereotipe të papranueshme sa i takon përkatësisë etnike.
Unë besoj fort që dhënia fund ngjarjeve të dhunshme dhe atyre që ndodhën para e pas, duhet të merret shumë seriozisht në nivel rajonal, nga një Projekt Rajonal i Përkujtimit.
Le të sigurohemi që dosjet e policisë sekrete të ish-Jugosllavisë të hapen për publikun, sidomos tani që Jugosllavia nuk është më. Kjo vetëm do të katalizojë debatin publik rajonal mbi arsyet e ndarjes dhe urrejtjes mes nesh dhe do të bëjë që narrativat historike të vendeve të ndryshme të Ballkanit të afrohen. Gjithashtu, do të informojë politikat e drejtësisë tranzitore, që të jenë më efektive dhe forcë për paqe pozitive.
“Paqja nuk është vetëm destinacioni, por dhe rruga” (Gandi). * Fjala e Kryetares së AIDSSH-së në Ditën Botërore të Paqes, 20 shtator 2020 në webinarin “Toward Positive Peace: Countering Hate Speech“, Udhetimi Lire në bashkëpunim me Youth for Peace, Somborski edukativni centar – SEC.