Më 2 prill 2025, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) organizoi aktivitetin “Dosja e Hapur – Tirana në Sytë e Sigurimit”, me qëllim ndërgjegjësimin mbi ndikimin e diktaturës komuniste në jetën e intelektualëve dhe familjeve të njohura të kohës.
Gjatë aktivitetit, anëtari i Autoritetit, z. Skënder Vrioni, theksoi rolin e projektit “Tirana në Sytë e Sigurimit”, i nisur në vitin 2022, si një platformë për të eksploruar persekutimin e personaliteteve publike. Ai solli në vëmendje historinë e familjes Gjinali-Beshiri dhe theksoi se diktatura synonte të shkatërronte mendimin e lirë.
Drejtori i Drejtorisë së Informacionit, z. Selami Zalli, analizoi dokumentet arkivore të AIDSSH, duke vënë në dukje rëndësinë e ruajtjes dhe shpërndarjes së tyre përmes aktiviteteve publike dhe dialogut me komunitetin.
Znj. Nevila Turdiu trajtoi kontributin e familjeve Tahiri dhe Gjinali në zhvillimin e vendit, me theks tek Lejla Gjinali, pionierja e pianos në Shqipëri, dhe bashkëshorti i saj, Eshref Beshiri, topograf i shquar. Ata u persekutuan pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe u internuan në vitin 1986.
Studiuesja Enxhi Beka analizoi tipologjinë e regjimeve totalitare, të cilat kundërshtonin çdo formë pushteti ekonomik dhe intelektual. Ajo theksoi se në thelb të regjimeve totalitare qëndronte makineria e shpikjes së armikut, duke ndjekur parimin: “nëse armiku nuk ekziston, ai duhet të shpiket”. Enxhi prezantoi konceptin e trashëgimisë së “ADN-së së armikut” brez pas brezi, duke e konkretizuar me familjen Gjinali. Për shkak të pushtetit ekonomik dhe intelektual, kjo familje u shpall armike e regjimit. Tahir Gjinali vuajti 15 vjet burgim, ndërsa Lejla dhe Eshref Beshiri u internuan në vitin 1986. Vajza e madhe, Aida, u internua dhjetë ditë pas lindjes së fëmijës, ndërsa vajzës tjetër, Miranda, iu mohua e drejta për të studiuar violinë.
Aktivitetin e përshëndeti kryetari i Shoqatës “Tirona”, z. Ruzhdi Keçi, i cili vlerësoi përpjekjet e AIDSSH për të dokumentuar dhe ndarë me publikun historinë e persekutimit komunist.
Në takim foli edhe vajza e Lejlës dhe Eshref Beshirit, znj. Miranda Beshiri, e cila falënderoi dhe përgëzoi AIDSSH për organizimin e këtij aktiviteti. Ajo ndau historinë e saj personale dhe sfidat e para si emigrante në Itali pas rënies së komunizmit. “Komunizmi synonte të luftonte trashëgiminë, sepse trashëgimia është themeli që ndërton shoqërinë”, u shpreh Miranda në përfundim të fjalës së saj.
Aktiviteti përfundoi me një diskutim mbi rëndësinë e transparencës historike dhe angazhimin e AIDSSH për të vijuar me nisma të ngjashme, duke kontribuar në edukimin e brezave të rinj mbi të kaluarën komuniste.















