Këneta e Maliqit, – me vitet e gjata për tharjen e saj dhe jetët e sakrifikuara, historitë e tmerreve të punës së detyruar skllavëruese, – ende sot, dhjetëra vite më pas, mban në barkun e vet të zhdukurit pa varr, të cilët u ekzekutuan në vitin 1946 si “sabotatorë”.
Me rastin e 71 vjetorit të ekzekutimit të tyre, përmes dokumenteve nga arkiva AIDSSH, ngjarja u trajtua në konferencën shkencore “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, 21 nëntor 2017. Për realizimin e saj Autoriteti bashkëpunoi me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Institutin e Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Hedhja dritë mbi këtë ngjarjen, që njihet si ngjarja e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, që kanë lënë shenja të thella në kujtesë, jo vetëm për familjarët e viktimave, por për të gjithë bashkëkohësit, ridimensionon raportin tonë dhe të shoqërisë me të kaluarën totalitare komuniste.
Dhe ne jemi sot së bashku pikërisht për këtë: për të treguar të vërtetat dhe për të qenë të vetëdijshëm për demokracinë e brishtë që po përpiqemi të ndërtojmë, për të rritur breza krenarë për paraardhësit e tyre, të cilët u shkolluan në Perëndim dhe u kthyen për të zbatuar dijet dhe eksperiencat e tyre për të mirën e përbashkët, për ta bërë atdheun e tyre si vendet europiane ku studiuan.
Në dosjen me numër 72 të Degës së Parë të Ish- Sigurimit të Shtetit, lexojmë datën e fillimit të procesit gjyqësor ndaj inxhinierëve të bonifikimit të Kënetës së Maliqit: 8 Nëntor 1946, 5-vjetori i themelimit të PKSH. [1]
Nga materialet e grumbulluara, ku vihet re se faktet mungojnë, lexojmë “plane të predeterminuara”, “marrëveshje të ngushta me misionet e huaja”, “salla gjyqi të mbushura plot me popull”. Kemi të bëjmë me gjyqin e parë politik të regjistruar dhe të filmuar në të tëra fazat e tij: nga arresti e deri në ekzekutim. Shohim përpunimin e parë të imazheve në kuadër të propagandës komuniste që po hidhte hapat e parë për të vijuar sofistikimin në gjyqet e mëvonshme, të cilat për fat të keq, vijuan të ishin shumë të shpeshta dhe çnjerëzore. [2]
Inxhinierët e akuzuar për sabotim, kishin studiuar në Perëndim, madje me rezultate të shkëlqyera si inxhinier Kujtim Beqiri nga Vlora, i dekoruar me Medaljen e Artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës. Këta inxhinierë vërtet të talentuar kujtohen nga bashkëkohësit e tyre për punën që kryen për të plotësuar në të tërë aspektet projektimin dhe zbatimin e bonifikimit të Kënetës së Maliqit, por, gjithashtu, edhe të veprave të tjera të rëndësishme për atë kohë si, Moli i Shëngjinit, Ura e Penkovës, Ura e Rrogozhinës, Ura e Mifolit dhe ajo e Mbrostarit, disa prej të cilave i kanë rezistuar viteve.
Në bashkëpunim me Arkivin e Ndërtimit kemi gjetur dhe vëmë në dispozicionin tuaj, projektet e këtyre inxhinierëve të ekspozuara në hyrje të Fakultetit që na mirëpriti dhe bashkëpunoi me ne për organizimin e këtij aktiviteti.
Gjej rastin të falënderoj edhe përfaqësuesit e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, të cilët me kumtesat e tyre hedhin dritë mbi aktivitetin e këtyre inxhinierëve dhe të vërtetat e tyre parë nën këndvështrimin e duhur.
Të përkujtojmë me nderim dhe respekt këta njerëz për kontributet e të cilëve duhet të jemi krenarë: Ing. Abdyl Sharra, ing. Aleks Vasili, gjeometrat Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, ing. Vasil Mano dhe bashkëshorten e tij, kroaten Zyrika Mano, punëtorët Jani Vasili dhe Anastas Risto, gjeometri Mihal Stratobërdha, llogaritari italian Eugenio Scaturo, ing. Kujtim Beqiri, (mbesa e të cilit me përkushtim punoi për realizimin e këtij aktiviteti), gjeometrat Mirush Përmeti dhe Hans Vala, austriak, shoferin Lambi Napuçe dhe mjekun italian Golfredo Paskual Rizo.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
*Fjala e kryetares në konferencën shkencore “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, mbajtur në 21 nëntor 2017.
[1] Arkiva e AIDSSH, Dosje- nr, 72, Dega e Parë të Ish- Sigurimit të Shtetit.
[2] F. Hetimore dhe Gjyqësore, V. 1946, D. 944-a, Procesverbali i gjyqit për të pandehurit Mirush Përmeti, Aleks Fili Vasili, Hans Vala, Rizo Paskual Golfredo, Lambi Pando Napuçe, 21-25 nëntor 1946. Dosjet hetimore e gjyqësore, V. 1946, D. 1080-A, Procesverbali i gjyqit të sabotatorëve të Maliqit, 8-18 nëntor 1946.