Autore: Irma Bataj Çaushi dhe Oralda Muço
Abstrakt
Përmes këtij punimi paraqesim një tablo të qartë të politikave dhe praktikave, që ndiqeshin nga ish-Sigurimit i Shtetit, në lidhje me kontrollin e kufijve apo atyre që tentatonin kalimin e paligjshëm të tyre, duke evidentuar shkaqet dhe pasojat që sillte ky veprim. I gjthë studimi fokusohet në shqyrtimin e dokumenteve arkivore të administruara në Arkivin e Autoritetit të Dosjeve për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ku përfshihen platforma, historikë dhe rregullore, urdhra, udhëzime, imazhe ne trajtën e fotografive dhe studime të ish-funksionarëve mbi kalimin e paligjshëm të kufijve. Pjesë e rëndësishme e studimit është edhe analiza statistikore e dokumenteve arkivore që kanë të bëjnë me arratisurit dhe thyesit e kufirit. Metodologjia, e përdorur për realizimin e këtij studimi është e tipologjisë analitike dhe fokusohet tek shqyrtimi i dokumenteve arkivore për të dalë në argumente shkencore, gjetje dhe konkluzione. Metodat është ndërtuar si vijon:
- Analizimi i dokumenteve arkivore krijuar nga ish Sigurimi, duke identifikuar informacione kryesore si akte ligjore, udhëzime, platforma, rregullore e botime të brendshme nga ish funksionarët e Sigurimit të Shtetit. Dokumentet janë studiuar nga ana historike, arkivistike dhe politike. Janë analizuar të dhëna vizuale të skicave, fotografive që ilustrojnë metodologjitë e ruajtjes së kufirit dhe që vërtetojnë kalimin e kufirit në rrugë ilegale nëpërmjet kufirit tokësor.
- Krahasimi i mënyrave të kalimit të kufirit në formë legale dhe ilegale, ikjet përgjithmonë dhe përkohësisht, statistika të ikjeve dhe riatdhesimeve.
- Vlerësimi i cilësisë dhe besueshmërisë së burimeve dhe dokumenteve arkivore, duke marrë parasysh kontekstin dhe autorët.
Fjalë kyçe:kufi, ruajtja kufitare, arratisje, masa parandaluese, sinjalistikë, klon/pengesa elektrosinjalizuese etj.
Qëllimi i Studimit: Ky studim ka si qëllim të analizojë politikat e ndjekura nga ish-Sigurimi i Shtetit, në lidhje me mbrojtjen e kufirit, përmes ilustrimit të fakteve dhe dokumenteve autektike arkivore, të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës 1944-1991.
Objetivat e këtij studimi janë:
- Të evidentohen rregullat dhe procedurat që ndiqte ish -Sigurimi i Shtetit, mbi izolimin e zonave kufitare;
- Të pasqyrohet bashkëpunimi midis Sigurimit dhe Pikave të Kontrollit të Kufirit (PKK), pë ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit;
- Të dalin në pah shkaqet e arratisjes, rreziqet me të cilat u përballën ata që tentuan të kalonin kufirin, si dhe arsyet e riatdhesimit etj.
Hyrje
Gjatë periudhës 1944-1991, disa nga tiparet kryesore të sistemit totalitar të cilat dominuan në Shqipëri ishin: mohimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve, centralizimi, ashpërsimi i politikës, monopolizimi, armiku imagjinar etj. Edhe pse pas vdekjes e diktatorit Hoxha në vitin 1985, një pjesë e mire e këtyre tipareve pësuan zbehje, ai i mohimit të të drejtave nuk u zbeh, por mbijetoi deri në mesin e vitit 1991. Ashpërsia që përligjte regjimi në këtë drejtim, shfaqej veçanërisht në pikat kufitare, ku evidentohej një tjetër tipar, ai kontrollit të rreptë brenda kufijve/territorit shqiptar të cilat u mbyllën hermetikisht, duke mos lejuar kalimin drejt një vendi tjetër. Kjo me qëllim, shmangien e kontaktit me botën tjetër dhe me kultura të ndryshe. Në këtë punim do fokusohemi pikërsht, tek fenomeni i arratisjeve si formë reagim por edhe tek pasojat fatale, që erdhën si rezulat i tij si: burgimi, internimi deri tek mohimi i jetës. [1]Internimi dhe dëbimi ishin masa administrative që merreshin zakonisht kundër pjestarëve të familjes së të arratisurve apo personave që paraqesin rrezikshmëri të tjera. [2]Në vitin 1959 u kalua një dekret në formë amnistie për të arratisurit nga i cili u përjashtuan në atë kohë 208 persona që u cilësuan kriminelë lufte. Por ky dekret nuk krijoi besueshmëri pasi gjatë periudhës 44-91 u riatdhesuan vetëm 60 persona. Duket se të arratisurit kishin patur të drejtë, iu hoq vetëm 190 vetave. Për të tjerët dhe familjet e tyre, ish Sigurimi i Shtetit vendosi një regjim të rreptë mbikqyrjeje dhe represioni. Rreth 13 600 persona u numëruan si të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944-1990, pa llogaritur të larguarit e ambasadave në korrikun e 1990. Nga këta, rreth 4 784 ishin gra e fëmijë. Dominonin të ikurit gjatë viteve 1945-1948. Rreth 998 të tjerë vdiqën ose u vranë nga regjimi në përpjekjen për tu larguar nga vendi. Sipas raportimeve, ikjet u tentuan më shume nga Gjirokastra, 1399; nga Shkodra, 924; Saranda, 859; Korça, 729; Kukësi, 777; Vlora, 436; Dibra, 520; Tropoja, 402; e më pas Tirana, 333, Erseka, 214; Pogradeci, 178; Puka, 184 e Durrësi, 161 vetë.
Kalimi i kufirit dhe arratisja si dy veprime të ndëshkueshme nga regjimi
Arratisja jashtë shtetit ishte cilësuar si një nga format më të mprehta të veprimtarisë të ashtuquajtur armiqësore dhe një nga format kryesore të tradhëtisë ndaj atdheut[3]. Me veprimtari armiqësore në formën e arratisjes jashtë shtetit kuptohej, braktisja e Atdheut nga ana e shtetasit shqiptar, në mënyrë të kundërligjshme, përgjithmonë ose përkohësisht, duke ikur ilegalisht në një shtet tjetër nëpërmjet kufirit shtetëror ose duke refuzuar kthimin në Atdhe, me qëllim dobësimin e vendit. Sipas Sigurimit kishte dy forma të braktisjes së atdheut, që ishin:
a). Braktisje e përhershme. Kjo braktisje ndërrmjerej nga ata persona, të cilët arratiseshin të vendosur për mos tu kthyer më;
b). Braktisje e përkohëshme. Kjo barktisje kishte të bënte me personat që arratiseshin dhe pastaj riatdhesoheshin, për arsye që vareshin ose jo nga ata.
Si arsye që nuk vareshin prej tyre rëndisim: rikthimi nga ana e shtetit ku ai kërkonte strehim, rikthimi me detyra spiunazhi, kapja nga organet e ish- Sigurimit nëpërmjet kanaleve ilegale apo legale, rrëmbimi nga organet e ish-Sigurimit jashtë shtetit dhe sjellja në Atdhe etj. Ndërsa si arsye që vareshin prej tyre rëndisim: riatdhesimi me vullnetin e tij pasi ishte penduar për veprën e kryer, dorëzimi tek organet e Sigurimit në mënyrë vullnetare kur mund ta dërgonin me detyra spiunazhi përkohësisht ne Atdhe etj. Kalimi i rregullt i kufirit, kryhej nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të caktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke patur dokumentet përkatëse pashaportë dhe leje kalimi lëshuar nga organi kompetent MPB. Në çdo rast tjetër, kur kalimi i kufirit nuk kryhej në këto pika, ose edhe kur kryhej, por pa patur dokumentet përkatëse, cilësohej si kalim i paligjshëm të kufijve ose arratisje jashtë shtetit dhe ishte një veprim i ndëshkueshëm.
Po çfar simbolizonte kalimi i kufirit dhe përse ishte kaq i rëndësishëm kontrolli kufitar?
Kalimi i paligjshëm i kufirit, mendohej se mund të kishte pasoja në cënimin e marrdhënieve shtetërore të mbrojtura me ligj, ku ndër më kryesoret ishte sigurimi i jashtëm i vendit dhe i fuqisë mbrojtëse të tij. Rradhitja e elementit të arratisur jashtë shtetit, krahas forcave të armikut dhe kthimi i tyre në burim propagande përmes radios, televizionit dhe mjeteve figurative. Me qëllim shtrembërimin e fakteve, ngjarjeve dhe gjendjen reale të vendit tonë, për të ulur prestigjin e RPSSH në arenën ndërkombëtare, infektuar e çoroditur mendjet e njerëzve me kombësi shqiptare dhe opinionin e shëndoshë botëror për vendin tonë. Kështu kufijtë u mbyllën hermetikisht duke ndaluar hyrje-daljen e popullsisë, për të parandaluar burimin nga idetë dhe kulturat e huaja.
Shkaqet që nxitën arratisjen jashtë shtetit sipas ish-Sigurimi të Shtetit
Shkaqet kryesore që nxisnin arratisje ashtë shtetit sipas ish-Sigurimit, në tërësi lidheshin me[4]:
- Kryerjen e një veprimtarie të mëparëshme armiqësore apo keqbërëse, për të cilën Organet e Sigurimit kishin ose jo dijeni. Në këto kushte tendenca e arratisjes buronte nga neovja për t’i shpëtuar hetimit, gjykimit dhe dënimit, që do t’i jepej për këto veprimtari të kundërligjshme, kur ai do evidentohej si autor i tyre. Gjithashtu për të realizuar një veprimtari më të gjerë armiqësore jashtë vendit, ose për të realizuar disa momente të saj që kërkojnë doemos arratisjen jashtë shtetit;
- Si rezultat i nxitjes direkte që u bëhej personave konkretë për t’u arratisur jashtë shtetit, nga elementë të ndryshëm si armiq, agjentë të zbulimeve të huaja, elementë antiparti, të deklasuar etj. Si procedurë përfshihej përpunimi ideologjik, kompromentimi moral e material, degjenerimi etj. Në raste të tjera shfrytëzoheshin gabimet e ndryshme që kishin bërë, pasojat që vinin nga qëndrimi i shoqërisë ndaj tyre, konflikte të ndryshme në familje, në punë e shoqëri;
- Dëshira për të bërë një jetë më aventura, e cila shfaqet tek një moshë e re dhe e paformuar ideolo-politikisht. Nga ana tjetër mund të jetë si rrezultat i dëshirave për të shkuar pranë të afërmve të emigruar ose të arratisur për të jetuar me ta;
- Mund të influenconin edhe predispozita armiqësore si: për të shpëtuar nga një hakmarrje e mundshme, shmangia e grindjeve të vazhdueshme, intriga që shkaktojnë efekte të rënda psikike etj.
Mënyrat e kalimit kufitar sinjalistika dhe masat e marra nga sektori i Sigurimit për parandalimin e tij
Arratisja jashtë shtetit, është realizuar duke kaluar kufirin shtetëror në pjesën tokësore, ujore dhe ajrore të tij[5]. Por për të dhënë një ide më të qartë, po i analizojmë në mënyrë më detajuar disa nga format e arratisjes si më poshtë vijon:
- Ishte konsideruar si më i përshtatshëm kalimi në formë tokësore në vende me reliev të thyer që vështirësojnë vrojtimin e njësive të shërbimit, shfrytëzimi i kohës kur ndrrohen trupat ushtarake, kalimi duke përdorur kafshët për të mos lënë gjurmë, kalimi i kufirit në vende të pyllëzuara etj. Kalesat nëntokësore nuk janë ndeshur, por ato mund të realizoheshin duke hapur tunele të nëndheshme në zona të buta afër kufijve.
- Arratisja nëpërmjet formës ujore i referohej shtigjeve kufitare ku përfshin pjesët detare, liqenore dhe lumore dhe realizohej me anë të barkave, dërrasave, trarëve, komardareve, ndihmën e kallamave që siguronin frymëmarrjen gjatë notit.
- Arratisja nëpërmjet formës ajrore nuk u vërtetua asnjëherë. Megjithatë mendohej se mund të realizoheshin nga personi që i drejton duke u kërcënuar ai që do të arratisej.
- Arratisja realizohej edhe nëpërmjet pikave të kontroll-kalimit (PKK) të kufirit tokësor, ujor e ajror duke fallsifikuar dokumentet e kalimit të kufirit (pasaportën ose lejen e kalimit) duke përshkruar me shpejtësi distancën nga postoblloku deri në kufirin e huaj, fshihen në pjesë të ndryshme të mjeteve të qarkullimit që kalojnë në këto pika ose në ngarkesën e tyre.
- Ndërsa në PKK e kufirit ajror e ujor, arratisja mund të realizohej duke u fshehur në mjedise të ndryshme të mjeteve të lundrimit apo fluturimit, sin ë anijet e huaja tregtare, në avionët e udhëtarëve etj.
[6] Në Udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme Hekuran Isai për organizimin e punës operative në drejtim të të arratisurve thuhet se: “Organet e Sigurimit të Shtetit duhet të organizonin në dinamikë punën operative në drejtim të të gjithë të arratisurve, dhe bazave të lidhjeve të tyre të dyshimta, me qëllim që të zbulonin, parandalonin dhe godisnin në kohë veprimtarinë që zhvillohej prej tyre brenda e jashtë vendit”.
Disa nga masat e marra për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit ishin:
- Forcimi i punës operative;
- Përgatitja e planeve të masave për organizimin e kurtheve operative për kapjen ose asgjesimin e të arratisurve;
- Ngritja e agjenturës (agjentë, informatorë, rezidentë e strehues) për të kufizuar dhe evituar arratisjet. Sigurimi i Shtetit u orientua nga Partia të godiste pa mëshirë çdo tentativë në këtë drejtim. Rëndësi e veçantë iu dha tërheqjes në bashkëpunim me material shtrëngues, pasi ngritja e kësaj agjenture ishte më efikase për kapjen dhe asgjesimin e bandave diversante që depërtonin në vend;
- Vënia nën kontroll e banesave dhe lëvizjet e dyshimta të të arratisurve;
- Bashkëpunimi midis sektorit të sigurimit dhe të gjithë sektorëve të tjerë sidomos me komandat e reparteve të kufirit, gjurmëve e sinjaleve në kufi, sektorin e ushtrisë etj;
- Të grumbullohen të dhëna nëpërmjet përpunimit, të verifikohen të dhënat dhe t’u dërgohen degëve të Punëve të Brendshme të rretheve. Pas analizimit, të vlerësohen dhe e të merreshin masat e plota për ndjekjen e tyre. Të dhënat do të vendoseshin në dosjen për zbulimin përkatës, dhe të dhënat që u dalin degëve të punëve të brendshme nga burime të ndryshme, pasi të vlerësohen e të merren masat për ndjekjen e tyre, të pasqyrohen në relacionet e të arratisurve sipas përkatësisë, një kopje e tyre i dërgohet kartotekës së Drejtorisë III për t’ia vendosur në dosjen e të arratisurve.
[7]Një tjetër masë ishte bashkëpunimi dhe bashkëveprimi me përparësi me organet e kufirit dhe të Policisë, i cili ishte një process i domosdoshëm në tërësinë e punës të organeve të Sigurimit të Shtetit.
[8]Detyrat ndihmëse të policisë ishin:
- Të bashkëvepronte me organet e punëve të brendshme në ndjekjen dhe asgjesimin e të ashtuquajturve bandit e diversantë.
- Të bashkëveprojë me forcat e kufirit për ruajtjen e kufirit shtetëror (policia ndihmëse e zonës kufitare).
- Komandanti i postës së Policisë, komandanti i batalionit kufitar dhe kryetari I degës së punëve të brendshme në rretj, kishin kompetencë dhe mund të thërrisnin për bashkëveprim forcat e policisë ndihmëse të juridiksionit të tyre. Mbajtja në shërbim e këtyre forcave ishte jo me shumë se 24 orë.
Rëndësi të veçantë kishte bashkërendimi dhe bashkëveprimi sidomos me sektorin e kufirit, i cili operonte në atë vend ku objekti synonte të realizonte krimin dhe ishte pengesa e fundit parandalimin e këtij krimi dhe për këtë qëllim:
- Sektori i Sigurimit në bashkëpunim me Degën e Kufirit, merrnin masa të përbashkëta agjenturore-operative dhe ushtarake për parandalimin e veprimit të konsideruar KRIM, kapjen në tentativë apo edhe asgjesimin e objektit.
- Pas sqarimit të vendit dhe kohës së arratisjes, sigurohen shtigjet dhe rrugët e mundshme nga ku objekti do të tentontë të realizonte arratisjen.
- Këto objekte evidentohen menjëherë në listën e personave me tendencë arratisje e cila mbahet nga degët e rretheve kufitare.
Kalimi i paligjshëm i kufirit në sektorët e pajisur me pengesa elektrosinjalizuese/Kloni
Mjetet sinjalizonin për krahun e kufirit dhe sektorin ku merrej kontakti me gardhin elektrosinjalizues[9]. Ato luanin një rol të rëndësishëm në pengimin e shkelësve dhe kishin efekt psikologjik mbi ta.
Këta sektorë ndaheshin në dy grupe kryesore:
a). Kalimi pa dhënë sinjal, i cili realizohej nga një kategori personash që kishin njohuri mbi funksionimin e tyre.
b). Kalimi duke dhënë sinjal, i cili realizohej nga kategoria që nuk kishte njohuri
Kalimi i kufirit në sektorët të pajisur me pengesa elektrosinjalizuese (KLON) realizohej[10]:
- Duke prerë telat e pengesave elektrosinjalizuese në ato vende ku ajo kalon afër vijës së kufirit, në një distancë të tillë që mund të përshkruhej me shpejtësi, pa mundur të ndalej njësitet e shërbimit ose në një vend të tillë me mundësi maskimi e më pas të realizohej qëllimi. Gjithashtu kjo pengesë mund të kalohet edhe me mjete rrethanore ose të përgatitura më parë.
- Kalimi i pengesës elektrosinjalizuese duke evituar sinjalin me anën e mjeteve për izolimin e fijeve të pengesës si batanije, rroba, tako druri etj
- Me anë të shkallëve portative të përgatitura më parë.
- Duke hapur gropa në vende të buta, poshtë pengesës elektrosinjalizuese, me mjete rrethanore, duke kaluar pengesat nga poshtë apo në thellime natyrore.
- Duke mësuar me anën e një vëzhgimi të imët mënyrat e reagimit të postës dhe të njësitit kufitar. Kur në pengesë shkaktohet sinjal prej tij apo edhe nga kafshët, të cilat mund të drejtoheshin prej tyre, ai lëvizte në drejtim të kundërt të reagimit të njësitit kufitar.
Dosjet e krijuara nga ish Sigurimi i Shtetit për personat që arratiseshin
Gjatë studimit të platformës së Organeve të Sigurimit të Shtetit të vitit 1958, citohet se një ndër detyrat kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte ruajtja dhe sigurimi i paprekshmërisë së kufive shtetërore[11]. Përgjegjësi i organit të punëve të brendshme informontë Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë mbi disa çështje ku midis tyre edhe mbi ekzistencën e të arratisurve (të ashtuquajturit bandit e diversantë) në terren, cilët ishin këta, në cilat shtresa të popullsisë mbështeteshin, ç’qëllime kishin, çfarë aktiviteti tregonin dhe mbi rrezikshmërinë e tyre. Në këtë mënyrë, organet e partisë në terren informoheshin mbi veprimtarinë e armiqve dhe do të ishin në gjendje të vlerësonin punën e organeve të punëve të brendshme kundër këtyre veprimtarive duke marrë masat e duhura. Në njësitë dhe repartet e armatosura (ushtri, kufi-ndjekje), përgjegjësi i Sigurimit të repartit ushtarak, i jepte informacion komandantit ose shefit të organit mbi çështje të ndryshme apo ngjarje të jashtëzakonshme si dezertimi, arratisja ose përgatitja për arratisje etj, duke mos zbuluar agjenturën. [12]Për çdo person të arratisur hapej dosja e të arratisurit dhe paralelisht me hapjen e dosjes, Dega e Punëve të Brendshme në rreth, hapte edhe kartelën model 4. Një kopje vendosej në dosjen/fashikullin e të arratisurit që i dërgohej kartotekës së Drejtorisë së III-të, ndërsa një kopje të kësaj kartele, i dërgohej Degës së V-të të Drejtorisë së I-rë (dega e evidencës dhe kartotekës). Shumë interesante ishte qasja që kishte sigurimi[13]për fëmijët nën 14 vjeç, nuk çelej dosje por plotësoheshin të dhënat personale në kartelat model 4 të cilat dërgoheshin së bashku me dosjet e prindërve të arratisur. Dosjet e të arratisurve pasuroheshin në dinamikë me të gjithë materialet operative që dilnin në ngarkim të tyre nga burime të ndryshme si agjentura, hetuesia, teknika operative, kontrolli i korrespondencës postare etj. Fashikulli nr.1957/50 është një në shumë raste konkrete, se si ish Sigurimi prodhonte dhe grumbullonte materiale operative në ngarkim të personave që tentuan të kalonin kufirin. Rasti vërteton gjithashtu që edhe pse një apo më shumë individë kalonin kufirin, Sigurimi vazhdonte të grumbullonte material operative edhe pse ata nuk ishin më prezent brenda kufirit shqiptar. [14] Fashikulli nr.1957/50 daton në vitet 1973-1987 dhe në brendësi identifikohen; lista e materialeve që ka dosja, lista e lidhjeve familjare e miqësore, raporte agjenturore, vërtetim biografik, informacione, certifikatatë personale e familjare, korrespondencë postare, fotografi si dhe materiale të dosjes hetimore ku përfshihen; procesverbal i kqyres së vendit të ngjarjes, tabelat fotografike të ngjarjes, skica e vendit të ngjarjes, skema e kalesës së kufirit, vendim ekspertimi etj.[15]Sipas relacionit të datës __.11.1983 për shkaqet dhe rrethanat e arratisjes, thuhet se në sektorin e postës kufitare Vërnik, në anën e pikës Kapshticë, në datën 25 në të zbardhur të datës 26 qershor, u realizua një kalesë prej 2 familje me 10 anëtarë. Dy kryefamiljarët e familjeve respektive, ishin evidentuar si kontigjentë nga ana e Sigurimit dhe në ngarkim të tyre janë marrë pesë të dhëna nga bashkëpunëtori “Gryka e Shkodrës”. Në këto të dhëna bëhëj fjalë për qëndrimin e tyre dhe për një takim me një vizitor të ardhur nga Australia, vendi ku sipas të dhënave operative, ndodheshin me banim edhe babai me xhaxhallarët e tyre. Në relacion thuhet se sipas thënieve të nënës së tyre, rreth orës 22:00, të gjithë kanë dalë nga shtëpia dhe kanë kaluar jo në rrugë kryesore, por mbi fshat dhe në pikën kufitare. Arratisja e tyre u bë e mundur, duke kapërcyer gardhin me tela elektrosinjalizuese (i ashtuquajturi KLON) me shkallë prej druri të cilat ishin bërë në shtëpinë e tyre, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjetën mjetet e punës, gjë që organet e Sigurimit nuk ishin në dijeni. Në këtë relacion, me gjithë masat e marra për kontrollin e tyre, vetë organet e Sigurimit evidentuan disa të meta në lidhje me organizimin e punës agjenturale-operative. Kështu b.p. “Gryka e Shkodrës” i cili jepte të dhënat, edhe pse kishte dijeni nuk kishte informuar mjaftueshëm. Siç e pranon dhe ai vetë, nuk e kishte vlerësuar sic duhej situatën dhe nuk besonte se do të arrinin deri aty. Gjithashtu nuk ishte bërë e mundur depërtimi tek b.p. e rinj të tërhequr në drejtim të të arratiusurve, për të mësuar disa karateristika si; dëshira për të mësuar gjuhë të huaj, dëshira për muzikë, prirjet për atletikë, elementë që mund të tërhiqnin vëmendje për ta parë më seriozisht këtë problem. [16]Në raportin e datës 17.07.1977 b.p. “Gryka e Shkodrës” ka informuar se familjarët kanë marrë një letër dhe nga babai i cili ndodhej i arratisur në Australi. Brenda letrës ndodhej edhe nje çek me 110.70 $. Familjarët janë shprehur të indinjuar duke thënë që do t’i drejtohemi me një letër babait e ti themi që skemi nevojë për lekë por që të kthehet në Atdhe, me qëllim që atyre t’u hiqet njolla që ai u ka lënë. Nëpërmjet vendimit të datës 10.08.1983, pezullohen hetimet e çështjes penale. [17] Hetuesia e Degës së Punëve të Brendshme Korçë, në 26.06.1983 mbi bazën e ngjarjeve të ndodhura nisi çështjen penale për krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut, për arratisjen e një grupi personash nga qyteti i Bilishtit. Nisur nga këto hetime doli se: më datë 26.06.1983 në orët e vona të natës u realizua kalimi i pengesës elektrosinjalizuese me anë të shkallëve të drurit, të kaluar mbi pengesë i një grupi personash prej 10 anëtarë të familjes. Arratisja e tyre u krye në Greqi, por duke qenë se hetimet e nevojshme kishin përfunduar, kjo çështje u pezullua.
Gjetje: Gjatë hulumtimit të këtij fashikulli, na rezultoi se shkaqet fillestare të arratisjes, lidheshin me qëndrimin e familjes së tyre gjatë regjimit të Zogut, si edhe mbështetjen që i kishin dhënë Organizatës së Ballit Kombëtar. Por mbi të gjitha ngjarje të tilla si rratisja e xhaxhallarëve, në vitin 1955 dhe arratisja e babait të tyre në vitin 1956, kishin ndikuar që tu ngarkohej mbi supe “njolla” e biografisë së keqe[18] dhe të trajtoheshin si tradhëtarë. Kjo do kishte mjaft pasoja negative, të cilat do ti shtynin drejt arratisjes, pasi në çdo hap që do hidhin do trajtoheshin si armiq, nuk do lejoheshin të arsimoheshin apo të gjenin punën e dëshiruar. Në informacionin e datës 19.08.1983, të bie në sy përmbajtja e letrës që të arratisurit i dërgonin nënës së tyre, e cila tashmë kishte mbetur e vetmuar. Kjo letër nis me një falje për aktin e kryer dhe për mosvënien në dijeni, duke u justifikuar se kishin frikë së nëna e tyre nuk do i lejonte të arratiseshin dhe do lajmëronte organet e Ish-Sigurimit.
Akuza kryesore do të ishte: Krimi i Tradhëtisë ndaj Atdheut përmes arratisjes në grup nga zona e Bilishtit.
Pasoja: fatkeqsisht mamaja, pas arratisjes së pjestarëve të tjerë të familjes, [19]u internua dhe u mor në përpunim paraprak si agjente e mundshme e zbulimit grek. Bashkëpunëtori “Gryka e Shkodrës” u seleksionua nga rrjeti agjenturor dhe u mor në përpunim pasi në ngarkim të tij kishte materiale të vjetra, të pavërtetuara, se interesohej për të sjellë motrën e tij në Bilisht dhe prej andej të realizonte arratisjen në Greqi. Edhe pse të arratisur larg vendit, informacionet vijonin të grumbulloheshin në ngarkim të tyre. Kështu, në [20]informatën e datës 16.09.1986, bëhet me dije se të arratisurit kanë shkuar me banim në Australi, ku kanë edhe babanë e tyre. dhe fashikulli do të arkivohej me vlerë histroke.
Konkluzione
Kontrolli absolut i kufirit gjatë sistemit totalitar solli:
- Izolimin e plotë të vendit duke bërë të pamundur lëvizjen e lire dhe shkëmbimin e përvojave në art e kulturë dhe fusha të ndryshme të jetës;
- Dizinformim, përmes të cilit bota përtej kufijve, konsideohej e rrezikshme dhe armiqësore;
- Rritjen e numrit të vrasjeve në kufi;
- Rritjen e numrit të personave të ndjekur, të burgosur, të internuar pasi kundërshtonin regjimin;
- Survejimin më të lartë të sigurimit të shtetit, dhe këtë na e provon numri i lartë i dosjeve të krijuara nga sigurimi;
- Rritja e vigjilencës së sigurimit të shtetit për të parandaluar kalimin e kufirit në mënyrë që të siguronte jetëgjatësinë e pushtetit duke izoluar popullatën në të gjitha drejtimet;
- Nga ana sociale, frikë e pasiguri pasi popullsia jetonte me frikën e përndjekjes dhe ndëshkimit edhe nëse krimet ishin bërë nga pjestarë të tjerë të familjes;
- Largime të detyruara për të jetuar të lirë, duke punuar, studiuar, komunikuar lirshëm, pasi vendi i tyre ofronte kufizimin e lirive personale, dezinformacion.
Gjetje arkivore
[21]Tabela fotografike dhe skica e vendit të ngjarjes
[1] AIDSSH, Platforma e Organeve të Sigurimit të Shtetit, V.1987
[2] AIDSSH Emigracioni Politik Shqiptar 1944-1990, fq 9-10,botim i Autoritetit të Dosjeve, viti 2021.
[3] AIDSSH, Bazat Teorike, vol I, fq 176-201 (studime e botime të brendshme nga ish funksionarët e sigurimit)
[4] AIDSSH, Bazat Teorike, vol I, fq 176-201 (studime e botime të brendshme nga ish funksionarët e sigurimit)
[5] AIDSSH, Bazat Teorike, vol I, fq 176-201 (studime e botime të brendshme nga ish funksionarët e sigurimit)
[6] AIDSSH, f. DPB Tiranë, dokumente administrative të sektorit të evidencës, Udhëzimi i Ministrit të Punëve të Brendshme nr.01-49, datë 23.05.1985Për kriteret e përcaktimit dhe organiziin e punës operative në drejtim të të arratisurve
[7] AIDSSH, Bazat Teorike, vol IV, fq 48-49 (studime e botime të brendshme nga ish funksionarët e sigurimit)
[8] AIDSSH, Platforma e Organeve të Sigurimit të Shtetit, v. 1958, fq 16
[9] AIDSSH, Bazat Teorike, vol I, fq 176-201 (studime e botime të brendshme nga ish funksionarët e sigurimit)
[10] AIDSSH, Bazat Teorike, vol I, fq 176-201 (studime e botime të brendshme nga ish funksionarët e sigurimit)
[11] AIDSSH, Platforma e Organeve të Sigurimit të Shtetit, v. 1958, fq 8-13
[12] AIDSSH, Rregullore e evidencës operative të organeve të punëve të brendshme, V.1986
[13] AIDSSH, F.DPB Tiranë, Udhëzim i Ministrit të PB nr.1-49, datë 23.05.1985, fq 5
[14] AIDSSH, F.Të Arratisur, Fashikulli nr.1957/50
[15] AIDSSH, F. Të Arratisur, Fashikulli nr.1957/50, fq.10-13
[16] AIDSSH, F. Të Arratisur, Fashikulli nr.1957/50, fq.17
[17] AIDSSH, po aty, fq. 35
[18] AIDSSH, po aty, fq. 59
[19] AIDSSH, po aty, fq. 13
[20] AIDSSH, po aty, fq. 69
[21] AIDSSH, F.Të Arratisur, Fashikulli nr.1957/50


Pamje kryesore, vendi ku kanë kaluar klonin

Shkalla nga afër, nga jashtë klonit, fotografuar veri-jug

Ekspertet hetimorë mbi funksionimin dhe përdorimin e shkallës. Shkalla në momentin e gjendjes përkatëse.
Bibliografia:
- AIDSSH, Platforma e Organeve të Sigurimit të Shtetit, V.1987
- AIDSSH, Platforma e Organeve të Sigurimit të Shtetit, v. 1958, fq 8-13
- AIDSSH, Emigracioni Politik Shqiptar 1944-1990, fq 9-10, botim i Autoritetit të Dosjeve, viti 2021.
- AIDSSH, Rregullore e evidencës operative të Organeve të Punëve të Brendshme, V.1986
- AIDSSH, Bazat Teorike, vol I, fq 176-201 (studime e botime të brendshme nga ish funksionarët e sigurimit)
- AIDSSH, Bazat Teorike, vol IV, fq 48-49 (studime e botime të brendshme nga ish funksionarët e sigurimit)
- AIDSSH, f. DPB Tiranë, dokumente administrative të sektorit të evidencës, Udhëzimi i Ministrit të Punëve të Brendshme nr.01-49, datë 23.05.1985 “Për kriteret e përcaktimit dhe organiziin e punës operative në drejtim të të arratisurve”.
- AIDSSH, F. Të Arratisur, Fashikulli nr.1957/50
- AIDSSH, F. Thyesit e Kufirit, album me skica, pa autor