Ju ftojmë të lexoni artikullin reflektues të Dr. Albert Nikollës, anëtar i Authority of the Files kushtuar veprës së arkitektit dhe shkrimtarit Maks Velo, me fokus në librin e tij tronditës Betonizimi i Demokracisë.
Artikulli ripublikohet me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të Velos dhe në kuadër të aktivitetit përkujtimor që do të zhvillohet për tri ditë në Shtëpinë “Kadare–Agolli”, ku do të diskutohet puna e tij nga studentë të arkitekturës dhe historisë.
Aktivieti do të ekspozojë dosjen origjinale të survejimit dhe dënimit të tij nga regjimi komunist — një dokument që hedh dritë edhe mbi veprat e konfiskuara dhe të zhdukura të artistit.
Një ftesë për reflektim të ndershëm mbi shëmtinë urbane dhe shpirtërore që e shqetësonte thellë Velon dhe mbi nevojën për të ruajtur kujtesën përmes së vërtetës.
MAKS VELO, THE VOICE OF ONE WHO SCREAMS IN THE WILDERNESS
“Betonizimi i demokracisë” i artistit arkitekt Maks Velo është një libër tronditës. Tronditës në kuptimin parësor, por kam prirje të besoj edhe në kuptimin filofilozofik, kur ky lidhet me kategorinë e “së shenjtës”. Në fakt, për filozofin gjerman Rudolf Otto, përvoja e së shenjtës është një ndërthurje e bukur ndërmjet tronditëses (tremendum) dhe magjepsëses (fascinans) dhe Veloja na bën të përjetojmë edhe këtë përmasë gati mistike në librin e tij. Ja si shprehet duke iu referuar një vizitë në Gjermani:
“Duke vizituar ngadalë të dy vilat, një ndjenjë hyjnore më pushtoi. Dhe aty kuptova përse thuhet: Zoti mishërohet tek Njeriu. Ata, arkitektët e mëdhenj, janë mishërimi i Krishtit në organizimin e botës, janë natyra në organizimin e saj më të lartë. Dhe arkitektët e paaftë dhe të korruptuar janë mishërimi i djallit në shoqërinë njerëzore.” (Velo. M. Betonizimi i demokracisë, f. 25).
Faktin që libri është tronditës e dëshmon ndoshta edhe diçka tjetër: në përurimin e librit nuk kishte me shumicë të pranishëm që i përkasin kategorisë së arkitektëve, artistëve apo politikanëve, përveç kryeministrit Rama. Përgjigjen e kësaj mungese të dalluar e jep vetë Veloja në libër: ne shqiptarët nuk e duam të vërtetën!
Para 10 vjetësh, kur pata lexuar “Kohë antishenjë” të Maks Velos, rifitova ndjesinë e kënaqësisë që të jep leximi i mirë për letërsinë shqipe, ndjesi që në leximet e botimeve letrare të pas ’90-s më ishte venitur disi. Velo arrin, nëpërmjet atij libri, të sjellë jo vetëm të vërtetën lakuriqe të persekutimit komunist, por më shumë se aq, mjerimin moral të kolegëve dhe njerëzve të tij më të afërt.
Dashurinë për njerëzit e afërt njeriu ka një tendencë ta shenjtërojë dhe sigurisht që edhe zhgënjimi prej tradhtisë së saj është tejet i madh, Diku nga përmbyllja e librit “Kohë antishenjë”, Veloja dëshmon edhe për një indiferencë të madhe, që ai e shikon me dhimbje, e që ka të bëjë me persekutorët e tij, të cilët tashmë janë bërë “demokratë” e kanë shumë pushtet politik.
Ai libër është si parathënie e librit ” Betonizimi i Demokracisë”.
Ky libër është i aftë të përmbledhë artin, mendimin dhe mesazhin, komponentë të shprehur në një ndërlidhje të përkryer strukturimi dhe ndjenje. Artikujt e përmbledhur përmbushin njëri-tjetrin plot art si gurëzat e vegjël në një mozaik. Veloja është kthyer, prej shumë kohësh tashmë, në një “zë që klith në shkreti” Nuk ka hapësirë të jetës publike dhe artistike ku të mos ketë zërin e tij si një kambanë që lajmëron vëmendje, kujtesë, kujdes, reflektim dhe kthim. Kthim bash në kuptimin që i jep Gjon Pagëzori (“ai që klith në shkreti” Ungilli i Lukës. 3. 1-6) si kthim në rrugën e Zotit. Po ta lexojmë në vijim pjesën e Ungjillit ku përdoret shprehja në titull, shikojmë se ndoshta Veloja është frymëzuar pikërisht aty për mesazhin e këtij libri. Ja si vijon Ungjilli:
“Zëri i atij që klith në shkreti / përgatitni udhën e Zotit; / Rrafshoni shtigjet e tija! / Çdo luginë le të mbushet, / çdo mal e kodër le të ulet; / udhët e shtrembra le të bëhen të drejta / e ato gropa-gropa le të bëhen të rrafshëta / E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit”
Veloja kërkon pikërisht këtë gjë në libër. Prishje kullash të shëmtuara, prishje ndërtesash pa leje, pastrim rrugësh nga fenomeni i “barbarisë së barakave”, heqjen e bustit të dhunuesit të Tiranës. Dhe të gjitha këto në sajë të kurajës qytetare për mbrojtjen e së mirës së përbashkët. Kaq e thellë është tek Veloja “e mira e përbashkët, saqë ajo është kryefjala e librit. Veloja e di shumë mirë se midis arkitekturës dhe shpirtit të një populli ka një lidhje të fortë. Kjo gjë e trishton shumë, sepse shëmtia e madhe që ka pllakosur në Shqipëri nuk është një e keqe vetëm në vetvete, ajo e ka burimin tek “arkitektura e shëmtuar shpirtërore” e një klani të korruptuar arkitektësh, ndërtuesish e politikanësh të korruptuar:
“Shkolla shqiptare e arkitekturës është e vazhdon të jetë e çoroditur, e disekuilibruar dhe tronditjet e saj konceptuale dhe morale janë arsyeja e pjesëmarrjes së arkitektëve në masakrën urbane të Tiranës dhe Durrësit” (f. 148).
Ashtu si arkitekti antropolog Erwin Panowsky, që ka bërë një ndër studimet më interesante se si lidhet shpirtërorja me arkitekturën, Veloja dëshmon nëpërmjet librit se në shkatërrimin e qyteteve dhe të rrugëve të Shqipërisë ka një reflektim të mendësisë osmane:
“Në arkitekturën dhe urbanizimin e Tiranës reflektohen tërë mungesat profesionale dhe etike, tërë vetitë e fshehura barbare dhe primitive të kodit oriental osman” (f. 19).
Veloja gjen edhe të bukurën e mbrojtur në arkitekturën shqiptare, vlerëson përpjekjet për ta ruajtur atë dhe kërkon që këto shembuj të mbështeten e të nxiten, në mënyrë që të mbetet gjallë shpresa: “Dhe s’ka se si të mos ndodhë që prapë, arkitektët e huaj të ngrenë korpusin më të arrirë artistikisht dhe funksionalisht. E kam fjalën për Katedralen Katolike. Është i vetmi volum me kërkesa dhe arritje plastike që po ravijëzohet në Tiranë” (f. 23).
Një gjetje shumë interesante e librit është edhe paraqitja me përvujtëri e mesazheve dhe referimi ndaj përvujtërisë si çelës për të kuptuar të vërtetën. “Madhështinë” idiote që përpiqen disa ndërtues ta paraqesin me rritjen numrit të kateve Veloja e shikon pikërisht te të mos kuptuarit e faktit se tek përvujtëria qëndron madhështia: “Tek modestia qëndron madhështia e popujve europianë. Tek babëzia qëndron rënia e popujve të paformuar” (f. 191).
Ajo që nuk bashkëndaj me librin është dëshpërimi i Velos për pakthyeshmërinë e dëmit të shkaktuar nga tërbimi i të korruptuarve. Unë mendoj se dëmi mund të jetë i kthyeshëm. Duhet vullnet i fortë politik që e bukura të bëhet e pranishme.
Kur kam lexuar “Ndërgjegjja e gjymtuar e shqiptarëve” të Kadaresë, kam reflektuar thellë me veten mbi mangësitë personale për të dhënë një kontribut sa më të vlefshëm për vendin. Mund të thuhet me plot gojën se Maks Veloja është një ndërgjegje e pastër e pagjymtuar shqiptare.
Po e përmbyll me një ndër mesazhet më të goditura të librit: “Ne duhet të kemi respekt për territorin, pasi ai është si Katedralja e çdo populli; le të futemi i brenda e të falemi në gjunjë”. (f. 231).

