Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

The Chosen Ones — 76 years since the sentences that silenced democracy

Ngjarja

Gjyqi i deputetëve u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake shpalli vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945, më 10 Tetor 1947. Nga 16 të akuzuarit, tre u dënuan me varje, Shefqet Beja në Tiranë, Sulo Klosi në Rubik dhe Riza Alizoti në Kuçovë, 13 të tjerë me pushkatim, ndërsa Kolë Kuqali vdiq në hetuesi më 30 Maj 1947 nga torturat, por zyrtarisht e shpallën të vetëvarur në spitalin ushtarak të Tiranës. Procese gjyqësore u mbajtën edhe në fillim të vitit 1948 ku përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe 27 persona të tjerë që iu përfshinë këtij gjyqi tërësisht të trilluar. Burgosja dhe dënimi i deputetëve dhe intelektualëve me orientime demokratike e kombëtare bëhej në momentin kur Kuvendi Popullor duhej të ratifikonte Konventën Jugosllave dhe prononcimin e drejtimit të politikës së jashtme dhe të brendshme si prolindore me Bashkimin Sovjetik në krye.

Si i kujtojmë deputët e ekzektuar politikisht

76 vite më pas, AIDSSH përmes ekspozitës “Të zgjedhurit- 76 vite nga dënimet që heshtën demokracinë,” në të cilën ndërthuren dokumente dhe dëshmi të familjarëve të 43 qytetarëve shqiptarë, deputetë të kohës dhe intelektualë i bën jehonë mendimit të lirë, opozitës demokratike këtu në shtëpinë ku mblidhen njerëzit e zgjedhur nga vullneti i qytetarëve.

Para 33 vjetësh, u zgjodh demokracia perëndimore dhe këto janë vlerat tona, aspiratat tona për zhvillim dhe përparim, ky është dhe sistemi i referimit ku ne drejtohemi përditë. Ngjarja që kujtojmë është cilësuar nga historianët si një ngjarje tronditëse në historinë e komunizmit në Shqipëri dhe një pikë kthese, siç e pohoi edhe Kryetarja e Kuvendit, shënjoi fillimin e instalimit të diktaturës së proletariatit, mohimin i lirisë së mendimit, mohimin i aktivitetit politik pluralist dhe fillimin e instalimit të një shoqërie që kontrollohet përmes forcës dhe frikës.

A.Kamy thotë: “Liria është ajri pa të cilin nuk mund të bëjmë, që ne thithim pa e vënë re, derisa të vijë koha kur, të privuar prej saj, të ndjejmë se po vdesim.”

Kështu menduan të 14 deputetët, figura të shquara të shoqërisë së kohës, antifashistë, profesionistë dhe politikanë të nderuar, të cilët me vetëdije iu kundërvunë kufizimit të lirive politike të shqiptarëve, duke e kuptuar se kjo do t’i largonte ata nga perëndimi. E theksova fjalën vetëdije sepse ata vërtetë ushtruan një aktivitet politik të vetëdijshëm, por gjithmonë brenda kuadrit të vlerave demokratike, asnjëherë me mjete jo demokratike.

Ekspozita e emërtuam “Të zgjedhur” sepse ne ndjemë se zgjedhja e tyre ishte bërë disa herë. Ishin të zgjedhur nga fati sepse ishin njerëz të veçantë, të talentuar, të shkolluar, të mbështetur në jetën e tyre për t’i dhënë vlera shoqërisë tonë. Mirëpo ata u zgjodhën dhe u piketuan edhe nga drejtuesit e lartë të Partisë Komuniste të kohës sepse ishin vlera që i duheshin atyre për të fituar bindshëm

zgjedhjet e para të ’45, prandaj u përfshinë në listat e Asamblesë Kushtetuese sepse kishin reputacion jo vetëm si intelektualë, por edhe sepse kishin qenë dhe pjesë e luftës antifashiste. [1]

Shqipëria vinte nga lufta, përballja me fashizmin dhe ne nuk mund të harrojmë që fashizmi përfaqëson disa anti-vlera: autoritarizëm, nacionalizëm ekstrem, militarizëm, propagandë ekstreme, diskriminim racor, në thelb anti-demokraci dhe ekstremizëm, të cilat shoqëria e sotme, shoqëria pro-perëndimore, i njeh si anti-vlera, të dëmshme për shoqërinë dhe njerëzimin.

Antifashist në luftë, por antifashist edhe pas luftës

Deputet, fillesa e një opozite demokratike, ishin antifashistë. Antifashist në luftë, por antifashist edhe pas luftës. Ata kishin përfaqësuar dhe përqafuar me vetëdije vlera si: demokracia, toleranca, solidariteti, liria e fjalës, e shtypit, të drejtat e njeriut, edukimi demokratik i shoqërinë dhe aspiruan për një shoqëri paqësore brenda vetes.

Pikërisht këtyre vlerave, deputetët opozitarë i qëndruan besnikë, duke e paguar lirinë me jetën e tyre. Këto vlera u braktisën nga pushteti, i cili mbeti totalitar deri në fund të vitit 1991.

Antifashizmi, si bindje dhe aksion politik, u përdor si aset moral i fituesve të luftës për të marrë dhe për ta mbajtur pushtetin. Kjo bazë antifashiste u braktis, po ndërkohë grupi i deputetëve të ekzekutuar vijon edhe sot t’i përfaqësojnë këto vlerat të larta të antifashizmit, të një shoqërie njerëzore që lulëzon në paqe, të një shoqërie moderne me prosperitet ekonomik, shoqëror, me një sistem politik liberal që gëzojmë sot.

Selaudin Toto artikulonte se “debati i lirë intelektual do të çonte drejt lirisë së mendimit dhe krijimit të një shtrese të vërtetë intelektualësh në Shqipëri.”; Kostandin Boshnjaku, drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, duke shprehur pakënaqësinë për Reformën Agrare tha se “Pa iniciativën private nuk mund të bëhet as rindërtim, as ndërtim dhe asnjë përparim në ekonominë tonë”; deputeti Riza Dani u shpreh kundër miratimit të Statutit/Kushtetutës, sipas modelit sovjetik të shtetit, i përshkruar nga fryma ideologjike dhe shpalli publikisht se: “Unë jam për një demokraci të lirë”. Deputeti Beja shpalosi idetë̈ e tij për një sistem liberal ekonomik dhe deklaroi deri në fund të jetës se “Pushteti është absolut, mbasi nuk mund të jetë demokratik kur dominon një parti e vetme”.[2]

Të gjitha këto deklarata ata nuk i thanë në mënyrë jo demokratike, i deklaruan nëpër artikuj gazetarie, në fjalimet e tyre gjatë diskutimeve në Kuvend, të cilat i gjejmë sot të dokumentuara.

Vijon një hetim i dhunshëm, i shpejtë. Dalin në dritë prova dhe letra, edhe pse ishte bunkerizuar çdo gjë. Zhvillohet një ekzekutim i natyrës politike, shënohet e ardhmja tragjike e gjithë shoqërisë, një shoqëri, e cila sa më pak është e lirë, aq më shumë shkon duke u tkurrur në vetmi dhe varfëri.

Liria, ne të gjithë si qytetar e dimë, është një kusht thelbësor, jo opsional, për një shoqëri të begatë. Njerëzimi ka nevojë për liri që të rritet, të çlirojë krijimtarinë e vetë, të zhvillojë qytetërimin, të bëjë përpara, të begatohet e të jetojë i qetë.

Prandaj ndjehemi mirë tek kujtojmë këta tribunë të lirisë së mendimit:

Shefqet Bejën, Enver Sazanin, Sheh Karbunarën, Selaudin Toton, Irfan Majunin, Riza Danin, Islam Radovickën, Kolë Kuqalin, Tefik Deliallisin, Hysen Shehun, Riza Alizotin, Salim Kokalarin, Beqir Çelan, Abdyl Kokoshin, Agathokli Xhitonin, Faik Shehun, Uan Filipin, Hilmi Hysin, Syrja Selfo, Hasan Reçin, Ramazan Tabaku, Pertef Karagjozi, Mehmet Prishtina, Paolo Saggioti, që të gjithë të dënuar me vdekje. Bashkë me ta dhe intelektualët të dënuar në grup me burgime të gjata dhe të përjetshme.

Për të ndërtuar këtë ekspozitë u shfletuan rreth 8 mijë fletë dokumente.[3] Një pjesë e kësaj ekspozite do të jetë permanente, shpresojmë, pasi ta testojmë me këtë ekspozitë të lëvizshme, me qëllim që të gjithë të kemi një shans më shumë për t’u shkundur nga indoktrinomi apo padija për këtë pjesë të historisë, duke e çmontuar propagandën që është ndërtuar në ato dekada, duke eliminuar edhe ndonjë nostalgji të padobishme që mund të ngrejë kokën aty, këtu.

Të nderuar deputetë,

Duke folur për rishqyrtimin e historisë, nuk mund të lëmë pa përmendur familjet. Viktimat e të shkuarës nuk u zhdukën në asgjë, ata lanë pas familje, nëna, baballarë, fëmijë, nipër, mbesa.

Dëshmitë e mbesave të deputetit Shefqet Beja janë shumë prekëse. Izolimi politik i tyre, stigma që mbajtën mbi supe ju kundërvu zhvillimit, lulëzimit dhe përparimit të tyre njerëzor.

Gjithsesi ata janë këtu mes nesh sot, për të na kujtuar që ka disa gjëra që akoma nuk janë bërë. Kur themi rishqyrtim historik, do të thotë që edhe të kujdesemi për ata që lanë pas. Akoma eshtrat e këtyre deputetëve janë të pagjetura, akoma dëmshpërblimi i disa prej familjeve nuk është mundësuar për shkaqe burokratike ose ngërçe të ndryshme.

Për këtë arsye unë i kërkoj vendimmarrësve, Qeverisë, Kuvendit t’i marrë parasysh këto çështje të mbetura pezull, këto axhenda të pambaruara, sepse kujtimi i këtyre heronjve do të jetë më i plotë edhe me i vërtetë nëse ne kujdesemi për familjet që ata lanë pas.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj vizitë të këndshme të ekspozitës!

* Fjala e kryetares së AIDSSH-së në çeljen e ekspozitës “TË ZGJEDHURIT-76 vite nga dënimet që heshtën demokracinë”, në Kuvendin e Shqipërisë, 12 tetor 2023.


1. Sonila Boçi, Hamit Kaba, Deputetët opozitarë përballë ndërtimit të “shtetit të diktaturës së proletariatit” , Botimi “Deputetet për deputetët”, AIDSSH Tetor 2017 .
2.Po aty,fq.94-128; si dhe Arkivi I AIDSSH-së, dokumente nga dosjet hetimore gjyqësore nr.2224 dhe nr.1393.
3. Arkivi i AIDSSH, dokumente nga dosjet hetimore gjyqësore nr.2224 dhe nr.1393; dosjet formulare të Kolë Kuqalit, Selaudin Totos, Halit Gjolenës, Isuf Hysenbegasit dhe Hasan Reçit ; dosjet e grupeve Monarkiste, Social-Demokrate e të Rezistencës