Në kuadër të 52-vjetorin të revoltës së të burgosurve politikë në kampin –burg të Spaçit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit organizon aktivitetin përkujtimor “Spaçi në kujtesën digjitale”.
Ky aktivitet shënon një hap të ri në përpjekjet tona për ruajtjen e kujtesës historike dhe edukimin qytetar mbi diktaturën komuniste, përmes arkivës digjitale, ku dokumentet arkiovre pasurohen me dëshmitë nga të mbijetuarit.
Më 20 maj 1973, në një nga kampet më famëkeqe të regjimit, shpërtheu një nga aktet më të rralla të qëndresës politike: Revolta e Spaçit. Të burgosurit ngritën zërin kundër padrejtësisë, shtypjes dhe dhunës sistematike. Sot, 52 vite më pas, ne nderojmë këtë qëndresë dhe sakrificë përmes një mjeti të ri kujtese – faqes zyrtare të Spaçit, e cila do të prezantohet për herë të parë gjatë këtij aktiviteti.
Faqja web e Spaçit është një arkivë digjitale që sjell dëshmi, dokumente, harta, intervista dhe materiale edukative për këtë kamp dhe për Revoltën e majit 1973. Ajo synon të afrojë të rinjtë me këtë kapitull të rëndësishëm të historisë përmes një ndërfaqeje të qartë dhe interaktive, në shërbim të dijes, kujtesës dhe reflektimit shoqëror.
Çfarë mund të gjeni në faqe www.spac.al ?
• Lista të të dënuarve dhe histori jetësore
• Dokumente historike dhe dëshmi të kohës
• Materiale për revoltën e Spaçit dhe protestat
• Pjesë të arkivave dhe dëshmi gojore
• Të dhëna për personat e zhdukur dhe ekspozita të përkujtimit
#Spaç #Kujtesa #Historia #AIDSSH #TëZhdukurit
Ju ftojmë të merrni pjesë në këtë moment përkujtimor dhe njohjeje, që bashkon dokumentin, dëshminë dhe teknologjinë në një platformë që i shërben zbardhjes së të vertetës dhe mësim
mbi të kaluarën tonë të errët.