Tiranë 14 korrik 2025 – Drejtuesja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, në një intervistë për emisionin Log. në News24, foli mbi dokumentet arkivore që lidhen me ngjarjet e 2 korrikut 1990 dhe reagimin e Sigurimit të Shtetit në atë kohë.
Sula bëri të ditur se në arkivë ndodhen mbi 100 faqe material që pasqyrojnë analizat e Sigurimit mbi krizën e refugjatëve në vendet e Evropës Lindore, si Hungaria dhe Polonia, pas rënies së ndikimit sovjetik. Agjentët, sipas saj, shfaqnin shqetësim për këto zhvillime dhe i ndiqnin nga afër, por dokumentet nuk tregojnë se ishte parashikuar shpërthimi i ambasadave në Tiranë më 2 korrik 1990, kur mijëra qytetarë kërkuan strehim në përfaqësitë diplomatike të huaja.
“Para 2 korrikut kishte rreth 15 mijë tentativa për kalim të kufirit,” theksoi Sula, duke kujtuar se ndryshimi i Kodit Penal dhe dhënia e pasaportave për qytetarët e zakonshëm erdhën vetëm pas këtyre ngjarjeve.
Ajo nënvizoi kontrastin e madh midis gjuhës së përdorur nga Sigurimi i Shtetit dhe mediave ndërkombëtare, si Zëri i Amerikës, të cilat raportonin për disidentë dhe pakënaqësi masive në vend.
Dokumentet arkivore dëshmojnë për ngjarje tragjike, përfshirë edhe vrasjen nga forcat shqiptare të sigurisë të një të riu 17-vjeçar, Altin Basha, i cili kishte hyrë në ambasadën gjermane në përpjekje për t’u larguar nga vendi.
Po ashtu, u soll në vëmendje historia e jashtëzakonshme e një vajze 18-vjeçare, në muajin e fundit të shtatzënisë, e cila arriti të kapërcejë murin 2.5 metra të lartë të ambasadës gjermane dhe lindi vajzën brenda saj më 7 korrik 1990. Ky akt nuk ishte një rastësi, por një zgjedhje e guximshme në një moment dëshpërimi të thellë. Ajo dhe bashkëshorti i saj vinin nga një familje e përndjekur.
Përndjekja nga Sigurimi nuk ndaloi as pas largimit të shqiptarëve jashtë vendit. Refugjatët vijuan të ndiqeshin edhe në vendet pritëse, përmes presioneve dhe incidenteve të frikësimit të natyrave të ndryshme.
Për më shumë klikoni në linkun: https://www.youtube.com/live/kpEzAe2tNFs
M.D