Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Hetimi administrativ i dosjes Camajt: Vlerësim profesional mbi një figurë të ndritur të kulturës shqiptare

Fjala e z. Altin Hoxha mbajtur në aktivitetin e Qendrës së Librit, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt

Shumë studiues dhe historianë kanë bërë kërkesa në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për dosjen e Martin Camajt, dhe Autoriteti, në bazë të ligjit, ua ka vënë në dispozicion këto dokumente. Në bazë të analizave të këtyre dokumenteve, studiues të ndryshëm kanë folur në media, duke nxitur një debat mbi mënyrën se si duhej parë dhe interpretuar dosja e Martin Camajt. Pikërisht duke u nisur nga ky debat, Autoriteti mori vendimin për të kryer një hetim administrativ të plotë të dosjes së Martin Camajt.

Është zhvilluar një punë e thelluar me anëtarët e Autoritetit dhe specialistët më të mirë për të vlerësuar çdo dokument që ndodhej në këtë dosje dhe për të përgatitur një vlerësim profesional mbi përmbajtjen e saj, për të dalë në një vendim përfundimtar me rekomandime të qarta. U përfshinë gjithashtu edhe ekspertë të jashtëm, mes tyre edhe ekspertë gjermanë, të cilët lexuan versionin e përkthyer të dosjes dhe dhanë mendimin e tyre për çështjet që ishin bërë objekt i debatit publik në Shqipëri.

Sot, në 100-vjetorin e lindjes së Martin Camajt — ashtu siç bëmë edhe në 95-vjetorin e tij — ndajmë opinionin, vlerësimin dhe raportin profesional të Autoritetit mbi gjetjet në këtë dosje.

Në mënyrë të përmbledhur, dosja e Martin Camajt, e hartuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, përmban 163 faqe dhe është hapur në vitin 1948, duke vijuar deri në vitet e para të demokracisë, deri në vitin 1992.
Martin Camaj u arrestua nga organet e Sigurimit për shkak të lidhjeve që kishte në atë kohë me persona që kundërshtonin vendosjen e regjimit komunist. Si rezultat i këtij arrestimi, në dhomat e hetuesisë, për shkak të shtrëngimit dhe torturave, Martin Camaj firmosi një deklaratë (e ruajtur në dosje), ku shprehej i gatshëm të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit.

Por, sa zgjati kjo dhe çfarë ndodhi më pas?
Bashkëpunimi zgjati vetëm një muaj, dhe nga dokumentet del qartë se Martin Camaj nuk dha asnjë të dhënë. Madje, paradoksalisht, personi me të cilin ishte parashikuar të bashkëpunonte, u arratis bashkë me të, vetëm tre muaj më vonë, në drejtim të Jugosllavisë. Këtu, mund të themi, fillon dhe mbaron i gjithë debati.

Është e vërtetë se Sigurimi i Shtetit, me metodat e veta shtrënguese, tentoi ta rekrutonte Martin Camajn. Është po aq e vërtetë se ekzistenca e disa dokumenteve në dosje — përfshirë deklaratën e nënshkruar në kushte presioni — ka ngjallur dyshime për mundësi falsifikimi nga punonjësit e Sigurimit. Për këtë arsye, Autoriteti ka kërkuar ekspertizë nga Policia Shkencore dhe nga ekspertë të huaj, duke dalë në një konkluzion të qartë mbi autenticitetin e dokumenteve.

Pas arratisjes në Jugosllavi, Camaj u martua me një shtetase jugosllave dhe më pas u vendos në Itali, ku vendosi kontakte me Ernest Koliqin dhe nisi aktivitetin e tij shkencor. Pavarësisht hetimeve dhe përpjekjeve të Sigurimit për ta trajtuar si bashkëpunëtor, vetë dokumentet e ish-Sigurimit dëshmojnë se Martin Camaj ishte një dashamirës i gjuhës shqipe, një intelektual me vlera të larta kombëtare, të cilin Sigurimi përpiqej ta shfrytëzonte për qëllimet e veta.

Në përfundim të vlerësimeve të veta, edhe vetë Sigurimi i Shtetit pranonte se “Martin Camaj nuk ka qenë asnjëherë i sinqertë me ne, nuk na ka dhënë asnjë të dhënë dhe asnjë emër për t’i bërë keq dikujt.” Disa vite më vonë, ai u përfshi në nivelin më të lartë të përndjekjes nga Sigurimi, në kategorinë 2A. Bashkëpunëtorë të Sigurimit dhanë informacione për aktivitetin e tij shkencor dhe letrar, për dashurinë e tij për gjuhën shqipe, për kontaktet me figura të njohura dhe për përkushtimin e tij ndaj Atdheut, Shqipërisë dhe Kosovës.

Sigurimi tentoi me mënyra ekstreme ta rikthente në bashkëpunim, madje planifikoi të përdorte deklaratën e marrë nën presion për ta ekspozuar si “bashkëpunëtor”, gjë që përbënte shkelje edhe brenda strukturave të vetë Sigurimit. Kështu vijoi ndjekja e tij deri në vitin 1992.

Një pjesë e veçantë e dosjes përfshin fjalën e mbajtur nga Martin Camaj gjatë një vizite në Amerikë, një dokument që tregon qartë profilin e tij intelektual dhe kombëtar, si dhe mënyrën sesi ai shihej si figurë e rëndësishme nga qarqet perëndimore.

Në përfundim, hetimi administrativ i ndërmarrë nga Autoriteti për dosjen e Martin Camajt tregon se, edhe pse ekziston një firmë e tij në dokumente, Camaj nuk mund të përfshihet në kategorinë ligjore të “bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit”, pasi nuk ka dhënë asnjë informacion. Përkundrazi, me veprimet e tij, ai ka dëshmuar integritet dhe ndershmëri në rrethana të jashtëzakonshme presioni.

Prandaj, ftoj sa më shumë studiues, historianë dhe gazetarë të vijnë dhe të studiojnë vetë dosjen e Martin Camajt, për të njohur nga afër faktet dhe për të kontribuar në një debat të bazuar në dokumente dhe profesionalizëm, e jo në interpretime të pjesshme.