117 vjet më parë lindi një nga figurat më ndikuese, por njëherazi më të errëta të historisë sonë kombëtare. Trashëgimia që ai la pas vazhdon të ngjallë reflektim dhe debat të thellë në shoqërinë shqiptare. Një nga institucionet më famëkeqe që ai ndërtoi dhe ushqeu ishte Sigurimi i Shtetit – arma sekrete, ideologjike dhe represive, instrumenti më besnik i Partisë së Punës dhe i pushtetit të tij absolut.
Dokumentet që sjellim në këtë tekst ekspozojnë rolin personale të Enver Hoxhës në drejtimin e Sigurimit të Shtetit — jo vetëm si ideolog i shtypjes, por edhe si zbatues aktiv i saj. Ai jepte urdhra konkrete për dënime, ndëshkime, goditje politike e fetare, deri në detaje teknike, si organizimi i shifrave në aparatin sekret të shtetit.
Në dokumentin arkivor të vitit 1963 (Fond 4, Dosja 159 – Fjalimi i 20-vjetorit të Sigurimit të Shtetit), Enver Hoxha nuk la vend për keqkuptime: ai e përcaktoi qartë se Sigurimi nuk ishte organ shtetëror i pavarur, por një armë e Partisë, e ngritur për të mbrojtur regjimin dhe për të goditur çdo zë kritik, çdo mendim ndryshe, çdo qytetar që devijonte nga vija e partisë.
“Atë e krijoi Partia nga gjiri i popullit dhe, tok me popullin, nën udhëheqjen e Partisë… Arma e Sigurimit është dora e çeliktë e popullit që ndërton socializmin.”
Në fakt, kjo “dorë e çeliktë” u kthye në një grusht të hekurt ndaj vetë popullit. Ajo u përdor për të ndjekur, arrestuar, internuar e ekzekutuar mijëra shqiptarë të pafajshëm — në emër të një ideologjie që kërkonte nënshtrim total.
Ky fjalim është një dëshmi e qartë e drejtimit të Sigurimit nga vetë Hoxha. Ai jo vetëm që pohon se Partia ka krijuar dhe drejton Sigurimin, por kërkon që punonjësit e tij të jenë “luftëtarë kundër armiqve”, njëkohësisht “punëtorë politikë dhe agjitatorë të shquar” — pra, hetues dhe propagandistë.
Në fund, ai shton zotimin : “Si kurdoherë, pranë jush do të jetë Partia. Ajo që e krijoi dhe e ka udhëhequr Armën e Sigurimit, edhe në të ardhmen do ta udhëheqë atë.” Ky është momenti kur një institucion i sigurisë, shndërrohet në aparat terrori ideologjik, në shërbim të një partie dhe të një njeriu të vetëm.
Kontrolli personal dhe urdhrat konkrete:
Viti 1949 – Instruksionet për shifrën seKrete (Arkiva AIDSSH, Fondi 4, viti 1949, Dosja 16, Kutia 51 – Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit)
Ky dokument tregon qartë se Hoxha jep miratimin për strukturimin e shërbimit të shifrës sekrete – një komponent kritik në komunikimet e fshehta të Sigurimit. Ai provon kontrollin e tij personal mbi çdo aspekt të aparatit represiv.
V.1958 – Gjyqi ndaj Dom Engjëll Kovaçit, dokumentet nga arkiva AIDSH (F.4-1958-D.105-K.2 – Relacion me vërejtje të firmosura nga Enver Hoxha).
Në këtë dokument, Hoxha angazhohet drejtpërdrejt në dënimin me pushkatim të priftit katolik, sipas një kurthi të ngritur nga Sigurimi i Shtetit. Ai kërkon që gjyqi të shfrytëzohet për propagandë kundër klerit katolik, për të përgatitur goditjet e mëvonshme ndaj të gjitha besimeve fetare në Shqipëri — një provë e qartë e instrumentalizimit të drejtësisë për qëllime ideologjike dhe shtypjeje fetare.
Ja çfarë thotë shënimi i E. Hoxhës për shokun Kadri : “Këta të hidhen në gjyq, në rrethin e Shkodrës dhe në rrethe të tjera katolike. Të bëhet çështje propagande (shih edhe shënimet që kam vënë në propozimet tuaja).
Për shtypin nuk është e oportune që të jepet gjerë. Në shtyp mund të vendosim vetëm një njoftim të shkurtër se u bë gjyqi i filanit, i cili vrau brenda në kishë filanin (të përmendet arsyeja, por jo hollësisht). Bisedojeni me shokun Mehmet këtë çështje dhe vijeni në veprim.”
(21 tetor). Në vazhdim, ai shton:“Nuk është e nevojshme ta bëjë Kolegji i Gjykatës së Lartë. Mund të përmenden krime të klerikëve të mëparshëm, por nuk është e menjëhershme të zhvillohet një proces i madh kundër Kishës Katolike.”
V.1975 – Sabotimet në uzinën e naftës në Ballshit, dokumente nga Arkiva AIDSSH , Fondi.4-1975-D.115-K.64 – Informacion me shënim të E. Hoxhës) Hoxha urdhëron që, bashkë me të ashtuquajturit “sabotatorë të naftës”, të theksohet lidhja e tyre me “grupin puçist në ushtri” dhe “sabotatorët në ekonomi”. Edhe këtu, “drejtësia” vepron nën komandën e Partisë dhe të udhëheqësit të saj suprem.
Ja çfarë shkruhet konkretisht : “Shoku Kadri, Po të kthej informacionin. Jam dakord që gjyqi të bëhet i mbyllur, ashtu si ju propozon. Në procesin dhe akt-akuzën të përcaktohet si çështje kryesore veprimtaria armiqësore dhe sabotazhi në industrinë e naftës…
Këto porosi t’u bëhen të qarta që të dalin si duhet në gjyq. Bisedo me Aranitin se çfarë masash duhet marrë; përcaktoni me kujdes dhe veproni.”
14 prill 1976.
1984 – Mbi gjendjen e kuadrit në Ministrinë e Brendshme, dokumenti i arkivës AIDSSH (F.4-1984-D.12-K.124 – Fjalë e Hoxhës dhe H. Isait në Sekretariat) Ky dokument tregon Hoxhën duke dhënë udhëzime mbi kuadrin e Sigurimit, duke dëshmuar vazhdimësinë e kontrollit të tij personal edhe në dekadën e fundit të jetës.
Dokumentet janë plotësojne faktin se Sigurimi i Shtetit ishte një zgjatim i drejtpërdrejtë i vullnetit të Enver Hoxhës dhe të Partisë së Punës. Hoxha jo vetëm ideologjizonte dhunën, por e menaxhonte vetë: nga dënimi i klerit, te përsekutimi i “sabotatorëve ekonomikë”, e deri te kontrolli mbi strukturën teknike dhe njerëzore të aparatit të Sigurimit.
Dokumentet hedhin dritë të re mbi mekanizmat e drejtësisë së komanduar, që vendoste fatet e njerëzve sipas vijës politike dhe urdhrave të një njeriu të vetëm.
Enver Hoxha dhe Partia që ai drejtoi erdhën në pushtet me premtimin për drejtësi dhe barazi, por ndërtuan sisteme të frikës, ndarjes dhe shtypjes. Me mbi katër dekada në pushtet, ai e shndërroi Shqipërinë në një nga diktaturat më të izoluara dhe më të pamëshirshme të Evropës. Ndërsa vendi jetonte në varfëri ekstreme dhe frikë të përhershme, pushteti i tij mbështetej në një rrjet survejimi të gjithanshëm, ku Sigurimi i Shtetit ishte shtylla kryesore e frikës dhe kontrollit.
Sot, ndërsa instucionet përpiqen të ndërtojmë një shoqëri të lirë dhe demokratike, kujtesa historike mbetet e domosdoshme. Duhet t’i rikthehemi historisë me sy kritik, pa glorifikim dhe pa harrim, për të kuptuar pasojat e rënda që pushteti i Enver Hoxhës la pas.
Gentiana Sula Faqja ZyrtareGentiana Mara SulaAltin HoxhaSkender VrioniAlbert NikollaGjergj MarkuManjola Bici @Aida Shala Aldi DedndreajElona Riska
Migena Demirxhi












#figurathistorike#mesojmëngaekaluara @followers #arkivaaidssh