Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Studimi i kuadrit ligjor për menaxhimin e kufirit gjatë regjimit komunist në vitet 1944-1991

Msc. Silva Behari

      Specialist,

Drejtoria e Marrëdhënieve Ndërinstitucionale në Procesin e   Idenitifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur

Abstrakt

Një ndër tiparet e veçanta të regjimit totalitar të instaluar në Shqipëri, ishte ndëshkueshmëria jo me bazë ligjore-racionale, por me bazë emocionale dhe si rrjedhojë edhe institucionet e krijuara ishin të paligjshme, gjykatat ishin inegzistente dhe gjyqet ndaj të ashtuquajturve armiq të partisë i bënte kryesisht masa. Duke qenë se armiku më i rrezikshëm ishte ai i ardhur nga jashtë, mbrojtja e kufirit cilësohej si një ndër objektivat kryesorë të kohës, madje sanksionet për çdo person që tentonte të shkelte kufijtë parashikoheshin edhe në ligj.  Duhet theksuar se masat e ndëshkueshmërisë, binin totalisht ndesh me të drejtat e njeriut në demokraci dhe ishin gati gati ç’njerëzore, por përpos kësaj, ishin të shumtë  personat të cilët tentuan të arratisen dhe ia dolën me sukses. 

Qëllimi i punimit me temë “Studimi i kuadrit ligjor për menaxhimin e kufirit gjatë regjimit komunist në vitet 1944-1991”, është që të paraqesë në mënyrë të përgjithshme, një tablo të  qartë të kuadrit ligjor, i cili ishte në funksion të menaxhimit dhe ruajtjes së kufijve gjatë periudhës 1944-1991. Gjatë punimit do të ndalemi në çështje të tilla si: njohja dhe paraqitja e një tabloje të përgjithshme të kuadrit ligjor të periudhës 1944-1991 për menaxhimin dhe ruajtjen e kufijve; aplikimin e masave të dënimit të sanksionuara në Kodin Penal ndaj të gjithë personave të ndaluar në kufi; çdo lloj mase tjetër që merrej ndaj familjarëve të atyre që ja dolën të arratisen dhe t’i shpëtojnë regjimit të asaj kohe; ndryshimet që pësoi Kodi Penal në vitin 1990 dhe pasojat që shkaktoi për shqiptarët.

Metodologjia, që është përdorur për shtjellimin e këtij studimi, është  metodologjia hulumtuese,  e cila përqëndrohet tek analizimi i dokumentave origjinale dhe shqyrtimi i fakteve, duke nxjerrë më pas argumente, konkluzione dhe disa sugjerime e rekomandime.  

Pritshmëritë:

Nëpërmjet këtij studimi synohet, që të arrihen disa objektiva: të realizohen sa më shumë hulumtime rreth vrasjeve në kufi, të zhdukurve dhe ndëshkimeve të padrejta.

Fjalë kyçe: kuadër ligjor, kufi, regjim komunist, arratisje, dënim.

  1. Hyrje

Mbrojtja e kufijve cilësohej si një ndër objektivat kryesorë të kohës, madje sanksionet për çdo person që tentonte të shkelte kufijtë parashikoheshin edhe në ligjet e miratuara. Masat e ndëshkueshmerisë ishin të ashpra, duke filluar që nga dënimet me internim e burgosje deri në dënimet kapitale apo me ekzekutim. Një ndër karakteristikat kryesore të regjimit totalitar Shqiptar, siç u përmend edhe më sipër ishte ndëshkimi pa bazë ligjore dhe rrjedhimisht të gjitha institucionet e krijuara ishin të paligjshme dhe të papërfillshme. Kjo pasi, hierarkia institucionale e parashikuar në Kushtetutë nuk u respektua kurrë dhe e njëjta gjë ndodhi edhe me institucionet e tjera kushtetuese duke përfshirë këtu qeverinë, gjykatat, prokurorinë etj. Drejtësia penale kishte mё shumë karakter klasor dhe edukativ dhe synimi parësor i saj nuk ishte zbatimi i detyrueshëm i tё drejtës.

Ndërkohë që bota kishte vendosur rregulla për mbrojtjen e personave që kalonin kufijtë e vendeve të tyre jo legalisht nëpërmjet Konventës së Gjenevës për Statusin e Refugjatëve[1], e cila u miratua në 28 korrik 1951 dhe hyri në fuqi më 22 prill 1954, në Shqipërinë e viteve 1944-1991 vijonin ekzekutimet dhe arrestimet ndaj shtetasve të cilët përpiqeshin të kalonin kufijtë e vendit.

Neni 2 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut thekson se secili prej nesh ka të drejtën e jetës dhe kjo e drejtë mbrohet me ligj[2]. Partia-shtet e shkelte këtë të drejtë kur bëhej fjalë për çdo shtetas që tentonte të kalonte kufirin e ndaluar. Forcat e kufirit kishin të drejtë të ndalonin dhe të qëllonin çdo njeri që kalonte kufirin, duke cënuar dhe shkelur drejtëpërdrejtë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të sanksionuara në konventa dhe akte të tjera ndërkombëtare.

Sipas konventave ndërkombëtare, edhe në kontekstin e kontrollit të kufirit, autoritetet duhet të veprojnë në përputhje me parimet e nevojshmërisë dhe proporcionalitetit, duke respektuar plotësisht të drejtën e jetës së çdo personi, e cila binte ndesh me praktikën e ndjekur nga Forcat Kufitare gjatë periudhës komuniste.

Në vitin 1946, u miratua Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë, e cila shërbeu si bazë për ndryshimin tërësor të sistemit të drejtësisë penale, e më pas në vitin 1976 u miratua Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Në Kushtetutë parashikoheshin disa parime bazë mbi funksionimin e shtetit të së drejtës siç ishin[3]:

  • pavarësia e gjykatave në ushtrimin e funksioneve të tyre (edhe pse ky parim nuk u zbatua kurrë, pasi gjykatat influencoheshin drejtpërdrejtë nga partia);
  • sigurimi i së drejtës së mbrojtjes së të pandehurit (edhe ky parim nuk u respektua për arsye se në reformat e bëra në drejtësi në vitin 1966, u suprimua Ministria e Drejtësisë dhe funksionet e saj i kaluan Gjykatës së Lartë, duke hequr më tej edhe avokatinë, me dekretin 4277, datë 20 qershor 1967, duke e konsideruar avokatinë si institucion i panevojshëm, madje edhe i dëmshëm).

Parime të tjera ishin edhe gjykimi publik, gjykimi me juri të përbërë nga ndihmësgjyqtarë, zgjedhja e gjyqtarëve nga populli, si dhe e drejta e gjykatës për të gjykuar si gjykatë e shkallës së parë ose të dytë, por kjo kompetencë do të caktohej me ligj[4]. Edhe këto parime mbeteshin thjesht të shkruara në letër, pasi asnjë prej tyre nuk zbatohej, kjo për arsye se sistemi gjyqësor funksiononte në bazë të paligjshmërisë dhe njëanshmërisë.

  • Analizë e kuadrit ligjor për menaxhimin e kufirit gjatë regjimit komunist

Të shumta kanë qenë ligjet, aktet ligjore e nënligjore, urdhrat, udhëzimet, rregulloret e dekretet që janë miratuar lidhur me çështjen e ruajtjes dhe menaxhimit të kufijve shtetëror gjatë regjimit komunist.

Mund të përmendim Udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme Nr. 01-50, datë 23.05.1985, në dispozitat përkatëse të të cilit përcaktohej se do të konsideroheshin të arratisur edhe personat që janë larguar nga vendi ynë më para apo në prag të çlirimit, si ata që janë larguar nga atdheu së bashku me klikën antipopullore të Zogut për shkak të interesave të tyre në dëm të interesave të popullit, por edhe ata që janë arratisur jashtë shtetit gjatë Luftës Nacionalçlirimtare për shkak të qëndrimit të tyre armiqësor ndaj saj. Pra kjo praktikë kishte parasysh edhe personat nga radhët e atyre që kishin ngelur jashtë shtetit para mbylljes së kufijve shtetëror të cilët ishin dënuar si bashkëpunëtorë të shërbimit tonë sekret jashtë shtetit ose që në kohën e arratisjes nuk e kishin mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe vihet re se si kriter bazë për t’u konsideruar si të arratisur kanë shërbyer qëndrimet dhe qëllimet e tyre “armiqësore” ndaj regjimit të kohës[5].

Sipas këtij udhëzimi thuhej shprehimisht se “do të quhen të arratisur edhe ata persona që në bazë të rregullave të vendosura, është marrë vendim për t’u konsideruar të arratisur”, pra vëmë re që një person mund të konsiderohej i arratisur sipas vendimeve dhe qëndrimeve që mbanin pushtetarët e asaj kohe.

Gjithashtu në Vendimin Nr. 53 të Byrosë Politike të vitit 1955, në faqen 3 të saj citohej se: “Duke organizuar arratisjen e sa më tepër njerëzve jashtë shtetit, armiku nuk ka patur qëllim që të krijonte vetëm mbështetjen e jashtme për luftë kundër vendit tonë, por ai ka pasur gjithashtu për qëllim që në familjet e tyre të krijojë edhe mbështetjen e tij të brendshme”[6].

Sipas Udhëzimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Nr. 01-108, datë 06.08.1983 “Për procedurën që do të ndiqet për personat e kapur ose të dorëzuar si thyesa të kufirit tonë shtetëror, tokësor e ujor, shtetas të huaj dhe shqiptar të ardhur nga jashtë”, parashikohej se çdo shtetas i huaj, pa shtetësi ose me shtetësi shqiptare që kapej ose dorëzohej si shkelës i kufijve shtetëror tokësor e ujor ardhur nga jashtë shtetit, forcat kufitare duhet të merrnin masa të plota për kapjen, ç’armatosjen, sigurimin dhe kontrollin e hollësishëm të tyre, të mjetit e të vendit të kapjes si dhe shoqërimin dhe dorëzimin e tyre sekret së bashku me dokumentet e nevojshme në degën e punëve të brendshme të rrethit, konform kërkesave të rregullores së shërbimit të kufirit. Gjithashtu përcaktohej se nëse njësiti kufitar, nga çasti i zbulimit të personit, gjurmës, sendit ose mjetit e shenjës që dëshmonin mbi shkeljen e kufirit, duhet të informonte menjëherë pikën kufitare dhe duhet të viheshin në ndjekje të thyesave të kufirit në bashkëpunim me forcat e tjera. Vetëm në rastet e pamundësisë së lidhjes me komandën eprore, duhet të vepronin me iniciativë, madje kjo e fundit ndodhte rëndom, pasi forcat kufitare vepronin menjëherë duke qëlluar ndaj tyre dhe duke i lënë të vrarë[7].

Në këtë udhëzim përcaktohej edhe ofrimi i një përkthyesi për të gjithë të huajt që shkelnin kufijtë tanë shtetëror tokësor e ujor dhe në pikën 13-a) të tij përcaktohej shprehimisht se “zgjidhja dhe studimi i përkthyesit të bëhet në bazë të vërtetimit të komplikuar biografik në kushte që të mos ketë nga lidhjet e tij deri në kushëri të dytë të arratisur, emigrant ekonomik me aktivitet jashtë shtetit, të pushkatuar, të dënuar e antiparti”, pra vihet re qartë distancimi që u bëhej gjithë personave që kishin familjarë e të afërm që ishin arratisur ose ishin ndaluar në përpjekje për t’u arratisur etj.

Ndërkohë në Udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme Nr. 01-55, datë 10.10.1990 “Për ndjekjen dhe parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror”, përcaktohej se organet e Punëve të Brendshme kanë detyrë të rëndësishme ndjekjen dhe parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror dhe për këtë këto organe duhet të marrin e të ndjekin të gjitha të dhënat dhe deklarimet që bëjnë fjalë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe për futjen forcërisht në ambasadat e huaja, si dhe të marrin çdo të dhënë për të gjithë ata persona që kanë shkuar jashtë shtetit me shërbim ose nevoja vetjake dhe atje kanë kërkuar statusin e refugjatit[8]. Nga ky paragraf vihen re mjaft qartë përpjekjet si dhe organizimi deri në detaje i strukturave të regjimit komunist për ruajtjen e kufijve shtetërorë dhe dënimin e çdokujt që tentonte të arratisej.

Me rëndësi për tu përmendur është edhe Udhëzimi i Ministrit të Punëve të Brendshme Nr. 01-90, datë 08.06.1983, i cili në pikën 3 të tij përcaktonte se: “Nuk jepet kufoma e personit që vritet gjatë kryerjes së një krimi, ose pas kryerjes së tij, në përpjekje, rezistencë ose duke u larguar për t’i shpëtuar kapjes nga forcat tona ose nga populli, si në rastet e arratisjes në kufi, bandave të armatosura, kriminelë të arratisur, grabitjeve, vjedhjeve të objekteve me rëndësi ekonomike”. Paragrafi i dytë i pikës 3 saktëson “fatin” e kufomave të paidentifikuara, të cilat mund t’u jepen edhe institucioneve mjekësore për nevojat e tyre[9]. Ndërkohë që në pikën 15 të këtij udhëzimi thuhej: “Personat e vdekur, për të cilët nuk lejohet dhënia e kufomës, varrosen në vende të caktuara posaçërisht në bashkëpunim me organet e pushtetit dhe mbahet evidencë e rregullt sipas modelit të miratuar dhe skemë (hartë topografike) e posaçme për vendin e varrimit. Në kokën e varrit të vendoset një tabelë në të cilën të shkruhet vetëm numri i regjistrit të tij”. Në këtë paragraf përcaktohej edhe makabriteti me të cilin varroseshin këto kufoma.

  • Sanksionet e parashikuara në Kodin Penal gjatë regjimit komunist

Në vitin 1952 u miratua Kodi Penal, dhe në vitin 1953 Kodi i Procedurës Penale. Në nenin 107 të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet se organet e punëve të brendshme kanë të drejtë të ndalojnë një person në rastet kur personi ka tentuar të arratiset ose është kapur në arrati e sipër[10].

Në Kodin Penal të vitit 1977, në nenin 47 të tij përshkruheshin edhe dënimet për veprën penale të Tradhëtisë ndaj Atdheut dhe kjo vepër dënohej me heqje lirie jo më pak se 10 vjet ose me dënim me vdekje. Duke qenë se Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetëror konsiderohej tradhëti ndaj atdheut, dënimi për çdo person që tentonte të kalonte kufirin jepej sipas nenit 47 të Kodit Penal dhe në çdo rast, krahas dënimit kryesor, për këtë figurë krimi parashikohej edhe zbatimi i dënimit plotësues – konfiskimi i pasurisë së autorit. Ndërkohë të afërmit dhe familjarët e personave të arratisur ose të ndaluar i internonin dhe i dëbonin, dënime të cilat parashikoheshin edhe në Kodin Penal[11].

Natyrisht, që, ligji penal gjatë regjimit komunist dënonte edhe përkrahjen e autorit të kësaj vepre penale (kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit), e cila kur realizohej nga funksionari publik me anë të shpërdorimit të detyrës dënohej nga 3 – 10 vite burgim.

  • Ndryshimet që pësoi Kodi Penal në vitin 1990 dhe pasojat që shkaktoi për shqiptarët

Sipas ligjit Nr. 7380, datë 08.05.1990 “Për disa ndryshime në kodin penal të republikës popullore socialiste të Shqipërisë”, ndër të tjera mund të përmendim edhe ndryshimin që i referohej masës së dënimit për veprën penale të parashikuar në nenin 127 “Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit”, e cili sipas ndryshimeve të ligjit nuk do të konsiderohej më tradhëti ndaj atdheut dhe do të dënohej me riedukim nëpërmjet punës ose me heqje të lirisë gjer në 5 vjet, edhe pse kjo masë dënimi nuk u zbatua, pasi personat që ndaloheshin në tentativë për tu arratisur, i akuzonin edhe për vepra të tjera penale si agjitacion e propagandë etj., për t’i shtuar masën e dënimit[12].

Gjithashtu me Dekretin datë 08.05.1990,të miratuar nga kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Ramiz Alia, parashikohej qartë se ndaj të gjithë personave që tentojnë të arratisen, forcat e kufirit nuk duhet të përdorin armë për t’i qëlluar[13]. Nga kjo deklaratë e tij, të shumtë ishin shqiptarët të cilët ju drejtuan kufirit, për tu arratisur e për të kërkuar një jetë më të mirë, mirëpo u zunë në befasi nga forcat e kufirit që jo vetëm gjuajtën ndaj tyre, por edhe i lanë të vrarë, e për më tepër këto vrasje u justifikuan me arsyen se kufitarët kishin bërë vetëm detyrën.

  • Konkluzionet e studimit:
  • Legjislacioni penal qё ёshtё zbatuar në Shqipërinë e pasluftës sё dytë botërore u hartua duke u bazuar në modelet e kodeve penale tё sistemeve ligjore socialiste, dhe jo sipas standardeve dhe ligjeve penale bashkëkohore tё vendeve tё zhvilluara;
  • Politizimi i ligjit – ligjet gjatë regjimit komunist ishin thellësisht të politizuara, duke shërbyer si një mjet për konsolidimin e pushtetit të partisë së punës;
  • Shkelja e të drejtave themelore të njeriut – ligjet e periudhës komuniste përmbanin dispozita që kufizonin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut si lirinë e fjalës, besimit, pronës private etj;
  • Centralizimi i pushtetit gjyqësor – sistemi gjyqësor gjatë regjimit komunist ishte nën kontrollin e plotë të partisë-shtet;
  • Ligji si mjet shtypjeje dhe reprezaljeje.
  • Sugjerime dhe Rekomandime:
  • Rehabilitimi i të persekutuarve dhe familjarëve të viktimave nëpërmjet dhënies së dëmshpërblimeve si dhe zgjidhjen e çështjeve që lidhen me konfiskimin e pronave;
  • Edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezave mbi të kaluarën komuniste dhe ndikimet e saj në sistemin ligjor;
  • Kryerja e studimeve të mëtejshme për hulumtimin e aspekteve të tjera të kuadrit ligjor komunist;
  • Kryerja e një studimi krahasimor për të analizuar përvojat e vendeve të tjera me të njëjtën të kaluar me vendin tonë;
  • Hapja e arkivave dhe vijimi i procesit të deklasifikimit;
  • Krijimi i politikave mbështetëse sociale dhe psikologjike për të gjithë ata persona të cilët janë prekur nga abuzimet gjatë regjimit komunist.
  • Çështje ligjore dhe etike

Artikulli është një artikull autentik, duke respektuar ligjin mbi të drejtën e autorit si dhe parimet e konfidencialitetit dhe privatësisë, nuk ka pjesë të kopjuara, gjithçka është e cituar dhe synon të ruajë integritetin e AIDSSH-së.

Referencat:

  1. Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë (v. 1946);
  2. Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (v. 1976);
  3. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut;
  4. Konventa e Gjenevës për Statusin e Refugjatëve;
  5. Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut;
  6. Ligji Nr. 7380, datë 08.05.1990 “Për disa ndryshime në kodin penal të republikës popullore socialiste të Shqipërisë”;
  7. Kodi i Procedurës Penale (v. 1953);
  8. Kodi Penal (v. 1952), kapitulli mbi arratisjet;
  9. Kodi Penal (v. 1977), kapitulli mbi arratisjet;
  10. Arkivi AIDSSH – Udhëzimi Nr. 01-50, datë 23.05.1985;
  11. Arkivi AIDSSH – Udhëzimi Nr. 01-108, datë 06.08.1983;
  12. Arkivi AIDSSH – Udhëzim Nr. 01-55, datë 10.10.1990;
  13. Arkivi AIDSSH – Udhëzim Nr. 01-90, datë 08.06.1983;
  14. Arkivi AIDSSH – Urdhëri Nr. 1-596 datë 05.03.1971 “Mbi kriteret e përcktimit të personave të arratisur jashtë shtetit”;
  15. Arkivi AIDSSH – Vendimi Nr. 53 i Byrosë Politike (v.1955);
  16. Rregullore mbi administrimin e burgjeve dhe kampeve (v. 1965);
  17. Rregullore Nr. 01-33, datë 24.10.1977 “Mbi sigurimin dhe riedukimin e të dënuarve në repartet e riedukimit dhe në burgje”;
  18. Rregullore Nr. 01-1 datë 3.1.1981;
  19. Dekreti i Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor datë 08.05.1990;
  20. Dekreti nr. 5139, datë 30.01.1974, “Mbi unifikimin e hetuesisë”;
  21. Ç. Hoxha – “Konstruksioni Ligjor i regjimit komunist në Shqipëri”;
  22. K. Dervishi – “Vrasjet në Kufi në vitin 1990 – përmbledhje dokumentesh”;
  23. AIDSSH – “Udhërrëfyes për të drejtat e familjarëve të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit”.

[1] Konventa e Gjenevës për Statusin e Refugjatëve

[2] Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut

[3] Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë (v. 1946)

[4] Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë (v. 1976)

[5] Udhëzimi Nr. 01-50, datë 23.05.1985

[6] Vendimi Nr. 53 i Byrosë Politike (v.1955)

[7] Udhëzimi Nr. 01-108, datë 06.08.1983

[8] Udhëzim Nr. 01-55, datë 10.10.1990

[9] Udhëzim Nr. 01-90, datë 08.06.1983

[10] Kodi i Procedurës Penale (v. 1953)

[11] Kodi Penal (v. 1977)

[12] Ligji Nr. 7380, datë 08.05.1990 “Për disa ndryshime në kodin penal të republikës popullore socialiste të   Shqipërisë”

[13] Dekret datë 08.05.1990

MAKS VELO, ZËRI I ATIJ QË KLITH NË SHKRETI

Ju ftojmë të lexoni artikullin reflektues të Dr. Albert Nikollës, anëtar i Autoriteti Dosjeve kushtuar veprës së arkitektit dhe shkrimtarit Maks Velo, me fokus në librin e tij tronditës Betonizimi