- Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në 30 gusht 2021, u prezantua ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta”, me dokumentacion të zgjeruar të ish-policisë sekrete, ku merrej autorësi për dënime, vrasje, ekzekutime, etj. që Sigurimi i raportonte në 19 historikë të degëve të tij në rrethe.
Ekspozita për të zhdukurit, me materiale të ish-Sigurimit të Shtetit u zhvillua në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit të komunizëm” të ICMP-AIDSSH, të mbështetur nga BE dhe Ambasada Zvicerane dhe qëndroi e hapur deri më 3 shtator 2021. Ajo u mbajt në Lulishten “Fadil Kokomani, Vangjel Lezho” pranë Kryeministrisë me pjesmarrjen të kryeministrit Rama, ambasadorëve, partnerëve ndërkombëtarë, familjarëve të personave të pagjetur, veprimtarë të kujtesës kolektive, dhe të të drejtave të njeriut!
Avancimi i kauzës së papërmbushur të kthimit pranë familjeve, të të vdekurve të pagjetur të diktaturës komuniste po trajtohet me ndjeshmërinë e duhur nga institucionet vendase dhe po merr mbështetje nga institucionet ndërkombëtare.
Autoriteti i Dosjeve, që prej fillimeve të veta pak vite me parë, u përball me kërkesat e vazhdueshme të dhjetëra familjeve që, në kërkim të qartësimit të fatit të familjarit të tyre, vrarë pa gjyq apo ekzekutuar për shkaqe politike, bënin prezent kalvarin e vet prej disa dekadash, në kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e tyre.
Në zbatim të Konventës kundër Zhdukjeve me Forcë, përveç rolit të vet për qasje në një arkivin sekret të policisë politike të diktaturës, AIDSSH, përmes përcaktimeve ligjore, është përcaktuar si ndërmjetës mes familjarëve të të pagjeturve dhe institucioneve ligjzbatuese.
Ligjvënësi, – duke kuptuar boshllëqet ligjore për këtë kategori, dhe duke iu përgjigjur zhgënjimit të familjarëve, – i pati bërë vend një ligji të posaçëm që akomodonte ICMP si partner ndërkombëtar, sidomos për identifikimin përmes ADN-së dhe në verën e 2020, e përcaktoi këtë rol të ri të AIDSSH, duke kërkuar që ky institucion, së pari të ndërtojë marrëdhënie me çdo institucion ligjzbatues, për të referuar rastet e raportuara nga familjarët dhe së dyti, duke i kërkuar qeverisë që të përcaktojë zinxhirin e roleve të çdo institucioni, përmes akteve nënligjore që pritet të përgatiten këtë vjeshtë.
Sa më sipër, AIDSSH natyrisht nuk do të mbivendoset në rolin e asnjë institucioni apo organizate, por do të shërbejë si urë lidhëse mes tyre dhe familjarëve, duke ndjekur hap pas hapi punën komplekse dhe afatgjatë që pritet të bëhet rast pas rasti.
Më herët kemi përpiluar së bashku me IIPP dhe ICMP hartën e vendeve ku mendohet të ketë lokacione të varreve të fshehura, duke iu drejtuar në një tur të posaçëm pushtetit vendor, për mostjetërsimin e këtyre vendeve, për sa kohë ato janë të paverifikuara nga organet kompetente. Kjo merr rëndësi të veçantë, sidomos me zhvillimet e vrullshme në infrastrukturë dhe përgjatë proceseve urbanizuese.
Si produkt i projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit; të zhdukurit në komunizëm”, financuar nga BE dhe Ambasada e Zvicrës, dhe zbatuar nga AIDSSH me ICMP, u finalizua udhërrëfyesi për familjarët, që kanë përgjegjësinë e hapit të parë për nisjen e procesit për qartësimin e fatit të familjarit të tyre, apo për raportimin e lokacionit, në rast se ka dijeni për të, siç është rasti shumë shpesh.
Duke ekspozuar indicie me vlerë, për herë të parë, ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta”, e çelur në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, grish për reflektim dhe thellim të të kuptuarit, çdo institucion ligjzbatues, si pushtetin vendor, policinë, prokurorinë, shërbimet e policisë shkencore, mjekësisë ligjore dhe ato antropologjike. Sa më mirë të kuptojnë Sigurimin, funksionet dhe
proceset e tij, aq më mirë do ta kryejnë punën e tyre.
Po ashtu, i drejtohet edhe familjarëve të personave të pagjetur, sepse qartësimi i fatit të familjarit të tyre mund të lehtësohet nga kuptimi më i thellë i realitetit të kohës, duke i dhënë ndihmesë më të madhe hulumtimit të çdo rasti dhe punës së institucioneve të përfshira.
Për ndërtimin e kësaj ekspozite janë shqyrtuar historikët e 19 degëve të ish-Sigurimit të Shtetit në vend, dokumente të prodhuara prej tij në vitet 1973-1980, siç pohohet, të punuara me kujdes dhe të redaktuara shkencërisht.
Këto historikë u deklasifikuan në vitet 2019-2021 nga Autoriteti, dhe paraqesin interes, sepse Sigurimi merr përsipër autorësinë e disa ngjarjeve, duke dhënë njëherësh këndvështrimin e vet mbi emrat e përfshirë.
Policia sekrete pranon këtu që ka luftuar ose eliminuar në disa mënyra kundërshtarët politikë, që përmenden me termat diversantë, kriminelë lufte, armiq të popullit, sabotatorë, spiunë, banditë, kulakë e të tjerë, në përplasje me të cilët, ka të humbur nga të dyja palët. Të gjitha këto, përmes dëshmive në vetë të parë të Sigurimit, që ndalet edhe te vendekzekutimet, por pa koordinata të sakta.
Ekspozita synon të nxisë më tej punën për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të pagjeturve, duke sjellë rastet e evidentuara, duke pasur parasysh që – përmes emrave të ndryshëm, të njohur apo të panjohur, – të përmbledhë metodat e përndjekjes së Sigurimit të Shtetit ndër vite, që ndihmojnë për të qartësuar fatin e këtyre personave: nga shpikja e sëmundjeve, te “kombinacionet” e pranuara nga vetë punonjësit e Sigurimit, përmes legjendimesh që nënkuptojnë përhapjen e lajmeve të rreme, “hetuesive të rrufeshme” kur pranohet se “u vu dorë”, e kurtheve, duke hedhur dritë rreth pas rrethi, në mënyrat si bëheshin rekrutimet e bashkëpunëtorëve nën shtrëngim, përmes presionit me arrestimin e familjarëve, apo ballafaqimit me fëmijën e lidhur kokë e këmbë në qeli.
Te vrasja që pasohet, jo nga varrimi, por nga “groposja“ e trupave, që synonte dhe groposje të vetë së vërtetës.
Kësaj ekspozite i është dhënë forma e kubave, për të ilustruar se një histori mund të ketë disa faqe, dhe po ashtu një formë lego, si për të ilustruar potencialin që ka çdo indicie për të plotësuar apo ndërtuar një të tillë.
Prandaj, përpara se të shihni këtë ekspozitë, më lejoni të përmbledh me pak fjalë se çfarë kjo ekspozitë NUK është:
𝟏. Kjo ekspozitë nuk është historia e Sigurimit të Shtetit. Këtu kemi përmbledhur disa indicie të cilat kanë nevojë të analizohen, verifikohen, vihen përballë kujtimeve, ditarëve, intervistave, analizave krahasuese, etj., përpara se të bëhen pjesë e debatit publik mbi një histori të tillë.
𝟐. Kjo nuk është as një ekspo shteruese, sepse në eksperiencën tonë, një rast i hulumtuar plotësisht shkon emër pas emri, duke lexuar edhe mijëra faqe,
𝟑. Kjo ekspozitë nuk është një akt rehabilitimi i gjithë viktimave që janë subjekte fatkeqe të këtyre historikeve. Çdo emër, çdo ngjarje, kërkon punë të hollësishme të historianëve, me gjenealogjitë, bashkëpunimin me familjet dhe arkivat e kohës, si dhe procese hulumtuese ballafaquese dhe shfrytëzim të referencave të besueshme.
Së fundi, dëshiroj t‘ju paralajmëroj se temat e trajtuara në këtë ekspozitë janë të dhimbshme dhe delikate. Temat janë komplekse, por të pashmangshme. Por përtej interesit publik që kjo çështje po merr, le të mos harrojmë se pas çdo ngjarjeje janë persona dhe familje që ende e vuajnë indiferencën tonë.
Shpresoj që secili prej nesh të dalë me përgjegjësitë e veta për të thelluar më tej punën e vet dhe me çfarë ka në dorë, sepse kjo plagë e pambyllur e familjeve është edhe plagë e pambyllur e të gjithë shoqërisë dhe një detyrë e papërmbushur e shtetit.
Rezultatin e punës sonë të përbashkët do të donim ta shihnim kur të nisin gërmimet, të cilat, siç e kemi parë psh, në Poloni, kthehen në ditë të shënuara, dhe përcillen nga mbarë shoqëria si arritje humane.
Le të mos harrojmë që një pjesë e bijve më të shquar të popullit tonë ndodhen ende “të groposur” diku.
Ju falënderoj! *Fjala e Kryetares së AIDSSH-së, Dr. Gentiana Sula, në hapjen e ekspozitës për të zhdukurit në komunizëm “Sigurimi në fjalët e veta”